1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Senatori Murphy bën thirje për tejkalimin e krizës politike

Senatori Chris Murphy, tha në Prishtinë se ai shpreson që partitë politike shpejt do të arrijnë të formojnë një koalicion që presupozon sakrifica personale për të mirën e vendit.

Ndonëse prania ndërkombëtare në Kosovë disa herë është shprehur se nuk do të ndërhyjë në zgjidhjen e ngërҫit politik që ka përshirë Kosovën tash e katër muaj, vlerësimet dhe krahasimet për gjendjen e krijuar nuk po mungojnë. Anëtari i komitetit për marrëdhënie të jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, senatori, Chris Murphy, tha në Prishtinë (18.10), se “partitë politike në Kosovë duhet të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike, madje edhe nëse ajo zgjidhje nënkupton sakrifica personale për të mirën e vendit”. Senatori Murphy, këto komente i bëri të shtunën gjatë një ligjërate në Universitetin Amerikan në Prishtinë, gjatë një vizite që po realizon në Kosovë.

“Shpresojmë që partitë politike shpejt do të arrijnë të formojnë një koalicion që nënkupton sakrifica personale për të mirën e vendit. Kjo është në të vërtetë demokracia. Shpresojmë se së shpejti miqtë e Kosovës do të jenë në gjendje që të vizitojnë Kosovën dhe të takohen jo vetëm me presidenten, por edhe me qeverinë e re”, ka deklaruar senatori Murphy, duke përjashtuar mundësinë që ai ka ndonjë preferencë se kush nga dy blloqet politike duhet të formojë institucionet e Kosovës.

Senatori Murphy, thotë se edhe dy partitë e mëdha politike në SHBA kanë dallime të mëdha në prioritetet e tyre, mirëpo, kur është fjala për interesin kombëtar, sipas tij, të dy partitë bashkohen për të gjetur zgjidhjen më të mirë për vendin.

Mbrëmjen e së premtes (17.10)., anëtari i komitetit për marrëdhënie të jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, senatori, Chris Murphy, takoi të vetmen presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka disa javë që po vazhdon të takimet me secilin nga liderët e subjekteve politike në përprejke për të tejkaluar ngërçin politik të rijuar në vend.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, thuhet në një njoftim për media, pos të tjerash e ka informuar senatorin Murphy mbi zhvillimet aktuale, me theks të posaçëm për nyjen institucionale, duke theksuar se Kosova ka mbajtur zgjedhje të mira, të lira, demokratike e gjithëpërfshirëse. Presidentja thotë se Kosova ka treguar deri tani pjekuri politike dhe respektim të kuadrit kushtetues por situata e krijuar tani po i dëmton interesat e Kosovës edhe brenda edhe në skenën ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga tha se “në rolin e lehtësuesit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare ka filluar takimet me liderët për të gjetur zgjidhjen për institucione të qëndrueshme, dhe se ua ka bërë me dije pozitën në të cilën sot ndodhet Kosova dhe gjithësesi edhe detyrimet që ka vendi.

Mirëpo, të dy blloqet politike Partia Demokratike e Kosovës, PDK, e cila doli partia e parë në zgjedhje në njërën anë, dhe në anën tjetër partitë politike në koalicion paszgjedhor, LDK, AAK Nisma dhe Vetvendosja, nuk lëkundën nga qëndrimet e tyre për të drejtën që të formojnë institucionet e Kosovës.

Udhëheqësit e PDK vazhdojnë të këmbëngulin se zgjidhja duhet të gjendet mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa, në rast se nuk gjendet një zgjidhje, ata nuk e përjashtojnë mundësinë e zgjedhjeve si zgjidhje e fundit e ngërçit politik.

Nga ana tjetër, partitë politike në koalicionin paszgjedhor, (V-LAN), vazhdojnë ta kundërshtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke thënë se ata tashmë e kanë shumicën parlamentare dhe është e panevojshme sipas tyre mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Sidoqoftë, ky ngërç dhe këto qëndrime të palëkundura nga kampet politike tashmë e kanë futur vendin në një krizë të thellë politike dhe institucionale.

Presidentja Atifete Jahjaga, tashmë disa herë e ka përsëritur se “liderët e partive politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje konform kuadrit kushtetues dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe duke iu përmbajtur parimeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës”. Presidentja Jahjaga thotë se Kosova nuk mund të lejojë krizën edhe politike edhe mbi të gjitha financiare e buxhetore, sepse kjo do të dëmtojë vetë qytetarët e Kosovës edhe partneritetin strategjik ndërkombëtar.

Sidoqoftë, kanë kaluar më shumë se katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, ndërkaq, pos betimit të deputetëve në kuvend, akoma nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të krijimit të institucioneve të reja, që janë zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së kuvendit dhe më pas formimi i qeverisë. Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, që u publikua javën e shkuar, autoritetet në Kosovë janë kritikuar për siç thuhet “dështimin me kohë në konstituimin e parlamentit të ri”. Kjo ngecje u cilësua “kthim prapa”.