1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Seanca konstituuese e parlamentit me shumë pikëpyetje

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK nuk e pranojnë rizgjedhjen e kryetarit të deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bartës i listës së koalicionit fitues të zgjedhjeve PAN.

Dossierbild 1 Kosovo Parlament (picture-alliance/dpa)

Në Prishtinë zhvillohet seanca konstituuese e parlamentit (03.08) pas zgjedhjeve të 11 qershorit, ku pritet të zgjidhjet kryetari i kuvendit. Sipas përfaqësuesve të koalicionit PAN, ata synojnë që të njëjtën ditë të votohet edhe për qeverinë e Kosovës. Ndonëse ende nuk është njoftuar zyrtarisht, kandidati i vetëm për kryetar të Kuvendit i koalicionit PAN (Partia Demokratike e Kosovës PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK dhe Nisma) është Kadri Veseli, kryetar i PDK-së.

"Ju e dini se mbështetja e plotë e PDK-së është për Kadri Veselin. Por, tash për tash nuk mund ta them se është fakt i kryer, por për këtë do të vendoset me kohë”, tha Memli Krasniqi, deputet i PDK-së.

Ndonëse në bazë të Kushtetutës së Kosovës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast koalicionit PAN. Subjektet e tjera politike, që u renditën e dyta dhe e treta në zgjedhje, LAA dhe Vetëvendosja, tashmë janë deklaruar se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, sikundër që nuk do ta votojnë as të nominuarin për kryeministër Ramush Haradinaj. Për zgjedhjen e tyre në këto dy poste nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votave, nga 120 deputet sa i ka Parlamenti i Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosja dhe koalicioni LAA thonë, se në mënyrë që procesi i formimit të institucioneve të mos bllokohet, koalicioni PAN, si zgjidhje mund të propozojnë një kandidat tjetër për kryetar të kuvendit.

"Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, por ne jemi të gatshëm që t'i shqyrtojmë emrat e tjerë, të cilët do të mund të propozoheshin”, thotë Glauk Konjufca deputet i Vetëvendosjes.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur qartë se partia e tij nuk do ta votojë Kadri Veselin për kryetar kuvendi, sepse, sipas tij, "Veseli ishte njëri nga iniciatorët e prishjes së koalicionit PDK-LDK”.

"Ne e kemi qëndrimin që në asnjë rast nuk bëjmë koalicion me PAN-in, dhe po ashtu nuk e votojmë Kadri Veselin për kryetar të kuvendit. Konsiderojmë se ai ishte njëri nga njerëzit që e prishi marrëveshjen, dhe i ka vënë interesat personale para shtetit”, thotë Isa Mustafa.

Nga ana tjetër përfaqësues të koalicionit PAN thonë, se ata e kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve që do ta bëjnë kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, kryetar kuvendi dhe Ramush Haradinajn kryeministër.

Muharrem Nitaj, zëdhënës i Ramush Haradinajt, thotë se në zgjedhjet e 11 qershorit koalicioni PAN ka fituar më së shumti mandate dhe sipas kushtetutës i takon këtij koalicioni që ta propozojë dhe ta zgjedhë kryetarin e kuvendit dhe kryeministrin e Kosovës.

"Ka një Kuvend të Kosovës që përbëhet nga deputetë të zgjedhur dhe gjithçka varet nga vota e tyre. Ne jemi të bindur se koalicioni PAN nuk do të ketë telashe as në krijimin e qeverisë dhe as në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit", thotë Muharrem Nitaj.

Mirëpo, dy subjektet e tjera politike lëvizja Vetëvendosja dhe LAA thonë, se koalicioni PAN nuk i ka numrat e votave të mjaftueshme. Lëvizja Vetëvendosja dhe LAA së bashku kanë 61 deputet dhe pikërisht për këtë ata janë të bindur se koalicioni PAN, edhe nëse i bashkohen pakicat kombëtare, mund të arrijë vetëm në 59 deputetë, numër ky jo i mjaftueshëm për zgjedhjet e kryetarit të kuvendit dhe kryeministrit. Mirëpo, rreth çështjes së numrave, Memli Krasniqi nga koalicioni PAN, thotë se kjo çështje është devalvuar deri në atë masë saqë deputetët tashmë po quhen "numra”.

"Mendoj se asnjëherë nuk është dashur që t'i devalvojmë deputetët dhe t'i quajmë numra. Ne e kemi mbështetjen e mjaftueshme për formimin e qeverisë dhe për konstituimin e kuvendit”, thotë Memli Krasniqi.

Përfaqësues të dy subjekteve politike LAA dhe Vetëvendosja thonë, se qeverinë duhet ta krijojnë këto dy subjekte politike, sepse ato kanë numër të mjaftueshëm të votave.

Vjosa Osmani, deputete nga LDK, thotë, se qeverinë duhet ta formojnë Vetëvendosja dhe LDK-ja, pasi koalicioni PAN, sipas saj, "do të dështojë në përpjekjen e parë për formimin e qeverisë”.

"Ka vullnet të mirë tek të dyja subjektet politike që të arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje. Koalicioni PAN do të dështojë me arritjen e numrave të nevojshëm për formimin e qeverisë. Dhe së dyti, kemi edhe një mision që na bashkon me Vetëvendosjen, që PDK-në ta dërgojmë në opozitë”, thotë Vjosa Osmani.

Sidoqoftë tash për tash akoma është e paqartë sesi do të rrjedhë seanca konstituuese e Parlamentit të Kosovës më 3 gusht. Kjo për faktin që rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit nuk nxori asnjë subjekte politik fitues, që do të mund ta krijonte vetëm qeverinë. Analistët politik parashohin krizë institucionale, ndërkohë që prania ndërkombëtare në Kosovë bën thirrje për krijim të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që vendi të vazhdojë me integrimet evropiane dhe reformat e kërkuara.