1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: reagime pro dhe kundër marrëveshjes me Serbinë

Partitë opozitare në Kosovë: do ta kundërshtojmë jetësimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe - për të cilin u ra dakord në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel - në secilin rast dhe në secilën instancë.

Në Kosovë presidentja e vendit Atifete Jahjaga e përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes paketë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që partitë politike opozitare thonë se me nënshkrimin për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, qeveria shkeli mbi interesat e qytetarëve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se “nënshkrimi i katër marrëveshjeve në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është një moment i rëndësishëm për fuqizimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve”.

“Marrëveshjet forcojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe integritetin territorial, aspiratën tonë për ta bërë Kosovën shtet gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe me prosperitet. Ato po ashtu ndihmojnë në integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, thotë në një deklaratë për media presidentja Atifete Jahjaga. Sipas saj, arritja e marrëveshjeve, përfshirë kodin e mëvetësishëm telefonik, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e Republikës së Kosovës në procesin e dialogut, suksesi i të cilit do t'i ndihmojë edhe konsolidimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe perspektivës së saj të qartë evropiane.

Partitë politike opozitare nga ana e tyre thonë se me nënshkrimin për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, qeveria shkeli mbi interesat e qytetarëve të Kosovës. Kështu u shpreh lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vazhdon ta kundërshtojë edhe ndarjen e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për të cilën qeveria e Kosovës është pajtuar. “Me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kosova po e bën një hap mbrapa. Kjo marrëveshje e vendos Kosovën në pozicion të komplikuar, ndërsa Thaçi e Mustafa shkelën mbi interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha Ramush Haradinaj.

Në po të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke e akuzuar qeverinë e Kosovës për koncesione të dëmshme e të rrezikshme. “I tërë procesi i bisedimeve në Bruksel ka qenë i pabarabartë, rrjedhimisht i padrejtë, me karakter asimetrik ndaj Kosovës. Nuk ka se si të dalë ky proces dialogu, i tillë çfarë është, në dobi të Kosovës. E aq më pak ta afirmojë shtetësinë e Kosovës”, thotë Visar Ymeri, i cili bashkësinë e komunave me shumicë

serbe vazhdon të quajë në gjuhën serbe ”Zajednica”.

“Zajednica në vete përbën kurorëzim të ndarjes së Kosovës në vija etnike. Kështu ajo o refuzohet në tërësinë e saj, me cilëndo formë që merr, ose pranohet si parim dhe praktikë e një Kosove pa republikë e pa perspektivë zhvillimi”, thotë Visar Ymeri kryetar i Lëvizjes Vetëvendosja. Ky subjekt politik ka paralajmëruar ta kundërshtojë, siç thonë, në çdo formë formimin i këtij asociacioni, por akoma nuk kanë bërë të ditura detajet e protestave, të cilat sipas tyre do të shtrihen gjithandej Kosovës.

“Ne e refuzojmë atë në tërësinë e saj, edhe si parim edhe si praktikë, dhe do ta kundërshtojmë jetësimin e saj në secilin rast dhe secilën instancë”, thotë Visar Ymeri.

Edhe një pjesë e madhe e organizatave të shoqërisë civile, marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe e kanë interpretuar si të dëmshme për funksionimin e shtetit të Kosovës. Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest thotë se “në versionin më të thjeshtë, asociacioni i komunave me shumicë serbe është një model i autonomisë së gjerë në Kosovë”.

“Me kompetenca të plota e të pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor, buxhet e territor me shërbyes civilë e aspak joqeveritarë, me kuvend, kryetar e identitet të veçantë - Asociacioni ka të gjitha elemente e një entiteti autonom. Asociacioni pra është, në versionin më të thjeshtë, një model i autonomisë së gjerë në Kosovë. Së paku është modeluar për të funksionuar si i tillë dhe kështu ai, padyshim, kalon Pakon e Ahtisarit. Përputhja me ligjet e Kosovës, sado lajm i mirë, nuk e zbut shumë këtë fakt”, thotë Lumir Abdixhiku.

Edhe Blerim Burjani, njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, i tha DW-së, se me nënshkrimin e marrëveshjeve të fundit në Bruksel gradualisht po përfundon skenari strategjik ndërkombëtar për Kosovën.

“Asociacioni i Komunave Serbe u arrit ashtu si kam thënë disa herë që ky asociacion do ta ketë emërtimin e vet, simbolet, kompetencat ekzekutive në arsim, shëndetësi, çështje sociale e zhvillim ekonomik. Ndërsa, tash priten ndryshimet kushtetuese. Brenda kushtetutës së Kosovës vendoset asociacioni për të siguruar këtë pakicë në Kosovë dhe Forcat e Armatosura të Kosovës ( FAK ) dhe tash sipas këtij skenari mund të vijë edhe demarkacioni me Serbinë dhe njohja e Serbisë nga Kosova, pra po shkohet drejt fundit. Kështu mund të thuhet se mund të përfundoj një skenar strategjik ndërkombëtar”, thotë Blerim Burjani.

Sidoqoftë, partitë politike opozitare dhe shumë organizata të shoqërisë civile disa herë e kanë akuzuar qeverinë e Kosovës për mostransparencë të procesit të negociatave dhe marrëveshjeve me Serbinë. Por kësaj radhe qeveria e Kosovës vendosi ta publikojë në tërësi marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke ua bërë të mundur të gjithëve që ta lexojnë në detaje, për ta mbrojtur qëndrimin e vet që siç thonë “Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe nuk ka kompetenca ekzekutive”.


DW.COM