1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: rëndohet kriza politike mes pozitës dhe opozitës

Opozita në Kosovë refuzon thirrjet e partive në pushtet dhe bashkësisë ndërkombëtare për dialog në kuvend. Analistët thonë se "papërgjegjshmëria politike e të dy kampeve ka tejkaluar çdo masë".

Partitë politike opozitare i kanë thënë jo ftesës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për t'u ulur në dialog dhe për të gjetur zgjidhje për krizën e krijuar politike. Kryeministri Mustafa, ftoi opozitën të ulen në tavolinën e bisedimeve, duke theksuar se e vetmja rrugë për të dalë nga kriza është dialogu. Lidhur me kërkesat e opozitës kryeministri tha, se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me interpretimin që do t'i bëjë marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe tha, se kërkuar ekspertizë ndërkombëtare lidhur me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Mirëpo, tre udhëheqësit e opozitës, Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovën (AAK) dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, ftesën e kryeministrit Isa Mustafa për t'u ulur në bisedime e cilësuan të vonuar dhe siç thanë boshe. "Kosova është futur në krizë të thellë politike, për shkak të qeverisjes së papërgjegjshme të Isa Mustafës e Hashim Thaçit. Arrestimi i deputetëve dhe masat represive ndaj kundërshtarëve, në rritje, të marrëveshjeve që i ka nënshkruar qeveria, veç sa e thellojnë këtë krizë. Në një situatë të tillë, e cilësojmë hipokrizi ftesën e kryeministrit për dialog. Opozita e Bashkuar mbetet e vendosur në kërkesat e saj që janë: anulimi i marrëveshjeve të dëmshme dhe lirimi i të gjithë të burgosurve politikë", tha lideri në AAK-së Ramush Haradinaj, duke folur në emër të opozitës së bashkuar.

Sipas Haradinajt "një alternativë tjetër e zgjidhjes së kësaj krize, e shkaktuar nga këto marrëveshje, mbetet zgjidhja përmes referendumit ose shpallja e zgjedhjeve të reja".

Tre udhëheqësit e opozitës të hënën(07.12) takuan edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, së cilës, sipas njoftimit të tyre, ata i prezantuan në dokument qendrimet e tyre, duke kërkuar nga ajo që të luajë rolin e saj kushtetues që ia garanton edhe Kushtetuta e Kosovës.

"Anulimi i Marrëveshjeve me Serbinë për themelimin e Zajednicës, dhe Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, në linjë edhe me kërkesat e 205 mijë qytetarëve nënshkrues të peticionit kundër këtyre marrëveshjeve. Duhet të lirohen menjëherë të gjithë të burgosurit politik (deputet dhe aktivistë të opozitës). Në rast se marrëveshjet nuk anulohen atëherë, marrëveshjet t'i nënshtrohen votës popullore përmes referendumit. Nëse jo atëherë, vendi të shkojë në zgjedhje të përgjithshme", thuhet në dokumentin që opozita i dorëzoi presidentes Atifete Jahjaga.

Në përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike të krijuar në Kosovë janë angazhuar edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuell Zhbogar dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. Të dy përfaqësuesit ndërkombëtarë takuan (07.12)kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Vesli. Në një njoftim nga zyra e kryeparlamentarit Kadri Veseli thuhet, se "Delawie dhe Zhbogar shprehën mbështetjen e tyre për vazhdimin e punës së legjislativit, në mënyrë që të mos krijohen vonesa në nxjerrjen e ligjeve të rëndësishme për proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova".

"Në këtë plan ambasadori Delawie përcolli mesazhet e Sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, që Kuvendi i Kosovës është vend i debatit dhe vendimmarrjes demokratike, e assesi i veprimeve të dhunshme", thuhet në njoftimin e zyrës së kryetarit të kuvendit të Kosovës.

Analistët politik nga ana e tyre thonë, se kokëfortësia që po shfaqet si nga pozita që mos të plotësojë kërkesën e opozitës, për të tërhequr "marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin", ashtu edhe nga opozita që nuk po lejon mbajtjen e seancave pa tërheqjen e këtyre marrëveshjeve, ka sjellë një situatë që mund ta çojë vendin në bllokadë totale institucionale.

Blerim Burjani, analist politik i tha Deutsche Welle-es se "papërgjegjshmëria politike e politikanëve në Kosovë ka tejkaluar çdo masë".

"Kapja për fyti e njëra – tjetrës, pra pozitës me opozitën kanë sjellë një rrugë pa zgjidhje. Ky marifet i çuditshëm politik dhe absurd vazhdon të mbajë peng jetën e qytetarit dhe demokracisë, të dy palët po mendojnë se e kanë mirë, realisht dëmi s'po i rrok asnjërën palë por qytetarin. Po them se këto subjekte politike në vend, janë në një gjendje kritike të luftës së ashpër për pushtet, ose pozita ose opozita. Kushtëzimet mos kthimi prapa, mos interesimi absolut për të gjetur zgjidhje për qytetarët, ka kapluar skenën politike me paligjshmëri, skajshmërisht kanë politizuar çdo pore të jetës së qytetarëve", thotë Blerim Burjani

Sidoqoftë, pavarësisht thirrjeve drejtuar opozitës për dialog, udhëheqësit e partive opozitare, nuk duket se po lëkunden nga qëndrimet e tyre. Ata thanë se duhet të anulohen marrëveshjet dhe të lirohen deputetët, pastaj sipas tyre të diskutohet. Pesë deputetë të opozitës janë në paraburgim ose nën masën arrest shtëpie, ndërsa dy të tjetër janë ne kërkim të policisë. Që të gjithë akuzohen se kanë hedhur gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës. Opozita kundërshton marrëveshjet për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi dhe për më shumë se dy muaj ka bllokuar seancat e parlamentit. Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry gjatë vizitës në Kosovë me (02.12) të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Ai tha se "SHBA-ja nuk do ta mbështeste asnjë marrëveshje që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës".