1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Pensionistët në vështirësi sociale

Pensionistët e sistemit të dikurshëm pensional përbëjnë një të treten e popullatës aktuale, në Kosovë. Pensionet prej vetem 40 eurosh në muaj, këtë shtresë të popullatës e çoi në një gjëndje të rëndë sociale.

Dy të moshuar që ecin në rrugë

Tregu në Prishtinë, 20 korrik 2007

Sindikata e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës e Kosovës, me 31 dhjetor të vitit 1998, gjithsejt numëronte 91 mijë e 635 kontributdhënës, (91.635), të cilët kanë deponuar kontributet për sigurim pensional invalidor. Me rrënimin e autonomisë së Kosovës në mënyrë antikushtetuese dhe jolegjitime, kontributet që kapin shumën prej 2 miliardë eurosh, me ligjet e Serbisë u bartën në këtë republikë. Prej vitit '98, u ndalua dhënja e pensioneve në viset ku u zhvilluan askionet ushtarake e policore serbe, ndërsa që nga fundi i vitit '98, u ndaluan në përgjithësi.

Serbët dhe malazezët kanë marrë pensione nga Serbia

"Kjo vlente për të gjitha komunitetet, me përjashtim të serbëve dhe malazezëve, të cilët i marrin pensionet në kontinuitet nga fondi i Serbisë e në të njëjtën kohë, edhe pensionin e ashtuquajtur-themelor, nga buxheti i Konsoliduar i Kosovës e që paraqet një diskriminim 'sui generis'"-plotëson Kryetari i Sindikatës së pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, Fatmir Fehmiu.

Ahmet Avdimetaj është pensionist kontributdhënës, i cili deri më tani gëzonte vetëm pension pleqërie prej 40-të eurosh: "Ne jemi pensionistë e invalidë kontributdhënës. Ne nuk jemi kundër pensionistëve të tjerë. Ne duam vetëm që të diferencohemi prej tyre".

Ramadan Zeqiri, bujk, do të ishte i lumtur po të bëhej ky diferencim: "Paj na marrim boll e ata-pak, se kanë punu shumë. Kanë derdh djersë të madhe e kurrgjo! Ndoshta kemi punue edhe na se kemi kontribu qaty, por, ndryshe ata e ndryshe na...Ata duhet me u pagu ma mirë se na që i marrim ka 40 euro."

Por, ku janë kontributet e klasës së dikurshme punëtore e cila ndërtoi Kosovën?

Kryetari Fatmir Fehmiu, sjell përgjegje të detajuar: "Të hollat gjinden së pari në kapitalin nga privatizimi i pronës shoqërore. E dyta, me rrënimin e autonomisë së Kosovës, me ç'rast Kosova u shndërrua në një koloni të tipit klasik, të gjitha kapitalet u transferuan në institucionet e Serbisë. Në të njëjtën kohë janë marrë edhe inventari dhe çdo pasuri të bashkësisë vetqeverisëse të Kosovës, si asociacion i kontributdhënës në përgjithesi e në sektorin individual, në veçanti. E kur flasim për sigurimin pensional-invalidor, ky borxh asht diku rreth 2 miliardë euro, duke pasur parasysh periudhen prej vitit 1990, kur kane fillu t'i ndërpresin dhënien e pensioneve familjare, fëmijëve, të cilët kanë vijuar shkollën në gjuhën shqipe".

Kryeparlamentari Kole Berisha, lidhur me kthimin e fondeve të grabitura nga Serbia jo fort larg pat premtuar se, "na kanë mbetur edhe pak hapa deri në pavarësinë e vendit, e pastaj do të kemi më shumë kohë që t'i qasemi këtij problemi përmbajtësisht. Kështu do të jetë me të gjitha problemet e pensionistëve dhe invalidëve të punës".

Pensionet nga 40 bë 75 euro


Përderisa, me 31 tetor, Qeveria e Kosovës mori vendim që pensionet e fuqisë së dikurshme punëtore e cila përbën një të tretën e popullsisë aktuale në Kosovë, t'i rris prej 40 deri në 75 euro. Partitë opozitare të Kosovës, ndarjen e fondit prej 16 milionë eurosh për rritjen e pensioneve për kontributdhënësit e ish sistemit pensional, i cili do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2008, e vlerësuan si pjesë te fushatës aktuale të zgjedhjeve duke marrë parasysh kërcënimet e pensionistëve se nuk do të marrin pjesë në votimet e 17 nëntorit. Njësoj mendon edhe kryetari i Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, Fatmir Fehmiu, i cili shtron pyetjen, përse ky hap ndërmerret pikërisht tani?

Përse ky hap ndërmerret pikërisht tani?

Përderisa, Ministri për Punë dhe Mirëqënje Sociale, Ibrahim Selmanaj, në një takim me drejtues të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, premtoi se Parlamenti i Kosovës shumë shpejt do të miratojë draft ligjin për sigurimin pensional e invalidor i cili, sipas tij, do të jete garancia me e mirë për pensionistët.

  • Data 06.11.2007
  • Autor Ajete Beqiraj
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C3GC
  • Data 06.11.2007
  • Autor Ajete Beqiraj
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C3GC