1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Parafushatë dhe përgatitje intensive për zgjedhjet

Organet e rendit: "Nuk do të lejojmë që të cënohen të drejtat e qytetarëve për zgjedhje të lira dhe demokratike". Partitë politike deri në orën 24:00 më 16.05 duhet të deklarojnë koalicionet e mundshme për zgjedhje.

Institucionet kosovare që do të garantojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të zhvillohen më 11 qershor, thonë se ato nuk do të lejojnë që të cënohen të drejtat e qytetarëve për zgjedhje të lira dhe demokratike. Ndërkohë partive politike u kanë mbetur vetëm edhe pak kohë deri në orën 24:00 të datës 16.05 për të deklaruar në KQZ koalicionet e tyre të mundshme parazgjedhore, me shpresën për të siguruar sa më shumë vota dhe përfaqësim në kuvendin e Kosovës.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, thotë se institucioni që ai e drejton do të jetë plotësisht i angazhuar në ruajtjen e procesit zgjedhor.

"Prokuroria e Shtetit i ka marrë të gjitha masat e duhura dhe është e gatshme që ta ketë një rol më aktiv në ndjekjen e veprave penale, që mund të cënojnë të drejtën e votimit gjatë procesit të zgjedhjeve. Prokuroria e Shtetit do të caktojë prokurorë dhe staf të mjaftueshëm për të punuar gjatë gjithë kohës së zgjedhjeve", thotë kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi. Ai bën të ditur edhe masat ndëshkuese ndaj për të gjithë atyre që do të tentojnë ta dëmtojnë procesin zgjedhor në çfarëdo mënyrë.  "Të gjithë ata, që në çfarëdo mënyre të kundërligjshme veprojnë me qëllim që të cënojnë, pengojnë apo ndikojnë te ndonjë person gjatë së drejtës për të votuar, do të sanksionohen dhe mund të ballafaqohen me burgim deri në 5 vjet", thotë kryeprokurori Lumezi.

Në zgjedhjet e 11 qershorit, në listat e kandidatëve për deputet nuk do të mund të garojnë personat që kanë një të kaluar kriminale, thotë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka. "Në listat zgjedhore nuk mund të përfshihen personat që janë shpallur fajtor me vendim përfundimtar të gjykatës këto tre vjetët e fundit. Ndërkaq, për personat që janë nën hetime u mbetet partive politike të vendosin, pasi Kosova akoma nuk ka ligj që e ndalon këtë", thotë Valdete Daka.

Subjektet politike dhe nismat qytetare tashmë janë në valën e angazhimit dhe pothuaj pa përjashtim të gjitha janë përfshirë në një parafushatë elektorale për zgjedhjet e 11 qershorit. Fushata elektorale kësaj radhe do të jetë vetëm 10 ditë duke filluar nga data 31 maj. Të drejtë vote sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ), kanë afro 1.9 milionë banorë të Kosovës. Lista përfundimtare e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre që do të kokurojnë për deputet në këto zgjdhje akoma nuk është publikuar nga KQZ, për faktin që ka edhe katër ditë kohë deri në afatin e fundit për regjistrim në KQZ.

Kosova u përfshi në zgjedhje të parakohshme pasi qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, humbi votëbesimin në parlamentin e Kosovës. Që nga paslufta dhe zgjedhjet e para të përgjithshme të vitit 2002, asnjë qeveri në Kosovë nuk ka mundur ta çojë mandatin katër vjeçar deri në fund. Analisti politik Imer Mushkolaj, i tha DW-së, se problemi kryesor përse qeveritë në Kosovë nuk po mund ta përfundojnë mandatin e rregullt ka të bëjë me liderët e partive politike. "E gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të interesave të ngushta të partive politike, kryesisht të liderëve të tyre. Po të ishte që qeveritë të funksiononin në të mirë të qytetarëve, të cilët i kanë votuar, atëherë, ato do ta çonin mandatin deri në fund. Kështu ndodhi edhe me qeverinë e fundit në Kosovë, ku për shkak të interesave individuale të liderëve politik mandati nuk u arrit deri në fund", thotë Imer Mushkolaj.

Analisti Mushkolaj, nuk pret që skena politike në Kosovë do të ndryshojë, sikundër beson që partitë politike në Kosovë akoma mbeten parti, siç thotë 'liderise': "Nuk pres që do të ketë ndonjë ndryshim në të ardhmen, për këtë nuk na kanë bindur partitë politike me qasjen e tyre karshi qytetarëve dhe tash më duket një praktikë e përsëritur që partitë bëjnë çmos që në mënyrë sa më të lehtë të mbërrijnë deri tek vota e qytetarit, ndërkohë që ata nuk ofrojnë gjëra të kapshme që mund të realizohen. Tash po shihet që akoma pa filluar fushata zgjedhore kanë filluar premtimet megalomane që është shumë vështirë të realizohen. Nga ana tjetër as nga organizimi i brendshëm të partive, akoma nuk kemi parë ndonjë ndryshim dhe fatkeqësisht partitë në Kosovë ende mbesin parti lideriste dhe janë parti që funksionojnë vetëm me liderin dhe një grup i afërt rreth tij i cili vendos se çfarë do të ndodhë", thotë Imer Mushkolaj.

Sidoqoftë, tri nga katër partitë më të mëdha politike në Kosovë tashmë kanë bërë të ditur kandidatët e tyre që synojnë postin e kryeministrit të vendit. PDK-së synon me kryetarin e saj, Kadri Veseli, LDK-ja, pas tërheqjes për postin e kryeministrit të liderit të saj Isa Mustafa, deklaroi se ministri i financave në detyre Avdullah Hoti, do të jetë i nominuari i tyre për kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje akoma zyrtarisht nuk e ka publikuar emrin, por zyrtar të saj, thonë se brenda Lëvizjes ka disponim që Albin Kurti, të jetë kandidati për kryeministër. Ndërsa, AAK-së, tashmë ka kohë që kryetarin e vet, Ramush Haradinaj, tenton ta bëjë kryeministër.