1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: optimizëm për liberalizim të vizave

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka marrë konfirmimin e përfaqësuesve të Gjermanisë dhe Francës për mbështetje. Ai beson se së shpejti mund të ketë një vlerësim pozitiv për liberalizimin e vizave.

Ministri kosovar i Integrimeve Bekim Çollaku pohon se hapi i radhës që ministrat presin është propozimi nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët. Në një takim me gazetarë pas takimit me ministrin e Francës për Evropën, Harlem Désir, dhe sekretarin gjerman të shtetit pranë Ministrisë së Jaashtme, Michael Roth, ai tha: “Me ministrat kemi diskutuar se si ne mund ta shfrytëzojmë më së miri Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për të avancuar përpara reformat evropiane dhe për ta sjellë Kosovën më afër anëtarësimit në BE. Unë kam shfrytëzuar edhe këtë mundësi për t'ua prezantuar atyre drejtpërdrejt punën që kemi bërë në përmbushjen e të gjitha kritereve të procesit të liberalizimit të vizave”. Sipas një komunikate të lëshuar nga ministri Çollaku, atij i është konfirmuar që nuk presin më raporte të tjera, por që hapi i radhës që presin është propozimi nga Komisioni Evropian për të liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës.

Franca dhe Gjermania mbështesin Kosovën

Ministri gjerman i Shtetit, Michael Roth, tha se Qeveria e Kosovës ka arritur rezultate mbreslënëse sa i përket liberalizimit të vizave dhe kështu do ta ketë mbështetjen e Gjermanisë dhe të Francës në këtë proces. Megjithatë, ai tha se integrimi në BE, është i vështirë dhe ka shumë sfida. “Integrimi në BE është një rrugë me shumë sfida dhe i vështirë. Ai përfshin luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe varet nga rritja e transparencës në administratën publike. Këto gjëra janë vendimtare, sepse janë pjesë e rëndësishme e vlerave evropiane. Ne do të qëndrojmë pranë jush për t'ju përkrahur në rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se popullata e Kosovës është duke pritur me padurim liberalizimin e vizave për të udhëtuar në Evropë. Ne e kuptojmë ndjenjën e izolimit dhe rëndësinë e udhëtimit, veçanërisht për të rinjtë. Qeveria e Kosovës, tashmë ka arritur rezultate impresionuese në përgatitjen e saj për liberalizimin e vizave. Unë mendoj që Kosova ka bërë një punë të mirë dhe të suksesshme, prandaj edhe jemi më afër se asnjëherë më parë”, tha Roth.

Ndërsa ministri i Francës për Evropën, Harlem Désir, theksoi se ësthë i gëzuar që gjendet në Kosovë dhe se Franca do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën dhe zhvillimin e saj. “Franca dhe Gjermania janë mbështetëse evropiane për Kosovën. Mund të them se Kosova ka ecur përpara, por ka ende shumë punë për t'u bërë. Reformat në Kosovë janë mjaft të rëndësishëme për të vazhduar rrugën drejt perspektivës evropiane. Jam shumë i kënaqur për hyrjen në fuqi të MSA-së dhe jemi duke pritur nga Komisioni Evropian për një propozim pozitiv rreth liberalizmit të vizave”, ka thënë Harlem.

Ministri i shtetit Roth, foli edhe për tensionet politike në Kosovë, përfshirë edhe gazin lotsjellës të përdorur nga opozita. "Dhuna nuk ka vend në një shtet demokratik. Situata është e vështirë për momentin për institucionet demokratike të Kosovës.” Ndërsa për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Roth tha se "procesi i normalizimit me Serbinë duhet të vazhdojë në mënyrë dinamike dhe të jetë i dobishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj".

Ndërsa Harlem Désir tha se: “Kosova ka bërë përparim të dukshëm dhe është me rëndësi që progresi i arritur të vlerësohet. Jam i sigurtë se e ardhmja e shteteve të Ballkanit Perëndimor është në gjirin e BE-së. Ka ende shumë punë për t'u bërë. Por jemi duke punuar me Gjermaninë për të shënuar hapa konkret, sa i përket liberalizimit të vizave. Jemi duke pritur propozimin e Komisionit Evropian”, tha Desir.