1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Opozita në Kushtetuese për Gjykatën Speciale

Opozita në Kosovë e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese lëndën, me të cilën do të provojnë ta rrëzojnë vendimin e Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Tri partitë politike opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (VV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, të cilat ishin kundër themelimit të Gjykatës Speciale, iu drejtuan të martën më (11.08.) Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar interpretim, nëse gjatë votimit në kuvend për Gjykatën Speciale ka pasur apo jo shkelje të Kushtetutës. Deputetët e këtyre subjekteve politike janë të bindur se në këtë rast është shkelur kushtetuta, sepse me 26 qershor i njëjti amendament, që mundësonte themelimin e Gjykatës Speciale nuk është votuar në parlamentin e Kosovës. Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, që së bashku me dy kolege të saj opozitarë iu drejtuan Kushtetueses, thotë se qeveria është dashur të reflektonte dhe ta merrte për bazë vendimin e 26 qershorit të parlamentit të Kosovës, që nuk u votua amendamenti në kuvend.

“Qeveria është dashur të reflektonte dhe ta merrte për bazë vendimin e 26 qershorit. Ky amendament është dashtë të dërgohet në fillim në Gjykatën Kushtetuese. Ky amendament suspendon Kushtetutën e Kosovës. Kemi kërkuar që ky amendament të shfuqizohet. Presim që Kushtetuesja të marrë një vendim të duhur”, tha Albulena Haxhiu.

Amendamenti tashmë i njohur 24 ishte hedhur në votim me datën 26 qershor, por nuk kishte siguruar dy të tretat e votave të deputetëve, sa janë të nevojshme për të bërë ndryshime kushtetuese. Pas kësaj me (03.08.) qeveria riprocedoi në Kuvend amendamentin, i cili edhe mori votat e mjaftueshme, 82 nga 120 deputetë, sa i ka kuvendi i Kosovës.

Qeveria e Kosovës ndërkaq në po të njëjtën ditë dërgoi për miratim në kuvend dy ligjet, që mundësojnë funksionimin e Gjykatës Speciale, ligje këto të cilat edhe u miratuan. Mirëpo, që të jenë të plotfuqishme këto dy ligje, ato duhen dekretuar nga presidentja e Kosovës e Kosovës, Atifete Jahjaga. Arbër Vllahiu, Kkëshilltar i presidentes, i tha DW, se “dy ligjet e miratuara në kuvend, ligji për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit dhe ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara akoma nuk kanë ardhur në zyrën e presidentes.”

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndonëse asaj akoma nuk i kanë arritur në zyrë ligjet nga kuvendi, nga dita e pranimit të ligjit nga kuvendi ka afat tetë ditë për ta nënshkruar, për të mos e nënshkruar, ose për ta kthyer mbrapsht në kuvend një ligj. Ndërsa paraprakisht kuvendi ka tetë ditë afat për ta dërguar në zyrën e presidentes një ligj, që është miratuar në kuvend.

Sidoqoftë tash për tash akoma është e paqartë, nëse Gjykata Kushtetuese do ta shpallë të pranueshme apo jo për shqyrtim lëndën e dërguar nga partitë opozitare lidhur me votimin në kuvend të datës (03.08.) për Gjykatën Speciale. Votimi i ndryshimeve kushtetuese në kuvend, që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale u përshëndet nga pothuaj të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendorë.

Gjykata Speciale për krime lufte do të gjykojë pretendimet e supozuara në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit. Gjykata Speciale në përbërjen e saj do të ketë tërësisht gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtare, ndërsa selia e saj me gjasë do të jetë në Holandë, ndonëse akoma nuk ka konfirmim zyrtar.