1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Oliver Ivanoviç dënohet për krime lufte

Një trup gjykues i kryesuar nga gjykatës të misonit EULEX dënoi politikanin lokal serb të Kosovës Oliver Ivanoviç me nëntë vjet heqje lirie. Ai u gjet fajtor për vrasjen e civilëve në vitin 1999.

Gjykata Themelore e qytetit të Mitrovicës shpalli fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet heqje lirie njërin nga përfaqsuesit e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Ivanoviçi u gjet fajtor për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë gjatë periudhës 1999-2000. Vendimi final i aktgjykimit u shpall nga Këshilli Gjyqësor i misionit të BE-së për Polici dhe Drejtësi EULEX, i kryesuar nga gjyqtarja Roxana Comsa.

Gjykata ndërkaq i shpalli të pafajshëm katër persona të tjerë, që përfshiheshin në aktakuzën kundër politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç. Zoti Ivanoviç, ishte në paraburgim që nga janari i vitit 2014 kur qe arrestuar nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve shqiptarë të kryera në prill të vitit 1999 dhe nxitje të të tjerëve për kryerjen e veprave penale, vrasje apo lëndime të rënda trupore. Këto vepra penale janë kryer në shkurt të vitit 2000 në Veriun e Mitrovicës. Në këtë kohë gjatë trazirave e humbën jetën 10 civilë shqiptarë.

Familjarët e viktimave u shprehen të zhgënjyer me dënimin, siç thanë “të vogël që iu shqiptua Oliver Ivanoviçit”. Ata thonë se Ivanoviçi ka marrë pjesë në vrasjen dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga Veriu i Kosovës.

Qeveria serbe kritikon vendimin

Autoritetet në Serbi reaguan ashpër ndaj këtij vendimi të cilin e quajtën “të padrejtë dhe të njëanshëm”. Radio Televizioni i Serbisë citon zëvendëskryeministrin në qeverinë e Serbisë Rasim Ljajiç, i cili thotë se “vendimi mund të ketë një ndikim në atmosferën e përgjithshme në Kosovë duke shtuar se gjykimi ka të bëjë më shumë me politikë se sa drejtësi”.

“Të akuzosh Oliver Ivanoviçin për këto krime është e pakonceptueshme me atë që ai ka bërë, nga njëra anë në demokratizimin e gjithë shoqërisë, dhe nga ana tjetër që ka punuar për të zgjidhur problemet e Kosovës, dhe se ai kurrë nuk ka qenë në kundërshtim me parimet demokratike të zgjidhjes së çështjes me udhëheqësit e shqiptarëve në Kosovë", citon RTS, zëvëndëskryeministrin serb Rasim Lajiç.

Edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka thënë se “aktgjykimi kundër Oliver Ivanoviçit nuk ka lidhje as me të drejtën dhe as me drejtësinë”. Sipas tij, Beogradi zyrtar duhet ta rishqyrtojë pjesëmarrjen e vet në bisedime me Prishtinën.

Politikani lokal serb Oliver Ivanoviç u përfshi në politikë menjëherë pas përfundimit të luftës, edhe si pjesë e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës që administroheshin nga UNMIK-u. Ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, që u mbajtën në nëntor të vitit 2013, Oliver Ivanoviç ishte kandidat për postin e kryetarit të Komunës së Veriut të Mitrovicës.