Kosovë: Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në dorë të qeverisë | Ballkani | DW | 22.01.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në dorë të qeverisë

Kryesia e kuvendit të Kosovës ia lë në duar qeverisë nismën për shfuqizimin e gjykatës speciale. Qeveria akoma nuk ka përgjigje sesi do të veprojë.

Kryesia e kuvendit të Kosovës hoqi nga përgjegjësia e vet nismën e 43 deputetëve të kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e ligjit për gjykatën speciale. Në një mbledhje të kryesisë që u mbajt të hënën (22.01) u vendos që kjo çështje të kthehet në qeverinë e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se "topi tash është në dorën e qeverisë së Kosovës". Sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, "një vendim i tillë është marrë në bazë të Rregullores së Kuvendit".

"Kemi vepruar në bazë të Rregullores së kuvendit. Iniciativa e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale tash i është dërguar për mendim Qeverisë së Kosovës”, tha Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë.

Mbledhja e kryesisë së kuvendit të Kosovës edhe kësaj radhe u bojkotua nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila vazhdon të mbajë qëndrimin kundër shfuqizimit të ligjit për gjykatën Speciale.

"Në pikën e tretë ku diskutua për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ne e lëshuam mbledhjen, sepse kjo çështje është e dëmshme dhe rrezikon marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët. LDK-ja, siç e dini vazhdon të mbajë qëndrim kundër nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale”, tha Avdullah Hoti.

Tash për tash akoma nuk dihet sesi do të veprojë qeveria lidhur me nismën për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, për faktin që një praktikë e tillë nuk është provuar ndonjëherë.

Autoritetet ndërkombëtare që nga nisma për shfuqizimin e gjykatës speciale më 22 dhjetor të vitit të shkuar, vazhdojnë të jenë shumë kritik kundër kësaj nisme. Më i zëshmi është ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, i cili të mërkurën e javës së shkuar në një fjalim drejtuar qytetarëve të Kosovës dhe skenës politike, ishte tejet specifik kundër atyre që provojnë ta shfuqizojnë ligjin për gjykatën speciale.

"Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat personale mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Dhe më lejoni të jem i qartë, deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë, përkundër mohimit të tyre, do të jenë subjekt i pasojave specifike dhe të ashpra, nëse nisma do të ketë sukses. Ata e dinë këtë, ua kemi thënë", tha në mes tjerash në një fjalim të gjatë ambasadori amerikan Greg Delawie.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës senatorit zviceran Dick Marty. Një raport i tij u paraqit në Këshillin e Evropës që përmbante akuza ndaj ish- pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq deri në trafikim organesh. Të gjitha këto pretendime janë hedhur poshtë nga ish-udhëheqësit e UCK-së. Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, ndërkaq, pas një trysnie ndërkombëtare, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën Speciale, e cila ka selinë e saj në Hagë dhe që do të veprojë vetëm me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Tashmë çdo procedurë ligjore dhe administrative ka përfunduar dhe Gjykata Speciale ligjërisht është e gatshme të nisë punën.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, të kryera ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë gjatë periudhës 1998-2000. Nga hetimet e para të hetuesit të parë amerikan Clint Williamson, bëhej e ditur nga vet Williamson, se  "kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte në Kosovë".