1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Ndërkombëtarëve u vështirësohet komunikimi me veriun

Përfaqësuesit e serbëve thonë se prania ndërkombëtare po tenton që në veri të fuqizojë institucionet e Kosovës. Ndërkombëtaret thonë se do të vazhdojnë integrimin e serbëve në shoqërinë dhe institucionet kosovare.

Qyteti i Mitrovicës

Qyteti i Mitrovicës

Përfaqësuesit e stukturave paralele serbe në veri ka disa javë që kanë ndërprerë, siç thonë ata, komunikimin me misionin EULEX, ndërsa së fundi ata kanë penguar edhe realizimin e disa projekteve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim, USAID. Vështirësi në realizimin e projekteve ka edhe Zyra Civile Ndërkombëtare, ICO, e udhëhequr nga Peter Faith.

Drejtuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith

Drejtuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith

Përfaqësuesit e serbëve thonë se prania ndërkombëtare vazhdimisht po tenton që në veri të fuqizojë institucionet e Kosovës dhe ky është shkaku që për serbët e kësaj pjesë ato nuk janë të pranueshme. Kështu thotë Dragisha Milloviq, udhëheqës i serbëve në komunën më veriore të Kosovës në Zveçan. “Vazhdimisht po tentohet që të depërtohet përmes një porte të vogël. Po tentohet që përmes institucioneve të Prishtinës, të cilat ne nuk i njohim, të zbatohen projekte të ndryshme dhe në këtë mënyrë të gjenden serbë të përshtatshëm, të cilët do t'i pranonin këto projekte”, thotë Dragisha Milloviq.

Zyra Civile Ndërkombëtare nuk do t'i ndalë projektet

Pjesë nga veriu i Mitrovicës

Pjesë nga veriu i Mitrovicës

Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila mbikqyr zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, pranon se ka vështirësi në komunikim me serbët e veriut, mirëpo sipas zëdhënësit të kësaj zyre, Andy McGaffy, projektet ndërkombëtare nuk do të ndalen. “ICO po vazhdon të punojë çdo ditë në bashkëpunim me qeverinë dhe me komunitetin lokal për shërbime më të mira për të gjithë qytetarët dhe kjo përfshin projekte për veriun e Kosovës dhe që lidhën me planin e Marti Ahtisarit. Posaçërisht në veri të Mitrovicës ne po punojmë ngushtë me qeverinë për vazhdimin e decentralizimit, kemi formuar ekipin për krijimin e komunës veriore, ekip ky që është në përfundim të përgatitjeve teknike për krijimin e komunës së re të veriut të Mitrovicës”, thotë Andy McGaffy, për programin tonë. Megjithatë ai nuk është në gjendje të thotë se kur veriu i Mitrovicës mund ta ketë komunën e vet më shumicë serbe.

Ndërkohë Agjencia Amerikane për Zhvillim, USAID, thotë se qëllimi i projekteve të saj në veri të Kosovës është përmirësimi i jetesës së qytetarëve. Në një komunikatë për media, pasi serbët e veriut penguan disa projekte e kësaj agjencie, zyrtarë të saj thonë se kjo agjenci ka një varg projektesh për zhvillimin e infrastrukturës, ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe shkollave krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e kushteve për bizneset në këtë rajon të Kosovës.

Edhe misioni evropian EULEX ka vështirësi në veri të Kosovës

Xavier Bout de Marnhack udhëheqësi i misionit EULEX

Xavier Bout de Marnhack, udhëheqësi i misionit EULEX

Ka tri vjet që ky mision po bën përpjekje që të funksionalizojë gjykatat në veri të Mitrovicës, mirëpo kjo është e pamundur për shkak të refuzimit të kundërshtimit të serbëve të asaj pjese. Shpresen e vetme misioni EULEX, sipas udhëheqësit të tij Xavier Bout de Marnak, e ka te arritja e ndonjë marreveshjeje politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. “Problemi është se duhet të arrihet një marrëveshje në mënyrë që gjyqtarët lokalë, ata serbë dhe shqiptarë, të kthehen në gjykata në veri dhe për momentin nuk kemi një marrëveshje. Pra definitivisht duhet të kemi një lloj marrëveshjeje politike dhe kjo çështje tashmë është paralajmëruar se do të përfshihet në kornizat e dialogut Kosovë-Serbi”, thotë Xavier Bout de Marnak.

Sipas tij, sapo kjo marrëveshje të arrihet, atëherë do të jetë shumë e lehtë që punonjësit vendas të gjykatave në veri të Mitrovicës të kthehen në vendet e tyre të punës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica