1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Narkomania në rritje, të dhëna nuk ka

Narkomania në Kosovë është në rritje. Mirëpo, asnjë institucion nuk ka të dhëna të sakta për përdoruesit e drogës e as për sasinë e konsumimit të drogës në Kosovë. Përdorues të drogave janë të të gjitha grupmoshave.

Narkomania në Kosovë është në rritje.

Narkomania në Kosovë është në rritje.

„Heroinën e kam përdor dhjetë vjet. Kam fillu me cigare, prej cigares në hundë, në folje e kështu me radhë deri n´spritz. Kam qënë n´Zvicër dhe jam kthy kur krisi lufta n´Kosovë. Pas luftës një shok imi e mbështolli një cigare dhe ma ofroi pak. Të nesërmen poashtu…E kshtu kaluan dhjetë vjet! Një dozë më mbante një ditë. 20 euro në ditë më kanë shkuar të pastra e shpeshherë, ka ndodh deri në 30-të“.

Kjo është historia e kosovarit 34 vjeçar të varur nga substancat narkotike; histori dhjetëvjeçare e hapërimit të përditshëm drejt greminës, në të cilën tërhoqi pas vetes bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij. „Kjo për familjen ish një katastrofë! S´kish gja ma vështirë…Armikut ma t´madh mos ia pafsha! Sa herë të dëgjoj se e merr dikush do t´i tregoj ku çon droga. Mua ma ka shkatërru jetën, ma ka humb pasurinë, ma ka shkatërru familjen, ma ka humb shëndetin…I kam pas 102 kg, tash kam rënë në 50-60-të!“-ofshan ai.

Dr. Shaban Macinaj

Dr. Shaban Macinaj

Vaxhide Berisha Sopjani, sociologe.

Vaxhide Berisha Sopjani, sociologe.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë kundër drogave në Kosovë, ku ndër pesë ministritë përgjegjëse për implementimin e saj, Ministria e Shëndetësisë ofron programe parandaluese, trajtim dhe rehabilitimin e individëve që kanë përdorur drogë. Ndërkohë, në Kliniken Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, funksionon Reparti për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë.

Shefi i këtij reparti, dr.Shaban Mecinaj, psikiater, inkurajon përdoruesit e substancave narkotike që të drejtohen në këtë qendër detoksikuese, e cila megjithëse me kapacitete të vogla mbetet e hapur për të gjithë ata që duan t´i rikthehen jetës normale. “Në klinikë fillimisht bëjmë një intervistë motivacioni. Dhe, në momentin që pacienti pranon të trajtohet, atëherë ne bëjmë pranimin dhe trajtimin e tyre në një kohëzgjatje prej 10-të deri në 15-të ditë. Kjo quhet periudha e detoksikimit apo e pastrimit nga substancat narkotike. Mirëpo, krahas programeve detoksikuese, neve na mungojnë programet mbajtëse. Dhe fatkeqësisht, deri me tani s´ka ndonjë fond të veçantë për këtë fenomen, përveç një iniciative nga Fondi Global, i cili së shpejti pritet të themelojë tri qendra, në Prizren, Gjilan dhe në Prishtinë,“- shpjegon Dr.Mecinaj. Nëpër duart e tij kanë kaluar pacientë prej moshës 14-të deri në 16-të vjeç të cilet kanë përdorur marihuanë, si dhe përdorues të heroinës, metadonit, heptanonit e llojeve të ndryshme të opiodieve, mbi 19-të vjeç.

Në Repartin për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë në kuadër të Klinikës së Psikiatrisë është shtrirë edhe përdoruesi dhjetëvjeçar i heroinës, i cili përshkruan për DW-në gjëndjen e tij: “Kur e marr drogën jam në qejf, psiqikisht, fizkisht e shpirtërisht. Kur nuk e marr, kam dhembje barku, gjoksi…S´mund rri n´ këmbë! N´spital jam për herë të parë dhe jam, jo pak por shumë mirë. E me emër të Zotit kam shpresë se do të shërohem!“

Heroin: Schmuggelware durch die Länder der ehemaligen Sowjetunion

Narkomania në Kosovë është gjithnjë e në rritje. Mirëpo, asnjë institucion ndërkohë nuk ka të dhëna të sakta për përdoruesit e drogës, shpërndarësit apo për sasinë e konsumuar në Kosovë. Megjithëse Policia e Kosoves ka të dhëna të shumta për sasitë që hyjnë në Kosovë, qoftë për brenda saj apo tranzit si dhe për të arrestuarit për posedim, trafikim, përdorim, kultivim etj.. Skandali i vjedhjes se 47 kg drogë brenda objektit të Policisë së Kosovës vitin e kaluar, edhe më tej mbetet mister me zbardhjen e të cilit, po merret prokuroria e EULEKS-it-thonë nga Policia e Kosovës.

Ndërkohë, sipas një studimi të kryer nga OBSH, UNICEF-i dhe UNFPA rreth 3.8 per qind të të rinjve kosovarë, 5.5 për qind meshkuj dhe 2.2 për qind femra, kanë pranuar se kanë provuar marihuanën, hashashin apo ndonjë lloj bari të familjes së drogave, që të të gjithë prej 20 deri në 24 vjeç. Sipas studimit, 2 për qind e të rinjve kanë përdorur ekstasy dhe kokainë, kurse 2.6 për qind kanë pranuar se kanë përdorur medikamente pa recetë, si trodon, bensedin, fotral, valeron, methadon.

Prishtina

Prishtina

Dhe, kjo nis që në bankat e shkollës fillore, thotë Vaxhide Berisha Sopjani, sociologe, e cila ka përvojë të drejtpërdrejt në trajtimin e kësaj kategorie sociale: “Është mosha e re së pari ajo që i bën të rinjtë kureshtarë për të provuar dhe pastaj kanë krijuar varësi nga drogat. Faktor tjetër është se trafikantët e drogës kujdestarojnë gjithmonë dhe gjejnë forma për t´ua ofruar të rinjve „sa për ta provuar“. Kështu, radha e përdoruesve rritet vetëm nga kureshtja. Mirëpo, në bazë të përvojës sime, në numrin më të madh të rasteve kanë ndikuar çrregullimet në familje“.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, merr pjesë në parandalimin e shpërndarjes së drogave nëpërmjet programeve të rregullta, në të cilat mund të kycen prindërit dhe komuniteti në përgjithesi. Me Ligjin (e rishikuar) për Arsimin Parauniversitar, prindërve ju jepet një rol i rëndësishem duke u kyçur kështu drejtpërsëdrejti në organet vendimmarrëse.

Besa Bytyqi, zëdhënëse e kësaj ministrie vjen me iniciativën më të fundit për parandalimin e shpërndarjes së këtij fenomeni nëpër shkolla: “Në kornizën e re të kurrikulit të Kosovës, një lëndë mësimore do të jetë Shëndeti dhe Mirëqënia. Pra, edhe pse është bërë shumë në këtë drejtim, ne jemi duke marrë hapa institucionalë për luftimin e kësaj dukurie si dhe të dukurive të tjera negative dhe sjelljeve deviante nëpër shkolla."

„Droga ta shkatërron jetën!“-është refreni që përsëritet nga narkomanët. Një klithmë e brendshme që askush të mos shkojë rrugës që përshkuan ata. Sepse: „Droga ta shkatërron jetën! Mua ma ka shkatërruar tashmë...“.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 21.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LcNx
  • Data 21.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LcNx