1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë Mal i Zi: Dy shtetet nuk kanë konteste kufitare

Në Podgoricë u takuan Ministrat e brendshëm të Malit të Zi dhe Kosovës, Bajram Rexhepi dhe Ivan Brajevic. Ata ranë dakord që kufiri administrativ të bëhet shtetëror dhe që procesi i demarkacionit të përfundojë këtë vit.

Podgorica

Podgorica

Ministrat e Brendshëm të Kosovës dhe Malit të Zi, Bajram Rexhepi dhe Ivan Brajoviq, kanë rënë dakord në Podgoricë se dy shtetet nuk kanë konteste kufitare, dhe se kufijtë administrativë do të bëhen shtetërorë gjatë procesit të demarkacionit të kufirit. "Nuk kemi pretendime në asnjë metër katror të territorit nga cilado anë, dhe u dakorduam që kufiri administrativ të bëhet kufi shtetëror," tha Rexhepi, duke shfaqur shpresën se procesi i demarkacionit të vijës kufitare do të përfundojë kah fundi i vitit apo fillimi i vitit 2011.

Mali i Zi shikon interesat e veta

Duke komentuar qëndrimin e Beogradit se nuk ekziston kufi ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, Brajoviq tha se Mali i Zi do t'i "përkufizojë kufijtë me fqinjët në pajtim të interesave të veta".

Brajevic: "As nga pala kosovare e as nga ajo e jona nuk ka dilemë se kufiri administrativ që ka qenë në ish Jugosllavinë të bëhet kufi shtetëror."

Konstatimet e Ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremic, se Mali i Zi kufizohet me Serbinë e jo me Kosovën të dy ministrat i komentuan si një çështje që i përket të kaluarës. Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, tha: "Ka thënë mirë kryeministri i Malit të Zi Gjukanovic. Kemi pranuar një realitet i cili nuk ka kthim mbrapa, e do të ishte mirë që këtë realitet ta pranonte edhe Serbia."

Pakica malazeze së shpejti pakicë kombëtare

Në takim është diskutuar edhe për statusin e pakicës malazeze në Kosovë. Ministri Brajevic ka thënë se kjo temë nuk paraqet asnjë problem dhe se malazezët së shpejti mund të gjenden në ligjin e bashkësive nacionale të Kosovës.

Dy Ministrat ranë dakord për mënyrën e zgjidhjes së problemeve që kanë banorët e fshatrave kufitare të Kosovës, të cilët kanë kullotat e tyre në Mal të Zi e që deri tani nuk kanë mundur t`i shfrytëzojnë.

Autor: Vera Katana

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 22.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NziH
  • Data 22.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NziH