1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Kuvendi përjashton përkohësisht opozitën nga seanca

Opozita në Kosovë sërish hodhi gaz lotsjellës në kuvend duke pamundësuar përkohësisht seancën. Kryesia e kuvendit vendosi për përjashtimin individual ditor të deputetëve të opozitës. Dy deputetë të opozitës u arrestuan.

Kryesia e kuvendit të Kosovës vendosi që t'u pamundësojë për të hënën (30.11) deputetëve të opozitës që të hyjnë në sallën e kuvendit, pasi ata nuk po lejojnë të mbahen seancat e rregullta të parlamentit. "Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e së hënës, mori vendim për përjashtimin individual ditor të deputetëve të opozitës që kanë rënë ndesh me Rregulloren e Kuvendit, me përjashtim të deputetëve Shukrije Bytyqi dhe Ilir Deda", thuhet në njoftimin e kryesisë së Kuvendit.

Vendimi i kryesisë për t'u pamundësuar deputetëve të opozitës që të hyjnë në sallën e kuvendit, erdhi pasi deputetët e partive opozitare në tentimin e parë të kryetarit të kuvendit për të mbajtur seancë, hodhën gaz lotsjellës, duke pamundësuar kështu zhvillimin e seancës. Ata vazhdojnë të kërkojnë nga qeveria tërheqjen e nënshkrimeve nga dy marrëveshjet, ajo për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Para se të fillojë seanca, policia arrestoi një deputet tjetër të lëvizjes Vetëvendose, Fisnik Ismajli, ndërsa, pak më vonë arrestoi edhe deputetin e Nismës për Kosovën Haxhi Shala. Sipas një njoftimi zyrtar të policisë së Kosovës, deputetit Ismajli, ju gjetën dy bombola gazi, që dyshohet të jenë gaz lotsjellës.

"Zyrtarët policor bazuar në procedurat ligjore deputetin Fisnik Ismajli e kanë ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore, të cilat do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent, ndërsa mjetet e dyshuara janë konfiskuar në cilësi të provave materiale", thuhet në njoftimin e policisë. Deputeti tjetër i "Nismës", për Kosovën Haxhi Shala, u arrestua pasi ai hodhi gaz lotsjellës në sallën e kuvendit. Deri tash policia ka arrestuar katër deputet të opozitës, ndërsa, edhe dy të tjerë janë në kërkim nga policia pas një urdhërarresti të lëshuar nga prokuroria. Që të gjithë akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, deputetët e koalicionit qeverisës pas një mbledhjeje të kryesisë u kthyen në sallën kryesore të kuvendit për të vazhduar seancën me pikat e rendit të ditës. Forca të shumta të policisë pamundësuan deputetët e opozitës të cilët tentonin sërish të pengojnë mbajtjen e seancës. Opozita kosovare paralajmëroi protesta në rrugë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i bëri thirrje opozitës që të ulet në kuvend për dialog në mënyrë që të kthehet normaliteti edhe për faktin që Kosovën me (02.12) pritet ta vizitojë sekretari amerikan i shtetit John Kerry. Por, opozita vazhdon të këmbëngul se nuk lejon mbajtjen e seancave pas anulimin e dy marrëveshjeve, asociacionin dhe demarkacionin.

Një ditë pas manifestimit të opozitës ditën e shtunë (28.11)dhe menjëherë pas, arrestimit të deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe 90 aktivistëve brenda selisë së kësaj partie, ambasadat në Prishtinë të vendeve më të industrializuara, nëpërmjet një njoftimi për media thanë se ato kanë përcjell nga afër ngjarjet e ditëve të fundit, në Kosovë, ndërsa, janë të kënaqur me qetësinë që u manifestua në protestat e opozitës ditën e shtunë. QUINT thotë, se "beson në fuqinë e dialogut si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike dhe inkurajojmë të gjitha palët t'i shfrytëzojnë mundësitë e ndryshme për dialog, duke përfshirë këtu edhe brenda Kuvendit të Kosovës".

"Jemi të përkushtuar në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ne besojmë që asnjëri nuk është mbi ligjin. Ne presim dhe kërkojmë që të gjitha procedurat të përcillen me përpikëri duke i shërbyer transparencës, e sidomos në rastet e ndjeshme politike dhe ne do të vazhdojmë të përcjellim nga afër rastet ku përfshihen anëtarët e kuvendit. Ashtu siç është rasti në shtetet tona, presim që në demokracinë e barabartë për të gjithë edhe përfaqësuesit politik t'i nënshtrohen ligjit pa marrë parasysh cilës parti ata i përkasin", thuhet në reagimin e vendeve të QUINT-it.

Megjithë këto thirrje të vazhdueshme për dialog brenda kuvendit të Kosovës, partitë opozitare nuk po tërhiqen nga qëndrimi i tyre, tërheqja e nënshkrimeve nga dy marrëveshje, ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi.