1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: kriza politike, imazhi jo i mirë pengojnë investimet

Kryetari i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi për DW mbi investimet gjermane në Kosovë, vështirësitë e biznesit, imazhin jo të mirë të Kosovës dhe bashkëpunimin e bizneseve kosovare me ato gjermane.

DW: Z. Krasniqi, cili është aktiviteti primar i Odës Ekonomike Gjerman-Kosovare?

Samir Krasniqi: Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare është themeluar në prill të vitit 2012. Qëllimi fillestar ishte që bizneset gjermane që kanë investuar dhe veprojnë në Kosovë të bashkohen në një vend dhe bashkërisht të lobojnë për interesat e tyre. Qëllimi tjetër është që këto biznese gjermane, që janë në Kosovë për shkak të lidhjes së tyre me shtetin gjerman, të ndihmojnë një ditë që Oda Ekonomike Gjermano Kosovare të bëhet pjesë e dhomës së jashtme të Tregtisë së Gjermanisë. Iniciativa është ndërmarrë nga disa biznese, por është përkrahur shumë nga ambasada gjermane në Kosovë, që është edhe bashkëthemeluese e Odës Gjermane. Tashmë Oda Gjermane numëron 130 anëtar aktivë, që janë kryesisht biznese gjermane që veprojnë në Kosovë, ose biznese gjermane me bashkë-partner kosovar, por edhe biznese kosovare, por që tregtojnë me produkte gjermane, ose kanë një lidhje me biznese gjermane në Gjermani.

Nga analizat për investime të huaja që keni bërë, cilat janë potencialet e Kosovës për thithjen e investimeve të huaja?

Kosova është një treg i vogël. Për investitorët e huaj Kosova nuk shihet si një shtet apo një treg i vetëm, por treg i përbashkët shihet rajoni dhe pikërisht për këtë arsye është vështirë për Kosovën që të konkurrojë me tregjet e rajonit, të cilat janë shumë agresive për të thithur investime të huaja. Kosova ka përparësitë e veta, por jo aq të mëdha sa institucionet tona pretendojnë që i kemi. Kosova është në një pozitë të mirë gjeografike dhe ka resurse të bollshme, ka një rini të edukuar mirë dhe që njeh gjuhë të huaja mirë. Këto janë disa nga përparësitë, mirëpo thelbësorja është se sa shteti u ofron investitorëve të huaj siguri, sa është situata politike stabile në Kosovë, sepse investitorët e huaj shkojnë e investojnë aty ku ka stabilitet politik dhe jo në atë vend ku ka trazira sic po ndodhë kohët e fundit në Kosovë.

Do të thotë kjo situatë në Kosovë nuk u përshtatet bizneseve gjermane?

Jo, nuk u përshtatet. Që nga mesi i vitit 2014 kur Kosova kishte një vakum institucional që ekonomia e Kosovës pati vështirësitë e veta dhe bërja e biznesit u vështirësua tej mase, kishim shpresë që me zgjedhjen e qeverisë së re do të tejkalohen këto vështirësi, por sot kemi një situatë edhe më të rënduar politike, tensionet ndërmjet partive politike janë aq të mëdha, pa dashur ta përcaktojë fajtorin, fotografitë që përçohen në botë, përkatësisht të vendet gjermanfolëse, japin një imazh shumë të keq për Kosovën dhe natyrisht që vështirëson thithjen e investimeve të huaja.

Keni ndonjë statistikë se sa ka investime gjermane në Kosovë?

Gjermania padyshim është investitori më i madh që nga paslufta e këndej në Kosovë, pra dukshëm më i madhi për nga investimet e qeverisë gjermane. Për sa i përket investimeve nga sektori privat, akoma nuk kemi statistikë të saktë, mirëpo, konsiderojmë që janë shumë të vogla nëse krahasojmë me shtetet e rajonit dhe mundësitë që janë. Sektori privat nga Gjermania në Kosovë është i pranishëm më së shumti përmes diasporës kosovare dhe përmes tyre bëhet biznesi në Kosovë. Nuk jemi aspak të kënaqur me numrin e investimeve nga Gjermania në Kosovë.

Pikërisht kur jemi te diaspora kosovare në Gjermani, si është bashkëpunimi me bashkatdhetarët dhe mundësitë për të investuar në Kosovë, kur dihet se Kosova ka një numër të madh të bashkatdhetarëve sidomos në Gjermani?

Lidhjet e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare me diasporën kosovare në Gjermani janë shumë të ngushta. Nga fluksi i madh i kosovarëve në Gjermani gjatë viteve 90-të për një kohë të gjatë ata shiheshin si refugjatë, mirëpo, tashmë ata janë të integruar mirë dhe bota shqiptare në Gjermani tashmë shihet me një sy tjetër. Shumë nga ata janë shkolluar në Gjermani dhe kanë nisur bizneset e tyre. Sot po të shkosh në Gjermani, gjithandej do të takosh biznesmen kosovar, biznesmen gjermanë, por që vijnë nga Kosova dhe kështu ata kanë të formuar unionin e bizneseve shqiptare në Gjermani, janë të konsoliduar, kanë një organizatë të tyre, dhe ne kemi një memorandum bashkëpunimi dhe bashkëpunojmë shumë afër me ta. Unë mendoj që patjetër që duhet ta shfrytëzojmë këtë kapacitet që kemi, i cili për mendimin tim nuk shfrytëzohet mjaft. Unë them gjithmonë që një investitori gjerman, nuk do t'i shkojë asnjëherë mendja që të vijë e të investojë në Kosovë, sepse Kosova ka ende një imazh jo të mirë në Gjermani, por, ata do të vijnë të investojnë në Kosovë më së lehti përmes partnerëve të tyre, pra kosovarëve që jetojnë në Gjermani, që i kanë partner në biznes, kanë besimin ndërmjet vete dhe ata pastaj mund t'i sjellin këto investime në Kosovë, pra këtu ne duhet të fokusohemi dhe ta shfrytëzojmë diasporën tonë që përmes tyre të arrijmë dhe të sjellim investime të huaja në Kosovë.

Ka një perceptim në Kosovë, të paktën perceptim i proklamuar nga institucionet kosovare që në Kosovë mund të investojnë gjigantët e mëdhenj ekonomik gjerman. Sa është real ky percepctim?

Nuk janë shumë reale, sepse siç e thashë edhe më parë Kosova është një treg shumë i vogël dhe përparësitë që i ka Kosova nuk dallojnë shumë me vendet e rajonit, përkundrazi, ndoshta edhe nuk janë më të favorshme. Tashmë qeveria e Kosovës është duke e përgatitur ligjin për investime strategjike dhe ndoshta do të jetë më lehtë që të kontaktohen këto kompani gjigante dhe t'u thuhet se çka ofron Kosova dhe më pastaj të shohim se a jemi konkurrues me vendet e rajonit, mirëpo, pritjet nuk duhet t'i kemi shumë të mëdha.

Më intereson të di një çështje, çfarë është kultura e bashkëpunimit të bizneseve kosovare me ato gjermane, kur dihet se bizneset gjermane janë shumë serioze në punën e tyre?

Bizneset kosovare dallojnë shumë ndërmjet vete. Ka biznese të shëndosha dhe ato jo të shëndosha. Kur flas për biznese të shëndosha mendoj bizneset që paguajnë rregullisht tatimet e tyre, dhe i respektojnë të gjitha rregulluat dhe ligjet e vendit ku operojnë, ndërsa ato jo të shëndosha kuptohet është e kundërta e tyre. Te bizneset e shëndosha kosovare nuk dallon shumë kulturën e punës me bizneset që operojnë në Gjermani, përderisa tek bizneset e tjera dallon shumë dhe e vështirësojnë punën e bizneseve të shëndosha dhe bizneseve gjermane që janë në Kosovë.

Qeveria gjermane është donatori i dytë më i madh në Kosovë. Më intereson të di cila është lidhshmëria e këtyre investimeve nga qeveria gjermane me klimën e biznesit, pra të të bërit biznes në Kosovë?

Qeveria gjermane ka investuar në Kosovë kryesisht në pjesën e ujërave, kanalizimeve dhe energjetikën dhe të gjitha këto investime pastaj janë të ndërlidhura me sektorin privat. Pra bizneset private janë të involvuara në këto investime dhe unë mendoj që investime të tilla të qeverisë gjermane, ndikojnë direkt në sektorin privat që krijojnë infrastrukturën e mirë për të bërë biznes në Kosovë.

Z. Krasniqi, cilat janë përfitimet e Kosovës nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe sa e pengon zbatimin si duhet të kësaj marrëveshjeje mungesa e lirisë së lëvizjes për bizneset? Kosova siç dihet ka akoma regjim vizash për në zonën Shengen?

Marrëveshja e MSA-së si e tillë është për t'u përshëndetur dhe është shumë pozitive, sepse është marrëveshje kontraktuale me BE-në. Mirëpo, nuk duhet të jemi shumë optimist që me këtë nënshkrim do të hapen të gjitha dyert dhe produktet kosovare do të vërshojnë Evropën, kjo nuk qëndron, sepse është një proces më i gjatë, sepse fillimisht aq sa ka përparësi, nëse ne nuk jemi syçelur mund të sjellë edhe efekte negative, flas këtu për produktet kosovare, të cilat mundohemi t'i eksportojmë jashtë vendit. Megjithatë, në marrëveshje është specifikuar mirë, pasi brenda 10 viteve disa produkte do të mbrohen dhe kjo besoj që u jep mundësi bizneseve kosovare që të konsolidohen dhe të përgatiten për tregun evropian. Ndërsa, sa i përket lëvizjes së lirë të bizneseve, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare para pak ditësh pati një reagim ku shprehëm pakënaqësinë tonë me kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Pra kontradikta është që t'i mund t'i eksportosh produktet në Evropë, por vet pronari nuk mund të lëvizë lirshëm, kjo është e pakuptimtë. Nuk dua ta adresoj fajin se ku është, por themi se krahas kësaj duhet të punohet edhe në liberalizimin e vizave dhe presim që shumë shpejtë të plotësohet edhe ky kriter nga shteti ynë dhe BE-ja të bëjë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës prej nga më së shumti në këtë rast do të përfitonte biznesi kosovar.