1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve

Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, asnjë subjekt politik nuk mund ta formojë i vetëm qeverinë. Nevojiten koalicione, ku duhet të përfshihen edhe pakicat.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën më 11 qershor. Koalicioni PAN, që përbëhet nga Partia Demokratike të Kosovës, (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, ka fituar 34 % të votave dhe ka siguruar 39 vende në parlament. Lëvizja Vetëvendosje, e cila garoi e vetme në zgjedhje, ka fituar 27 %, duke siguruar kështu 32 mandate. Ndërsa, koalicioni LAA që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Kosovës e Re (AKR ) dhe Alternativa, ka fituar 25.7 % të votave, duke siguruar 29 vende në parlament. 20 vende janë të garantuara për pakicat, ku 10 mandate janë fituar nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, që morë mbi 5% të votave. Pjesëmarrja në votime ishte 41.30%. Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë dhe mandati i një deputeti zgjat katër vjet.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se në vonesën e shpalljes së rezultateve përfundimtare ka ndikuar procesi i rinumërimit të rreth 500 vendvotimeve, ku ka pasur mospërputhje të votave në kuti me regjistrat e komisionerëve.

Në zgjedhje morën pjesë 700 mijë votues, nga mbi 1.8 milionë banorë, sa ka Kosova. 52 mijë fletëvotime u shpallën të pavlefshme, njoftoi KQZ.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, konstituimi i legjislaturës së re duhet të bëhet brenda 30 ditëve, por bazuar nga deklarimet e udhëheqësve politik, kjo mund të ndodhë qysh javën e ardhshme.

Koalicioni fitues i zgjedhjeve PAN e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeministër, i cili brenda 15 ditëve duhet të paraqesë para parlamentit kabinetin qeveritar, që për t'u aprovuar duhet të marë më së paku 61 vota të deputetëve. Nëse kjo nuk arrihet, Presidenti i Republikës së Kosovës brenda dhjetë ditësh, emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Dhe nëse as herën e dytë mandatari për krijimin e qeverisë nuk e arrin numrin prej 61 votash në parlament, atëherë, Presidenti i shpall zgjedhjet e reja.

Subjektet politike në këtë fazë janë duke vazhduar konsultimet për koalicionet e mundshme qeveritare, sepse në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, asnjë subjekt politik nuk mundet ta formojë i vetëm qeverinë. Tash për tash akoma nuk dihet sesa do të zgjasë arritja e një marrëveshjeje koalicioni. Ndërkohë, Bashkimi Evropian, nëpërmjet komisarit për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, pret që Kosova të mos vonohet por të formojë institucionet e reja.

"Shpresoj që të mos marrë kohë me muaj krijimi i institucioneve sikurse herën e kaluar në vitin 2014, sepse Kosova ka nevojë për reforma. Institucionet e reja duhet të vazhdojnë me reforma sa i përket agjendës evropiane dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sikundër edhe përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave”, është shprehur Johanes Hahn.