1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Gjykata Kushtetuese shpall vendimin mbi nenet për krjimin e qeverisë

Presidentja e Kosovës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 pika 14 dhe nenit 95 të Kushtetutës për tia mundësuar asaj ta ketë të qartë se kush mund ta formojë qeverinë e Kosovës.

Në Kosovë, Gjykata Kushtetuese ka publikuar në faqen e vet zyrtare vlerësimin mbi përputhshmërinë e dy neneve të Kushtetutës së Kosovës që kanë të bëjnë me detyrat dhe përgjegjësitë e presidentes në përcaktimin se kush mund ta formojë qeverinë. Njoftimin për interpretimin e kërkuar e publikoi edhe zyra e presidentes Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 pika 14 dhe nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. “Presidentja Jahjaga pret në ditët në vijim përfundimin e plotë të procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në vend, përmes çertifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja. Presidentja Jahjaga do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës duke respektuar dhe zbatuar në plotëni vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në një komunikatë nga zyra e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ndërkohë, në publikimin e vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese që përmban 24 faqe, thuhet se “përdorimi i termave ‘parti politike ose koalicion', kur përmenden në lidhje me nenin 84 (14) dhe me nenin 95, paragrafet 1 dhe 4, të Kushtetutës, nënkupton partinë politike ose koalicionin që është regjistruar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, merr pjesë si subjekt zgjedhor, është i perfshirë në fletëvotim të zgjedhjeve, e kalon pragun dhe rrjedhimisht fiton vende në Kuvend".

"Nëse kandidati i propozuar për kryeministër nuk merr votat e nevojshme, Presidenti Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun", thuhet ndër tjera në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pas publikimit të këtij vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese, është në dorën e presidentes që ta thërras seancën e parlamentit të Kosovës, pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe në bazë të vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese ta nominojë kandidatin për kryministër.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë përmes një komunikate u bëri thirrje udhëheqësve politik kosovar “që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e rolit të Presidentit".

"Aftësia e institucioneve të Kosovës për ta menaxhuar këtë proces e nderon zhvillimin demokratik të Kosovës", thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Çështja se kush duhet ta formojë qeverinë e re të Kosovës u bë temë debati, pas marrëveshjes së koalicionit pas zgjedhor të tri partive politike, LDK, AAK dhe Nisma, për formimin e qeverisë. Një ndër pikat e para të kësaj marrëveshjeje ishte që asnjëra nga këto parti politike përfshirë edhe lëvizjen Vetvendosja, të mos bëjnë koalicion me partinë fituese të zgjedhjeve, PDK, të Hashim Thaçit. Kjo e fundit u rikonfirmua edhe të hënë (30.06) gjatë një takimi që patën, udhëheqësit e bllokut opozitar, LDK, AAK, VV dhe Nisma.