1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: EULEX-i i domosdoshëm, apo i panevojshëm?

Si e shohin njohësit e çështjeve juridike në Kosovë vazhdimin e mandatit të misionit EULEX. Nevojë për shkak të moskonsolidimit të shtetit, apo domosdoshmëri për rend dhe ligj.

Shteti i Kosovës ende nuk është konsoliduar sa duhet për të udhëhequr me rendin dhe ligjin si dhe mungesa e theksuar e besimit qytetar në autoritetet kosovare të drejtësisë, ka bërë që misionit EULEX t'i vazhdohet mandati edhe për dy vjet, ndonëse kanë kaluar tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kështu vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike pas ratifikimit në parlamentin e Kosovës të ligjit që i zgjati mandatin edhe për dy vjet misionit të BE-së për policinë dhe drejtësinë, EULEX.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë Samuell Zhbogar, thotë se autoritetet kosovare duhet ta shfrytëzojnë mandatin e ri të misionit EULEX për të vazhduar një tranzicion të qartë të zotërimit dhe përgjegjësisë nga EULEX-i në Kosovë. "Me mandatin e ri, Kosova do të jetë përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Autoritetet duhet ta shfrytëzojnë mandatin e ri për të vazhduar një tranzicion të qartë të zotërimit dhe përgjegjësisë nga EULEX-i në Kosovë. Meqënëse kjo do të kërkojë kohë është e rëndësishme që ky ndryshim të jetë gradual, në mënyrë që të mos rrezikojë atë që është arritur në fushën e sundimit të ligjit deri më tani", thotë Samuell Zhbogar.

Por si e shohin njohësit e çështjeve juridike vazhdimin e mandatit të misionit EULEX në Kosovë edhe për dy vjet. Vigan Qorroli, ligjerues i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës i tha DW se: "Mbështetja nga BE-ja për Kosovën në fushën e sundimit të ligjit është një sfidë e vetkërkuar, meqenëse kosovarët kanë një mungesë të theksuar të besimit në autoritetet vendase të drejtësisë. Duhet ndarë këtu dimensioni politik i EULEX-it për shkak se një mision ndërkombëtar për sundimin e ligjit çdoherë merr në konsiderim dy faktorë. I pari lidhet me narracionin politik. Lejohet një dozë e eksperimentimit për t'i ruajtur hilet politike në vend për qëllime të stabilitetit. Këtë e ka bërë EULEX-i, që më tepër ka raportuar në Bruksel për gjendjen politike, sesa për idetë progresive që çojnë në fuqizimin e drejtësisë. I dyti që lidhet me aspektin e drejtësisë është udhëheqja hibride e këtyre institucioneve. Me status ligjor dhe financiar, shumë më të lartë se vendorët, prokurorët dhe gjyqtarët e huaj kanë prodhuar më shumë psikologji për publikun sesa drejtësi. Psikologji, sepse janë kujdesur për rrethana tërësisht të papranueshme për drejtësinë si mos përgatitja e duhur e lëndëve dhe mossigurimi i duhur i provave. Kjo ka bërë që ata të mos flijohen në asnjë rast për prodhim të drejtësisë por, për prodhim të pasigurisë qytetare", thotë Vigan Qorroli.

Megjithatë, sipas Qorrolit, gjatë tetë viteve sa EULEX-i është në Kosovë, ka pasur edhe rezultate konkrete. "Ka zgjidhur mbi 600 lëndë të natyrave sensitive, ka gjykuar për krim të organizuar e pastrim parashë, për ish-gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë publik. EULEX-i është një lloj inxhinieri në shërbimin e vet për kosovarët, ku rezultatet e tij maten vetëm në arrestimin, gjykimin dhe dënimin e atyre kosovarëve të veshur me pushtet politik dhe financiar. Për ta shitur mallin e mirë në një treg të hapur duhet të ketë blerës serioz. E blerësi më serioz i rezultateve të EULEX-it është publiku kosovar, i cili ka konfuzion, kritikë dhe pakënaqësi në lidhje me punën e tij", thotë Vigan Qorroli. Sipas tij, autoritet vendore nuk janë në gjendje të marrin përsipër lëndët 'e rënda'. Këtë nuk e thotë askush, meqë ndikimi politik, frika dhe pasiguria janë elementet kryesore të keqfunksionimit të drejtësisë vendore".

Një njohës tjetër i çështjeve juridike, Blerim Burjani, thotë për DW se Republika e Kosovës akoma nuk është konsoliduar për të udhëhequr rendin dhe ligjin në nivelin dhe standardet e një drejtësie të pavarur dhe neutrale, sidomos kur bëhet fjalë për figura politike, apo siç njihen si 'peshq të mëdhenj'. Kosova ka nevojë për një reformë të drejtësisë, që është e domosdoshme për shtetin. EULEX-i është produkt i kësaj gjendjeje që mbretëron në Kosovë, ku njerëzit e politikës nuk kanë pasur vullnet fare ta lënë të pavarur funksionimin e drejtësisë. Kosova është shtet i pavarur me drejtësi tranzicionale dhe të çaluar. Kërkesa kosovare më herët ishte për misionin EULEX në Kosovë, përderisa Gjykata Speciale gjithashtu ndërlidhet jo rrallë në mos vullnetin e institucioneve të Kosovës që menjëherë pas luftës do të duhej të themelohej për të zbardhur disa raste për të cilat është folur nga diplomatët ndërkombëtar. Pra Kosova do të duhej ta kishte themeluar vet një gjykatë të tille, dhe jo të priste që këtë ta bëjë bashkësia ndërkombëtare", thotë Blerim Burjani.

Eksüperitz Burjani thotë, se Kosova e pavarur me misione ndërkombëtare si EULEX-i apo Gjykata Speciale, është treguese e një brishtësie të funksionimit të sistemit të saj juridik. "Rrugët e ardhjes së misionit EULEX nuk janë të përbashkëta me ato të Gjykatës Speciale, por një pikë e kanë të përbashkët, sepse nuk ka pasur vullnet të fuqishëm nga ana e drejtësisë kosovare që të merret më çështjet e tilla të rënda. Fati i drejtësisë në Kosovë fatkeqësisht ishte i lidhur me fatin e politikanëve, ndaj politika ishte mbi drejtësinë e pasojat i mban drejtësia dhe organet e saj", thotë Blerim Burjani.

Njohësit e çështjeve juridike kritikat më të mëdha për mosefikasitetin e duhur të organeve kosovare të drejtësisë i lidhin me mungesën e vullnetit politik kosovar për të zhvilluar një sistem të pavarur të drejtësisë. Pikërisht për këtë, sipas tyre në Kosovë vazhdojnë të jenë të prezente misionet ndërkombëtare, siç është EULEX dhe Gjykata Speciale, sepse Kosova nuk është pjekur ende si shtet që ta kapërcej vet sfidën e funksionimit të rendit dhe ligjit në përmasat dhe standardet efikase ndërkombëtare ku ligjet zbatohen kënaqshëm.

Misioni EULEX u vendos në Kosovë në nëntor të vitit 2008 dhe tani me vendimin e fundit të parlamentit të Kosovës ky mision ka mandat deri në qershor të vitit 2018. Ndërsa vendimi për Gjykatën Speciale, e cila do të trajtojë krimet e luftës, po ashtu është ratifikuar në parlamentin e Kosovës, por funksionalizimi i saj pritet gjatë këtij viti.