1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Emërohen gjyqtarët e Gjykatës Speciale për krime lufte

19 gjykatësit e emëruar të Gjykatës Speciale, janë nga Gjermania, Kanadaja, Franca, Holanda, Irlanda, Norvegjia, Italia, Belgjika, Cekia, Estonia dhe Britania e Madhe.

Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Aleksandra Papadopoulou, bëri të ditur se ka emëruar nëntëmbëdhjetë gjykatës ndërkombëtarë, që do të angazhohen në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Sipas një deklarate për medie të gjykatës, bëhet e ditur se gjykatësit e emëruar janë nga Gjermania, Kanadaja, Franca, Holanda, Irlanda, Norvegjia, Italia, Belgjika, Cekia dhe Estonia. Nënkryetar i Gjykatës Speciale është emëruar Keith Raynor nga Britania e Madhe, ndërsa, pak ditë më parë kryetare e Gjykatës Speciale u emërua Ekaterina Trendafilova. Kjo e fundit ka thënë se "së shpejti do të mbledhë seancën plenare", ku do të miratohet "Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Dhomave të Specializuara, që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara".

Në maj të vitit 2015, kryeprokuror i posaçëm i Gjykatës Speciale u emërua David Schwendiman, nga SHBA-ja. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, apo siç tashmë është emërtuar me ligj nga Parlamenti i Kosovës si "Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar", doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës, që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Parlamenti i Kosovës me (03.07.2015) me shumicë votash pati miratuar ndryshimet kushtetuese që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ndonëse kjo ishte kundërshtuar fuqishëm nga partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Opozita kosovare pati deklaruar se "themelimi i Gjykatës Speciale nga kuvendi i Kosovës dhe që udhëhiqet krejtësisht nga autoritetet ndërkombëtare, përbën cenim të rendit kushtetues dhe krijon sistem paralel të drejtësisë".

Sidoqoftë, selia e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë do të jetë në Hagë, për arsye se konsideorhet që "dëshimtarët mund të ndihen të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë". Më një janar të këtij viti hyri në fuqi ratifikimi i parlamentit të Holandës, që e lejon në territorin e saj fillimin e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. Nga hetimet e para të hetuesit të parë amerikan Clint Williamson, bëhej e ditur nga vet Williamson se "kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte". Tash për tash akoma nuk njoftohet se kur do të ngrihen akuzat e para, por mediet në Prishtinë shkruajnë se kjo mund të ndodhë në këtë pranverë.