1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Brexit lajm jo i mirë për Kosovën dhe rajonin

Në Kosovë udhëheqësit politikë dhe analistët thonë se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja do të sjellë paqartësi dhe do të ketë efekte direkte sa i takon politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkan.

Lajm jo i mirë për Kosovën dhe rajonin që aspiron Bashkimin Evropian, është cilësuar largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, pas referendimit të një dite më parë. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se vota e britanikëve për dalje nga BE-ja do të sjellë paqartësi në të ardhmen dhe padyshim sipas tij, që do të ketë efekte të drejtpërdrejta në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Është një kapitull i ri i cili sjell paqartësi dhe që do të ketë edhe efekte direkte sa i takon politikës së zgjerimit të BE-së, qoftë në Ballkan, qoftë edhe në Evropën Lindore. Tani Bashkimi Evropian do të jetë i detyruar të merret më shumë me problemet e konsolidimit të tij të brendshëm dhe për rirregullimin e raporteve me Britaninë e Madhe, se sa me temat për të cilat presin qytetarët e Kosovës”, tha ministri i Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj.

Në të njejtën linjë është shprehur edhe ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Collaku. Ai thotë se “Rezultati i referendumit në Mbretërinë e Bashkuar për largim nga Bashkimi Evropian nuk është lajm i mirë...Për ne që e kemi aspiratë të fuqishme anëtarësimin në BE, është e dhimbshme që një nga shtetet anëtare që ka qenë ndër të parat që e ka njohur pavarsinë tonë dhe ndër më mbështetëset në rrugën tonë evropiane, do të largohet nga BE-ja. Por ky është një vendim i një procesi demokratik, dhe si të tillë e respektojmë. Pavarësisht kësaj, Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojnë të kultivojnë dhe thellojnë marrëdhëniet bilaterale në çdo rrethanë”, shkruan në profilin e tij në faccebok ministri Bekim Collaku.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shpreh keqardhje për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Ai thotë se pavarësisht rezultatit të referendimit Britanik, dy gjëra mbeten të pandryshueshme për Kosovën. “bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me Britaninë e Madhe dhe rruga e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”.

“Përkundër këtij zhvillimi, ne besojmë se ka diçka që i bën të pandashëm Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe dhe Kosovën: demokracia liberale, të drejtat dhe liritë e njeriut, vlerat e shoqërisë së hapur dhe ekonomia e tregut të lirë, mes shumë vlerave të tjera. Pavarësisht rezultatit të referendumit britanik, dy gjëra mbesin të pandryshueshme për Republikën e Kosovës: bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me Britaninë e Madhe dhe rruga e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ndërkohë, sipas njohësit të integrimeve evropiane Naim Rashiti, situata e re, pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, do të ketë pasoja për Kosovën.

“Kjo situatë e dëmton shumë Kosoven. Britania ishte aletai më i qendrueshëm i Kosovës brenda BE-së. Në vitet e fundit Gjermania rriti përkrahjen për Kosovën, por në situatë të ndryshme, qeveria e Berlinit ka pasur qasje të ndryshme dhe kjo përkrahje lidhet me kabinetin dhe qeverinë e kancelares Merkel. Në të ardhmen qeveritë sociale demokrate nuk do të jenë aq entuziaste. Britania mbështeti Kosovën në çdo hap brenda BE-së dhe largimi i saj do të dëmtojë shumë. Nuk do të ketë shtytje sa kemi parë nga ana e Londrës dhe e Berlinit që së bashku përbënin forcn shtytëse brenda 28 anëtarëve”, thotë Naim Rashiti.