1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: 32 persona akuzohen për terrorizëm

Në një studim të kohëve të fundit i bërë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), thuhet se deri në muajin janar të këtij viti, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ngriti të enjten me (07.05) aktakuzë, kundër 32 personave për terrorizëm. Që të gjithë

personat dyshohen për veprat penale, “rekrutim për terrorizëm”, “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. Njoftimi për ngritjen e kësaj aktakuze u dha në faqen zyrtare të prokurorisë speciale të Kosovës, dy muaj pasiqë Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës për t'u bashkuar në luftëra jashtë vendit.

Pjesëmarrje në grupe terroriste

Në njoftimin e prokurorisë për aktakuzën për terrorizëm ndaj 32 personave thuhet se 27 persona akuzohen për veprën penale, “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”, dy persona akuzohen për veprën penale, “rekrutim për terrorizëm”, ndërsa, tre persona të tjerë akuzohen për veprën penale, “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Për disa nga të akuzuarit sipas njoftimit të prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se ata i janë bashkuar për të luftuar grupit terrorist (ISIS) në Siri, disa të tjerë kanë bërë thirrje për t'iu bashkuar grupit terrorist “ISIS”, ndërkaq disa të tjerë kanë rekrutuar njerëz për t'i dërguar në luftën e Sirisë dhe njëkohësisht kanë mbledhur fonde për organizatat që tashmë janë të shpallura organizata terroriste nga Kombet e Bashkuara.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t'i shpallë fajtor dhe t'i gjykojë sipas ligjit.

Hetime kundër 57 personave

Një valë masive e arrestimeve në Kosovë ndodhi në gusht të vitit të shkuar, ku Prokuroria Speciale e Kosovës kishte kishte hapur hetimet kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë kishte arrestuar mbi 40 persona. Nga ky grup 32 persona tashmë janë akuzuar, për 18 persona kanë pushuar hetimet ndërsa, 7 persona të tjerë të kërkuar ndodhen në arrati.

Mediat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare vazhdimisht kanë shkruar se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës iu kanë bashkuar organizatave terroriste në luftërat në Siri dhe Irak. Një studim i kohëve të fundit i bërë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thuhet se deri në muajin janar të këtij viti, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. 30 persona deri tash kanë humbur jetën në këto luftëra.