1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë : Pritet me gëzim lajmi i lirimit të Haradinajt

Bekim Shehu / Prishtinë 4 Prill 2008

Qytetarët në Prishtinë dhe në rajonin e Dukagjinit prej nga vjen zoti Haradinaj, kanë festuar deri në orët e vona të natës. Qeveria e Kosovës, përshëndet vendimin e Trupit Gjykues të Tribunalit të Hagës

https://p.dw.com/p/Dbr6
Kosovarët kërcejnë në Deçan, pasi mësuan vendimin e Gjykatës së Hagës për Ramush Haradinajn, 3 prill 2008
Kosovarët kërcejnë në Deçan, pasi mësuan vendimin e Gjykatës së Hagës për Ramush Haradinajn, 3 prill 2008Fotografi: AP

Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e tyre i besojnë drejtësisë ndërkombëtare, sikundër kanë besuar në luftën e UÇK-së, për lirinë e Kosovës. Ky ishte reagimi i parë dhe me i shprehuri në Kosovë kur u dha lajmi që ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shpallet i pafajshëm dhe lirohet nga të gjitha
akuzat për krime lufte të ngritura kundër tij nga Prokuroria në Tribunalin e Hagës. Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate përshëndet vendimin e Trupit Gjykues të Tribunalit të Hagës, ndërsa thekson se edhe me këtë proces gjyqësor u dëshmua se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ishte luftë e drejtë, luftë çlirimtare dhe konform rregullave dhe konventave ndërkombëtare. Megjithatë, Qeveria shpreh keqardhje për dënimin e Lahi Ibrahimaj, por shpreson në lirimin sa më të shpejtë të tij. Ish, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmes postës elektronike dërgoi një deklaratë të shkruar në Prishtinë, të cituar nga zëdhënësi i partisë së tij, Besnik Tahiri, ku thekson se zoti Haradinaj, mezi pret të kthehet në Kosovë.

"Ne ende kemi përpara sfida të vështira. Populli i Kosovës meriton të jetojë në një shoqëri të lirë, ku vlerat janë të mbrojtura dhe të garantuara, dhe ku shoqëria ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Ky është vizioni për të cilin do të përkushtohem gjatë tërë jetës sime", thekson Haradinaj.

Festimet për lirimin e ish kryeministrit, Ramush Haradinaj, kanë vazhduar deri në orët e vona të natës. Udhëheqësit e AAK-së, kryetar i së cilës është,
Ramush Haradinaj, u bëjnë thirrje qytetarëve që festimet të jenë të dinjitetshme. Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kthehet sot në Kosovë diku rreth orës 17-të. Partia e tij ka organizuar një pritje solemne. Në orët e mbrëmjes në qendër të Prishtinës do të organizohet edhe një konecert në të cilit ish kryeministri, Ramush Haradinaj do tu drejtohet masës.