1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qertifikimi i subjekteve politike

12 Nëntor 2010

Në Kosovë ka përfunduar afati për regjistrimin e subjekteve politike, që do të garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit. 28 subjekte politike do të konkurojnë në këto zgjedhje, mes tyre edhe tetë subjekte politike serbe.

https://p.dw.com/p/Q7JX
Prishtina
PrishtinaFotografi: Zulfija Jakupi

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se 28 subjekte politike, midis tyre tetë subjekte politike serbe, tashmë kanë fituar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje. Por jo të gjitha subjektet i kanë plotësuar listat me kandidatë për të garuar për deputet të Kuvendit të Kosovës. Për këtë arsye KQZ-ve e ka shtyrë afatin deri në mesin e javës së ardhshme, në mënyrë që subjektet politike të plotësojnë listat dhe dokumentacionin shtesë. Të 28 subjektet politike u takuan me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe u dakorduan per kodin e mirësjelljes, me të cilin betohen për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, thotë:

“ Qëllimi është që gjatë gjithë fushatës, por në mënyrë të veçantë edhe në ditën e zgjedhjeve, partitë politike, kandidatët por edhe qytetarët që dalin në zgjedhje ta kryejnë me nder një detyrë qytetare”, thotë Jakup Krasniqi.

Në mesin e 28 subjekteve politike, që do të garojnë në zgjedhje, ndodhen edhe një numër koalicionesh. Në zgjedhjet e 12 dhjetorit garojnë edhe dy janë subjekte të reja politike, Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit dhe Fryma e Re, e udhëhequr nga ish-përfaqësues të shoqërisë civile, Shpend Ahmeti e Ilir Deda. Kuvendi i Kosovës numëron 120 vende, nga të cilat 20 janë të ndara për pakicën serbe dhe pakicat e tjera joshqiptare.

Organizimi i zgjedhjeve po respekton planin

Megjithë kohën e shkurtër për zgjedhjet e jashtzakonshme, që do të mbahen me 12 dhjetor, KQZ-ve thotë se do të arrijë të organizojë zgjedhjet konform kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Xhemajl Peqani, nga sekretariati i KQZ, thotë për programin tonë se organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme kërkon angazhim të shtuar dhe sfida qëndron në faktin që në Kosovë për herë të parë organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Është e vërtetë që është një kohë shumë e shkurtër, por ne kemi mobilizuar të gjithë stafin, si atë në nivel qëndror edhe atë në nivel lokal. Pra, për ne nuk do të ketë ditë uikendi, por punohet 24 orë pandërprerë dhe jemi në një fazë që të gjitha planet po shkojnë sipas dinamikës së parashikuar”, thotë Xhemajl Peqani.

Serbët marrin pjesë në organizimin e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndihmohet nga të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, që janë të instaluara në Kosovë dhe ndihma po bëhet në formë të këshilldhënies. Në organizimin e zgjedhjeve janë të përshirë edhe pjesëtarë të komunitetit serb, thotë Xhemajl Peqani.

“Kosova ka 37 komuna dhe në katër komuna KQZ ka zyrtarët e saj nga komuniteti serb. Kemi komisionet komunale në të gjitha komunat e Kosovës, ku janë të përfshirë edhe qytetarët e komunitetit serb”, thotë Xhemajl Peqani. Sipas zotit Peqani, KQZ-ve do të përgatitet për hapjen e vendvotimeve edhe në vendbanimet serbe.

“Ne teknikisht na obligon ligji që t'u ofrojmë shërbim, ndërsa, është e drejtë e çdo qytetari që të dalë apo mos të dalë në zgjedhje”, thotë Xhemajl Peqani.

KQZ shqyrton kandidaturat e Haradinajt, Dacit dhe Kurtit

Edhe në pjesën veriore të Kosovës do të organizohen zgjedhjet e përgjithshme, megjithë kundërshtimin e përfaqësuesve politikë të serbëve të kësaj pjese.

Zyra ligjore e KQZ-ve është duke shqyrtuar kandidaturat e tre bartësve të listave të tri partive politike. Atë të Ramush Haradinajt, i cili gjendet në Hagë, Nexhat Dacit, i cili u dënua nga gjykata e qarkut në Prishtinë dhe Albin Kurtit, i cili më herët ka qenë i dënuar poashtu nga gjykata e qarkut në Prishtinë. Për çertifikimin e kandidaturave të tyre pritet të vendoset deri me datën 19 nëntor, nëse këta tri bartës të listave për deputet kanë të drejtë apo jo të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, që do të mbahen me 12 dhjetor të këtij viti.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtina

Redaktoi: Auron Dodi