1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Mospajtime të thella para seancës për demarkacionin

Bekim Shehu31 Gusht 2016

Ambasada gjermane në Prishtinë u bën thirrje partive politike për ulje tensionesh dhe debat konstruktiv në parlament. Vetëvendosja më një shtator proteston edhe në rrugë.

https://p.dw.com/p/1JtIw
Kosovo Parlament
Fotografi: AFP/Getty Images

Një ditë para se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi të hidhet për ratifikim në kuvendin e Kosovës, përplasjet politike ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës janë ashpërsuar shumë. Dy partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, do të votojnë kundër këtij versioni të marrëveshjes, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje po ashtu do ta votojë kundër, por ky subjekt edhe do të protestojë në rrugë me simpatizantët e vet. Dy udhëheqësit kryesorë politik, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, u bëjnë thirrje deputetëve të kuvendit të Kosovës që ta ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Sipas tyre pretendimet e opozitës, se Kosova humb territor me këtë marrëveshje janë të paqëndrueshme. Por opozita vazhdon të këmbëngulë, se Kosova me këtë version të marrëveshjes, humbet 8200 hektar tokë dhe pikërisht për këtë arsye ata janë të vendosur - sikurse deklarojnë - ta parandalojnë ratifikimin e saj në parlament.

Njëri nga udhëheqësit shumëvjeçar të lëvizjes Vetëvendosje, tash deputet Albin Kurti, shprehet i bindur se opozita në seancën e një shtatorit do ta pamundësojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sipas tij, aktiviteti i Vetëvendosjes do të përqendrohet si brenda seancës së Kuvendit ashtu edhe në protesta në rrugë, që sipas tij, do të jenë paqësore. "Nuk do të kisha thënë protestë e qetë, sepse jemi njerëz të shqetësuar dhe njerëzit e shqetësuar nuk dalin në protestë të qetë. Por, do të jetë protestë paqësore. Do të jetë protestë masive dhe natyrisht që me vendosmërinë tonë, të cilën do ta shihni nesër, jam i bindur që ne do t'ia arrijmë ta ndalim ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi", tha Albin Kurti në një konferencë për mediat.

Thirrje për ulje të tensioneve politike por edhe mospërdorim të dhunës, po bëhen vazhdimisht edhe nga faktori ndërkombëtar në Kosovë. Është ambasada gjermane, e cila në një komunikatë për medie u bënë thirrje faktorëve politik kosovar që mospajtimet t'i shprehin me debat në parlamentin e Kosovës. "Në dritën e ngjarjeve të fundit dhe seancës në parlamentin e Kosovës që është planifikuar për nesër, ne bëjmë thirrje për debat paqësor demokratik dhe konstruktiv. Për të gjitha pikëpamjet dhe mospajtimet politike mund të ketë protesta paqësore, sepse, kjo është e drejtë demokratike. Megjithatë, përdorimi i dhunës për të trembur oponentët politik dhe për të ndikuar në debat, është i papranueshëm. Ne inkurajojmë të gjitha palët që të marrin parasysh konstatimet e komisionit ndërkombëtar i thirrur nga ish-presidentja Jahjaga, që analizoi procesin e shënimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe erdhi në përfundim që ky proces qartë kënaq normat ndërkombëtare", thuhet në deklaratën e ambasadës gjermane në Prishtinë.

Në këtë linjë shprehet edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë Greg Delawie, i cili thotë se demarkacioni me Malin e Zi duhet të ratifikohet në parlament. Sipas tij, partitë politike që po kërcënojnë me vrasje të kundërshtarëve politik këtë po e bëjnë vetëm për të ardhur në pushtet.

Megjithë përplasjet politike ndërmjet pozitës dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës me një shtator diskuton dhe më pas pritet edhe të votojë për ratifikimin e marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Që të jetë e plotfuqishme kjo marrëveshje, duhet të votojnë pro 80 deputetë nga 120 sa i ka parlamenti i Kosovës. Çështja e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe janë dy çështje, të cilat tash e më shumë se një vit e kanë futur Kosovën në krizë të thellë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës. Opozita i kundërshton këto dy marrëveshje. Kosova në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel me autoritet e Beogradit duhet ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq, ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi, është kushti i venë nga Komisioni Evropian në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza.