1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Korrupsioni i lartë në Kosovë

Shkalla e korrupsionit në Kosovë është shumë e lartë. Zyrtarë të qeverisë thonë se ata kanë hartuar strategjitë antikorruspion dhe presin shumë shpejtë rezultate.

default

Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë në shkallë shumë të lartë dhe i shtrirë pothuaj në të gjitha nivelet. Kjo dukuri negative, e cilësuar si kanceri i shoqërisë, nuk luftohet sa duhet pavarësisht faktit që në Kosovë ekzistojnë të gjithë mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për luftimin e korrupsionit. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thonë se luftën kundër korruspionit e kanë renditur ndër prioritet e qeverisë. Ata shtojnë se kanë hartuar strategji të reja, që nuk kanë qenë më parë dhe se rezultatet janë të pritshme.

Memli Krasniqi, zëdhënës i qeverisë thotë se ekzekutivi i vendit që nga fillimi i punës së saj, i ka bërë ftesë kontrollorëve të përgjthshëm që të mbikqyrin çdo transaksion financiar në të gjitha institucionet. "Qeveria e ka bërë të qartë se e ka prioritet luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative," thotë Krasniqi.

Sipas tij, kjo qeveri ka miratuar të paktën strategjitë antikorrupsion, të cilat nuk kanë ekzistuar më herët. Mirëpo, nuk është vetëm lufta kundër korrupsionit ajo që e bën një qeveri funksionale, por është edhe përgjegjësia në kryerjen e punëve në kohë, ashtu siç i parasheh ligji. Tash e dy vjet në Kosovë vepron një firmë ndërtimi gjermane, VBH. Sami Shehu, përfaqësues i kësaj firme në Kosovë, thotë se dallimi i të vepruarit në Gjermani dhe Kosovë është shumë i madh. Vështirësitë e të vepruarit me të cilat është ballafaquar ai në Kosovë kanë të bëjnë më shumë me vonesat për çështje administrative të funksionimit të firmës, por që në esencë sipas tij janë të lidhura me korrupsionin dhe mitmarrjen. "Në Gjermani kam dhjetë vjet që punoj me këtë firmë dhe asnjeherë nuk kam patur telashe. Marr shembull tatimin mbi vlerën e shtuar, përkatësisht rimbursimin e kësaj vlere, sepse kjo është punë shumë e thjeshtë e një kontabilisti, ndërsa, këtu në Kosovë kam patur telashe, sepse ka gjashtë muaj që kam kërkuar rimbursimin e TVSH-së dhe akoma nuk kam marrë përgjigje. Nëse flasim nga percepcioni qytetar për korrupsionin këtu në Kosovë, mendoj se nëse unë do t'i ofroja ndonjë zyrtari ryshfet, atëherë sigurisht që kjo punë do të kryhej shumë më shpejtë," thotë Samiu, përfaqësues në Kosovë i firmës gjermane VBH.

Në Kosovë ka vite që funksionon Agjencia Kundër Korrupsionit. Shumë informata të bazuara për raste korruptive janë përcjellë nga agjencia në prokurori por, asnjë nga to deri tash nuk është gjykuar. Hasan Preteni i cili udhëheq Agjencinë Antikorrupsion, thotë se nuk është e rastësishme që po refuzohen çështjet që kanë të bëjnë shembull me gjyqësorin. "Unë them që korrupsioni jo se nuk po identifikohet, jo se nuk ka informata, por është e vërtetë që korrupsioni në Kosovë nuk po gjykohet," thotë Hasan Preteni.

Gjithandej në Kosovë flitet se ka korrupsion por, asnjëherë nuk u njoftua për ndonjë zyrtar institucional që të jetë ballafaquaa me ligjin për shkak të përfshirjes në korrupsion. Shpend Ahmeti, analist i pavarur thotë se nuk është i mjaftueshëm vetëm krijimi i mekanizmave ligjorë antikorrupsion nëse këto mekanizma nuk vëhen në veprim. "Ne ende nuk dimë për ndonjë rast të vetëm ku ndonjë i punësuar në sektorin publik në Kosovë, së paku të jetë larguar nga puna, e të mos flasim për ndonjë akuzë të ngritur apo edhe ndonjë dënim," shprehet Ahmeti.

Sidoqoftë, shkalla e lartë e korrupsionit, mosfunksionimi sa duhet i pushtetit gjyqësor, për të gjykuar korrupsionin dhe në fund mungesa e legjislacionit të nevojshëm që mbron investimet, janë disa nga faktorët që po pengojnë edhe shumë investitorët e huaj që të zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë.

(aca)

  • Data 21.01.2009
  • Autor Bekim Shehu / Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gdhw
  • Data 21.01.2009
  • Autor Bekim Shehu / Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gdhw