1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Korrupsioni i lartë dhe pastrimi i parave mbajnë peng zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

111,6 miliardë dollarë kanë dalë jashtë EJL nga aktivitetet kriminale dhe evasioni fiskal. Intervistë eksluzive e Deutsche -Welle me Natasha Srdoc, drejtore e Institutit të Adriatikut për politikat publike.

default

Natasha Srdoc -Drejtore e Institutit të Adriatikut

DW: Znj. Srdoc, si do ta përshkruani situatën në Europën Jug- Lindore lidhur me korrupsionin dhe pastrimin e parave, që kanë qënë në qëndër të një studimi të kohëve të fundit të Institutit të Adriatikut, që ju drejtoni?Ju lutem a mund të sillni fakte dhe shifra për DW?

Natasha Srdoc: Të gjitha vendet e Europës Jug- Lindore, pa asnjë përjashtim, vuajnë nga moszbatimi i ligjit, ndikim i konsiderueshëm i politikës mbi sistemin gjyqësor dhe nga mungesa e mekanizmave dhe institucioneve të pavarura për të luftuar nga brenda korrupsionin e shfrenuar. Politikanë, zyrtarë të qeverisë dhe partnerë të tyre në krim kanë grumbulluare shuma të mëdha parash dhe pasurish të paligjshme dhe kanë bllokuar zbatimin e ligjit, gjyqësorin e pavarur, mbrojtjen e të drejtave të pronës. Nuk ka një ndarje të qartë mes pushteteve: legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Sipas të dhënave të Global Financial Integrity, një organizatë kjo me seli në Washington DC, shumat financiare ilegale, që kanë dalë jashtë vendeve të rajonit të Europës- Juglindore, kanë shkaktuar “hemorragji” në pasuritë e këtyre vendeve dhe kanë varfëruar në mënyrë të konsiderueshme popujt e këtij rajoni. Sipas këtyre të dhënave 111, 6 miliardë dollarë kanë dalë jashtë vendeve të EJL, në harkun kohor 2001- 2010 përmes krimit, korrupsionit dhe evazionit fiskal. Në këtë shifër nuk përfshihen transaksionet e kryera në cash.

Në periudhën në fjalë nga Shqipëria kanë dalë 1, 3 miliardë dollarë që përbëjnë 10% të GDP

(Global Domestic Product ose Produktit të Brendshëm Bruto), B-H 8,3 miliardë dollarë që përbëjnë 46 % të GDP, Bullgaria 15,8 miliardë dollarë që përbëjnë 30% të GDP, Maqedonia 4,6 miliardë dollarë që përbëjnë 44% te GDP, Mali i Zi 6,2 miliardë dollarë që përbëjnë 138 % të GDP, Rumania 8,8 miliardë dollarë që përbëjnë 5 % të GDP, Kroacia 15,2 miliardë dollarë që përbëjnë 25% të GDP dhe së fundi Serbia me 51,4 miliardë dollarë që përbëjnë 112% të GDP. Paligjshmëria në Evropën Juglindore është përforcuar nga përdorim i Ballkanit si një rrugë famëkeqe prej grupeve transnacionale të krimit të organizuar për skllavëri njerëzore, trafikim organesh, armësh, narkotikësh, financim të terrorizmit. Këto vende, të zhytyra në korrupsion, kanë humbur deri më tani, kredibilitetin në raport me BE, per lufte efikase kunder krimit të organizuar. Psh, kriminelët që u arrestuan në Spanjë, në Shkurt 2012, kishin të gjithë pasaporta zyrtare kroate. Hetimet çuan direkt në Ministrinë e Brendshme të Kroacisë dhe nxorren ne drite një rekord shitjesh pasaportash ilegale, që në vitin 2006. Ky korrupsion ka trimëruar kriminelët e Ballkanit për të ngritur dhe drejtuar një ndërmarrje kriminale ndërkombëtare dhe rrjetin ballkanik të kokainës me destinacion vendet e BE.Asnjë zyrtar i lartë në Kroaci nuk doli para drejtesise.

DW: Çfarë mund të thoni për Shqipërinë? A është rritur apo ulur niveli i korrupsionit?

Natasha Srdoc: Indekse të ndryshme tregojnë që korrupsioni në Shqipëri është i lartë dhe mund të jetë në rritje. Në indeksin e Transparency International 2013, Shqipëria renditet në vendin e 31 ( 0 është vendi më i korruptuar dhe 100 ai që nuk ka fare korrupsioni). Megjithëse, Shqipëria ka një përmirësim të vogël në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që nga viti 2003, Indeksi i korrupsionit është përkeqësuar sërish këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, 2012. Indeksi i Lirisë Ekonomike për vitin 2013, i botuar bashkerisht nga Transparency International me “The Wall Street Journal” dhe “Heritage Foundation” e klasifikon lirinë e Shqipërisë nga korrupsioni si kategori të "shtypur”. Sipas indeksit: "Në Shqipëri po vazhdon reforma e rëndësishme e sistemit ligjor, por gjykatat jane subjekte të presionit politik dhe korrupsionit. Shqipëria është një vend tranziti të madh për trafikimin e qenieve njerëzore, armëve ilegale dhe narkotikëve "

DW: Znj. Srdoc, cilët janë faktorët kryesorë që kanë gjeneruar një situatë të tillë në Ballkanin Perëndimor?

Logo Adriatic Institute for Public Policies in Zagreb

Logoja e Institutit të Adriatikut për politikat publike.

Natasha Srdoc: Ballkani Perëndimor nuk ka përfunduar tranzicionin nga komunizmi në ekonominë e tregut dhe qytetarët e tij jetojnë në një mjedis ku nuk zbatohet ligji. Fillimi i viteve 1990 shënoi largimin fillestar nga komunizmi, gje që u shoqërua me Luftërat në Ballkan dhe daljen e shteteve të pavarura. Tranzicioni i Ballkanit gjatë viteve 1990 solli dalje të paligjshme financiare masive nga rajoni, së pari përmes kontrabandës së armëve gjatë embargos së armëve të OKB-së, privatizimit të aseteve shtetërore përmes transaksioneve jo transparente, abuzimeve në pozicione zoteruese përmes ryshfeteve, shpërdorimit te detyrës publike duke zotëruar prokurimet publike – nga të cilat përfituan grupe të zgjedhura në kurriz të qytetarëve dhe taksapaguesve. Mekanizmat dhe metodat e daljeve të paligjshme financiare nga rajoni dhe pasurimi i paligjshëm u zhvilluan që nga fillim të viteve '90. Rrjetet ilegale të shërbimeve sekrete, policisë, qeverisë dhe strukturave ushtarake të themeluara në vitet '90, nuk u çmontuan kurrë. Daljet e paligjshme financiare dhe pastrimi i parave nga Kroacia dhe vende te tjera në rajon u bënë të mundura nga institucionet bankare në Austri dhe Liechtenstein, për të cilat duhet adresuar tek gjyqtarë dhe prokurorëve të huaj.

DW: A janë fenomenet, për të cilat po flasim, pengesa serioze për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor?

Natasha Srdoc: Po. Korrupsioni dhe pastrimi i parave, të lidhura edhe me daljet e paligjshme financiare përmes krimit, korrupsionit dhe evazionit fiskal po varfërojnë qytetarët dhe po shkaktojnë drejtëpërsëdrejti hemorragji në financat e vendeve te EJL. Kjo vjedhje masive e thesareve financiare shtetërore të Ballkanit u grabit qytetarëve shërbimet e duhura të kujdesit shëndetësor, edukimin e fëmijëve, kujdesin për të moshuarit dhe infrastrukturën. Për më tepër, duke mbrojtur pasurimin e paligjshëm, zyrtarët e korruptuar në qeveri dhe politikanët po bllokojnë vendosjen e sundimit të ligjit, gjyqësorin e pavarur, mekanizmat e suksesshme për të luftuar korrupsionin. Kjo sjell frenimin e investimeve të huaja direkte, krijimit të vendeve të reja të punës, që reduktojnë më tej standardin e jetesës së qytetarëve në rajon dhe pakësojnë në mënyrë të konsiderueshme lirinë e tyre ekonomike. Nga njëra anë, financat po pësojnë “hemorragji”nga flukset dalëse të paligjshme , nga ana tjetër ka taksa dhe tatime të papërshtatshme për shkak të investimeve të reduktuara, papunësisë së lartë dhe aktivitetit ekonomik goxha të reduktuar.Tatimpaguesit dhe qytetarët po humbin në të gjitha anët: si fitues të ardhurash (nuk ka investime – nuk ka punë), si marrës shërbimesh nën-standard janë të detyruar të paguajnë taksa më të larta, nuk kanë asnjë mbrojtje të së drejtes së pronës dhe përballen me pasiguri të madhe ekonomike. Mungesa e mundësive të punësimit për të rinjtë e bën të pashmangshëm rrrjedhjen e trurit, largimin e më të mirëve , më të zgjuarve.

DW: Znj. Srdoc , çfarë dëmi i sjell situata, që po paraqisni, aspiratës së vendeve të Ballkanit Perëndimor- Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi, B-H dhe së fundmi edhe Kosovë- për t'iu bashkuar një ditë BE?

Natasha Srdoc: Në rastin e Kroacisë, BE injoroi kriteret dhe parimet që kishte vendosur vetë dhe amnistoi politikanët e korruptuar të Kroacisë. Nëse e njëjta gjë do të ndodhë edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, atëhere korrupsioni i shfrenuar do të mbizotërojë dhe do të ndikojë negativisht tek taksapaguesit e shteteve anëtare të BE, në lidhje me drejtesinë dhe ekonominë duke vënë në rrezik vetë projektin e zgjerimit të BE.

DW: Instituti i Adriatikut është i mirënjohur në Europën Jug- Lindore dhe më gjerë për studimet dhe analizat e tij ekonomike, politike dhe sociale. Çfarë do t'i jepte impulse të reja zhvillimit të rajonit, luftës më efikase ndaj korrupsionit, pastrimit të parave, trafiqeve ilegale?

Natasha Srdoc: Nga përvoja në 20 vitet e fundit , është e qartë se vendet e rajonit nuk mund ta luftojnë nga brenda korrupsionin, pastrimin e parave dhe trafiqet ilegale. Ajo që duhet janë gjyqtarë dhe prokurorë nga vende ku sundimi i ligjit është i fortë që do të jenë të aftë të konfiskojnë pasuritë e paligjshme të grumbulluara nga zyrtarë të korruptuar, të vendosin zbatimin e ligjit dhe gjykatat e pavarura pasi ata nuk janë të ekspozuar ndaj presioneve politike të regjimeve të korruptura në rajon. Prania e gjyqtatrëve dhe prokurorëve të huaj do të fuqizojë gjykatësit e ndershëm vendas dhe do të nxjerrë jashtë loje të korruptuarit, do të frymëzojë brezin e re të të diplomuarve në drejteësi dhe jurispudencë. Ka precedentë të tillë në Ballkan dhe më gjerë në Commonwealth. Pa gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, procesi do të marrë shumë kohë, një brez të tërë, deri sa te kete institucionet e duhura të një demokracie funksionale dhe ekonomie në

rritje.

Shënim: Natasha Srdoc është drejtore e Institutit të Adriatikut, për politikat publike, një think tank i mirenjohur ne Europe dhe me gjerë, që merret me studime, analiza dhe kërkime për vendet e EJL.

Intervistoi : Ani Ruci

Redaktoi: Mimoza Kelmendi