1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Korrupsion tek drejtësia kosovare

Të martën misioni i BE në Kosovë Eulex ka ngritur akuza ndaj disa përfaqësuesve të drejtësisë në Kosovë. Gjyqtarët e kuzuar dyshohet të jenë përfshirë në korrupsion në rastin e privatizimit të një kompanie shtetërore.

Një prokuror i Bashkimit Europian ka akuzuar dhjetë vetë, ndër ta tetë gjyqtarë për korrupsion në procesin e privatizimit të një kompanije shtetërore në Kosovë, ka njoftuar të martën misioni i Bashkimit Europian në Kosovë, Eulex. Ish-presidenti i gjykatës së Prishtinës, katër ish-gjyqtarë dhe tre ish-gjyqtarë të qarkut janë ndër personat e akuzuar për aferën e hetuar nga Eulexi. Po ashtu akuza është ngritur edhe ndaj një avokati dhe një përfaqësuesi të kompanisë së privatizuar, thuhet në deklaratën e Eulexit. Mbi gjyqtarët rëndon akuza e "abuzimit me postin zyrtar dhe autoritetin, si edhe mbështetje në marrjen e vendimeve, që bien ndesh me ligjin", vazhdon deklarata. Dyshohet se ata janë të përfshirë në 15 raste të lidhura me firmat publike.

Agjencia e lajmeve AFP, e cila ka publikuar lajmin, përmend se qeveria e Kosovës është marrëse e më shumë se 600 milionë eurove nga procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore. Mediat vendase dhe ekspertët ekonomikë, thekson AFP, ngrenë shqetësimin se procesi është kthyer në një terren të lulëzuar të korrupsionit, që mbetet edhe problemi kryesor për vendin dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe lokalë. Sipas indeksit të korrupsionit të publikuar në vitin 2011 nga Transparency International, Kosova është renditur e 112-ta në radhën e 183 vendeve të marra në analizë nga organizata prestigjioze.

Ndërkohë në fillim të këtij muaji ishte ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi dhe 10 zyrtarë të tjerë të kosovarë, që u akuzuan për korrupsion dhe marrjen e ryshfeteve për të dhënë kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë. Eulexi i stacionuar në Kosovë që nga viti 2008 për të ndihmuar në vendosjen e ligjit dhe së drejtës në Kosovë, si edhe për të marrë në dorë çështje delikate, mjaft sensibël për drejtësinë vendase.