1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Korrupsion në vendin në krizë

Në mesin e krizës politikanët lokalë në Portugali përpiqen të pozicionohen ai forcë e re politike. Por shumë komuna konsiderohen si dhe më parë si çerdhe të korrupsionit dhe shpërdorimit të parave.

Paulo Romeira nuk e sheh veten patjetër si një lider revolucioni. Ai mban veshur një kostum të thjeshtë dhe flokët e thinjur i ka të prera shkurt. Por muajt e kaluar Romeira me lëvizjen e tij "Revolucioni i Bardhë" ka bërë emër në Portogali. Ai është halë në sy për një grup të vogël politikanësh lokalë, të cilët kandidojnë të djelën bashkë me më shumë se 1300 kandidatë të tjerë në 308 qarqe lokale në Portugali. Në të vërtetë një ligj i ri duhej ta kufizonte në maksimumi tri mandate kohën e qeverisjes së një kryetari bashkie. Por politikanët gjetën një rrugë për t'a anashkaluar ligjin: ata thjesht kandidojnë për postin e kryetarit të bashkisë në një qytet tjetër. Kundër kësaj janë ngritur Pauolo Romeira dhe lëvizja e tij qytetare.

Paulo Romeira

Mosbesim ndaj politikanëve lokalë - Paulo Romeira

Romeira ngre akuza të ashpra kundër elitës politike në vendin e tij. Ai nuk shpreson ashtu si shumë bashkëqytetarë të tij se pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, dhe një koalicioni të madh të mundshëm mes konservatorëve dhe socialdemokratëve mund të ketë zbutje të kursit të ashpër të kursimeve në Portugali. Portugezët i lidhin kursimet direkt me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Trojkën e përbërë nga BE, FMN dhe Banka Qendrore Evropiane: "Unë nuk kam asgjë kundër Trojkës. Ajo thjesht bëhet përgjegjëse për një krizë për të cilën përgjegjësinë e mbajnë vetë politikanët tanë, pasi ata kanë shfrytëzuar pushtetin e tyre për të jetuar në kurrizin e shoqërisë."

Kritika ndaj elitës politike

Nuk është rastësi që para zgjedhjeve komunale kritika ndaj përfaqësuesve politikë në Portugali, është në rritje. Politikanët lokalë gjatë rritjes ekonomike portugeze në vitet 1980 dhe 1990 i kanë përdorur të ardhurat fiskale shtesë nga bumi i imobiljeve dhe fondet nga Lisbona dhe Brukseli, për të financuar në komunat e tyre ndërtimin e banesave sociale, rrugëve, parqeve industriale dhe strukturave sportive, me pasoja pjesërisht katastrofale: "Rastet më të mëdha të korrupsionit i gjen në komuna dhe imazhi i politikës lokale është përkatësisht i keq", thotë Maria Pires de Almeida, e cila ka prezantuar një studim të gjerë për zhvillimet politike të komunave në Portugali.

Politika lokale çerdhe e korrupsionit - historiania Maria Pires de Almeida

Politika lokale çerdhe e korrupsionit - historiania Maria Pires de Almeida

Përmirësimi i dukshëm i cilësisë së jetës është edhe për shumë qytetarë në qarkun zgjedhor Oeiras më i rëndësishëm se sjellja e pamoralshme e kryetarit të tyre të bashkisë, prej shumë vitesh në detyrë. Isaltino Morais, i cili dhjetë vjetë më parë ishte pjesëtar i kabinetit të ish kryeministrit, sot president i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso, ka qeverisur në qarkun Oeiras para portave të Lisbonës për vite me radhë, si një kont i vogël province. Megjithëse është akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash dhe prej disa muajsh gjendet në burg për evazion fiskal, popullariteti i Isaltinos në disa pjesë të popullsisë vazhdon të jetë i pacënuar. Prej kësaj kërkon të përfitojë edhe pasuesi i tij. Paulo Vistas, i cili do të pasojë në detyrë si kryetar i bashkisë së Oeiras shokun e tij të partisë të përfshirë në afera korrupsioni, e merr në mbrojtje babain e tij politik: "Isaltino është në burg por kjo nuk ka rëndësi për njerëzit këtu. Drejtësia do të sqarojë të gjitha çështjet ligjore. Por zgjedhësit gjykojnë veprimtarinë politike të Isaltinos dhe rezultati i mandatit të tij qeverisës nuk ka të sharë."

Kandidatë kinse të pavarur

Pllakate elektorale të zgjedhjeve komunale në Portugali

Pllakate elektorale të zgjedhjeve komunale në Portugali

Ligji i ri elektoral, i cili kufizon mandatet e politikanëve lokalë, ka çuar në një revolucion të vogël në nivel lokal. Thuajse gjysma e të gjithë posteve të kryetarëve të bashkive do të merren nga figura të reja. Shumë kandidatë gjatë fushatës u distancuan më vetëdije nga partitë në parlamentin portugez, besueshmëria e të cilave është lëkundur që prej fillimit të krizës financiare. "Kandidatët e partive qeverisëse i vendosin logot e partive të tyre thuajse në mënyrë të padukshme në fushatë", thotë historiania Maria Pires de Almeida. "Politikanët lokalë duan të paraqiten si një forcë alternative e cila duket sikur nuk është pjesë e sistemit politik. Dhe për këtë arsye ka kaq shumë kandidatë kinse të pavarur."

Por për vëzhguesit ky është një rrezik shtesë për demokracinë portugeze. Pjesa më e madhe e politikanëve të pavarur lokalë e kanë ndërtuar gjithë karrierën e tyre politike në radhët e partive të mëdha dhe po emancipohen tani vetëm për hir të strategjisë elektorale, thotë Maria Pires de Almeida: "Pjesëmarrja në zgjedhje është gjithnjë shumë e ulët në Portugali. Një votues i ri, i cili nuk ka thuajse fare lidhje politike me partitë, ndoshta mund të bindet nga një kandidat i pavarur. Por kur dallon se ky kandidat është bashkëpërgjegjës njëlloj si politikanët e tjerë të partive për politikën e viteve të kaluara, mund të heqë dorë dhe të mos votojë më në të ardhmen."