1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koreja e Veriut kërcënon vendin fqinj dhe SHBA-në

Koreja e Veriut ka kërcënuar me sulme vendin fqinj Korenë e Jugut por dhe SHBA-në. Pheniani ka vendosur që me fqinjin jugor të ndërprejë edhe konktaktet e drejtëpërdrejta.

Vetëm pak orë pas vendimit të Këshillit të Sigurimit që të ashpërsojë sanksionet kundër saj, Koreja e Veriut ka kërcënuar me shkallëzimin e konfliktit. "Të gjitha marrëveshjet për mossulmim mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut shpallen të pavlefshme", kumtoi Komiteti për Pajtim mes dy Koreve, njofton agjecia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut. I njëjti burim njofton se është ndërprerë edhe linja e drejtpërdrejtë e komunikimit, "linja e kuqe", ndërkohë që është mbyllur edhe kanali i cili lidh këto dy vende në Panmunjon.    

Marrëveshja më e rëndësishme e paqes mes dy Koreve është nënshkruar në vitin 1991. Marrëveshja parashikon zgjidhjen e të gjitha problemeve me mjete paqësore. Ndërsa "linja e kuqe" mes Phenianit dhe Seulit është vendosur në vitin 1971 dhe ka shërbyer për zgjidhjen e problemeve akute, në nivelin më të lartë shtetëror. Koreja e Veriut ka kërcënuar edhe më parë disa herë me ndërprerjen e raporteve dhe kontakteve me Korenë e Jugut, por lidhjet janë ndërprerë vetëm dy herë gjatë kësaj periudhe. Komiteti shtetëror koreanoverior ka kumtuar poashtu se në rast të cënimit të "një centimetri të kufirit të këtij vendi", ushtria e Koresë së Veriut do të reagojë pamëshirshëm.

Sanksionet e reja

Më parë KS i OKB ka ashpërsuar sanksionet kundër Phenianit, si pasojë e provave nukleare të 12 shkurtit. KS e ka miratuar këtë rezolutë njëzëri, ndërsa projektrezolutën e kanë hartuar SHBA dhe Kina, e cila është e afërt me Korenë e Veriut. "E tërë bota është e mendimit se në gadishullin korean nuk duhet të ketë armë bërthamore. Ne kërkojmë nga Koreja e Veriut që t'i plotësojë të gjitha detyrat e saja ndërkombëtare", ka deklaruar ambasadorja amerikane në OKB Susanne Rice.

Koreja e Veriut anullon Paktin e Mossulmimit me Korenë e Jugut

Koreja e Veriut anullon Paktin e Mossulmimit me Korenë e Jugut

Qëllimi i sanksioneve është që Phenianit t'i ndëpriten burimet e financave për zhvillimin e programit atomik. Sanksionet parashikojnë mbikqyrjen e diplomatëve të këtij vendi dhe zgjerohet lista e sipërmarrjeve dhe personave, pasuritë e të cilëve jashtë vendit ngrihen. Rezoluta parashikon edhe sanksione të tjera ndaj regjimit komunist. Retorika e Koresë së Veriut ka qenë kërcënuese qysh para miratimit të këtij dokumenti. Tani regjimi koreanoverior e ka paralajmëruar SHBA se do ta sulmojë me armë atomike, si "parandalim të një sulmi të mundshëm amerikan".


Ndërsa SHBA-ja ka kumtuar se është e gatshme për mbrojtje në secilin moment nga sulmet e Koresë së Veriut. „Mund të them se SHBA-ja është e gatshme për mbrojtje", kumtoi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Ndaj tendosjeve të fundit ka reaguar edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Ai e paralajmëroi Phenianin që të heqë dorë nga programi atomik dhe nga kërcënimet. Ai ka kërkuar nga Kina që të ushtrojë presion tek Pheniani për të ndëprerë "kërcënimet dhe provokimet". Westerwelle u shpreh se e ka të qartë që Pekini ka mbështetur sanksionet ndaj Phenianit, por është po ashtu e qartë se ky vend ka përgjegjësi që Phenianit "t'i shpjegojë se me kërcënime dhe provokime nuk do të mund të shkojë larg".

Autor: Bahri Cani (dpa, dw, rtr)

Redaktoi: Auron Dodi