1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koreja e Veriut do të shfrytëzojë vakumin e pushtetit

Koreja e Veriut do të provokojë edhe më tej, për aq kohë sa Presidenti i ri i SHBA nuk është në post dhe Koreja e Jugut nuk ka president.

Qenë pamje marciale, ato që shpërndau në fundjavë agjencia koreanoveriore e lajmeve KCNA: topa artilerie hapin zjarr nga shpatet e maleve, dyzina forcash speciale hidhen me parashutë. Ato sulmojnë një kompleks ndërtesash, i cili i ngjan deri në detajet më të vogla pallatit presidencial në Seul. Më vonë, ushtarët e Koresë së Veriut i vënë atij flakën. Në një fotografi duket diktatori Kim Jong Un me dylbi dhe me të qeshura tallëse. 32 vjeçari e pati vëzhguar manovrën që prej një postë roje. Kishim të bënim me një luftë ofensive, me një agresion të simuluar ndaj fqinjit jugor, e cila e ktheu rezidencën e Presidentit në Seul në "një det flakësh", bëri të ditur KCNA.

Reagimi nga Koreja e Jugut qe i shpejtë. Po të hënën, ministria e Mbrojtjes e Seulit kërkoi nga aleati i saj në Uashington që të dërgojë më shumë aparatura vëzhgimi dhe zbulimi në Korenë e Jugut. Veç kësaj, mediet lokale informuan se u stacionuan në Korenë e Jugut 40 "raketa që çajnë bunkerët". Raketat e tipit KEPD-350 të prodhuesit bavarez të armëve Taurus kanë rreze prej 500 kilometrash dhe sipas një eksperti të armatimit të Forumit Korean për Mbrojtje dhe Siguri "janë të përshtatshme për të goditur dhomën e punës së Kim Jong Unit".

 Kim Jong Un gjatë manovrës

Kim Jong Un gjatë manovrës

Strategjia e SHBA ndaj Koresë e paqartë

Pesha politike në Gadishullin Korean ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Sanksionet e OKB-së kundër regjimit të Phenianit linin pak hapësirë veprimi për afrime reciproke të të dyja shteteve koreane.

Në fillim të nëntorit Donald Trump u zgjodh President i SHBA. Fituesi i papritur shkaktoi pakënaqësi me deklaratat e tij në fushatën elektorale. Trumpi për shembull kërcënoi se do t'i tërheqë rreth 30.000 ushtarët amerikanë të stacionuar në Korenë e Jugut, nëse partnerët e aleancës nuk do të marrin përsipër një pjesë më të madhe të shpenzimeve. Njëkohësisht ai shpalli se është i gatshëm në çdo kohë për bisedime direkte me diktatorin Kim Jong Un, për ta përgojuar atë pak më vonë, në mënyrë jo shumë diplomatike si "me të meta mendore". "Trumpi me sa duket po shqyrton të gjithë spektrin, që nga bisedimet serioze deri në goditje ushtarake", tha eksperti i njohur për Korenë e Veriut, John Delury në intervistë me shtypin e SHBA.

Pastaj pasoi kriza politike në Korenë e Jugut. Të premten, Parlamenti në Seul vendosi të nisë procedurën për largim nga posti të Presidentes Park Geun-hye. Presidenti i përkohshëm i shtetit, Hwang Kyo-ahn konsiderohet si mbështetës i vijës së ashpër dhe konservator. Një orë pas marrjes së postit, në një mbledhje të kabinetit të tij, ai e detyroi atë të pranonte se nga Pheniani kërcënonte rrezik dhe që ai mund ta përdorte vakumin e përkohshëm të pushtetit në Seul. Në vitin 2016 regjimi koreanoverior pati kryer dy prova bërthamore dhe pati dërguar një satelit në hapësirë.

Por në Korenë e Jugut supozohet gjerësisht se në vitin 2017 presidenti i ri do të vijë nga opozita e majtë. Të gjithë kandidatët kërkojnë një kthesë në politikën e tanishme ndaj Koresë së Veriut. Njeri prej kandidatëve, Park Won Soon, aktualisht kryetar bashkie i Seulit kërkon afrim ekonomik dhe kulturor me Korenë e Veriut. Ai e ka quajtur Korenë e Veriut "urë për në Euroazi". Opozita kërkon edhe që të anulohet vendosja e sistemit amerikan të raketave THAAD. Këtë e kundërshton edhe pjesa më e madhe e koreanojugorëve, sipas një sondazhi. Edhe Kina shikon te THAAD një sulm ndaj sovranitetit të saj.