1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Koordinimi mes institucioneve jep efekte në përdorimin e të drejtës së autorit

Komisioni Europian dhe Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale nëpërmjet programeve dhe projekteve konkrete po nxisin vendet e rajonit për respektimin e standardeve në fushën e të drejtës ë autorit.

E drejta e autorit, si pjesa e legjislacionit që merret me mbrojtjen e veprave krijuese për ti dhënë të drejta eskluzive autorit dhe për të ndaluar në një afat të caktuar përdorimin e saj nga të tjerët, është një çështje për të cilën vendet e rajonit kanë shumë për të bërë. Projektet dhe programet bashkëpunuese që mbështeten nga Komisioni Europian dhe Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale janë fokusuar tek përhapja e eksperiencës, shkëmbimi i informacionit, përmirësimi i legjislacionit, njohja e praktikës së vendeve anëtare të BE-së etj. Ku më pak dhe ku më shumë vendet e Ballkanit Përendimor përballen me këto probleme. Kjo u evidentua dhe në një takim pak kohë më parë mes ekspertëve dhe zyrtarëve të kësaj fushe nga Bosnjë Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Albanien Muje Bucpapaj Urheberrechtsamt Patenamt

Mujë Bucpapaj - drejtori i ZSHDA në Tiranë

Mujë Buçpapaj, drejtor i Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit, ZSHDA, shprehet se kooperimi rajonal është i pashmangshëm, në kuadër të nevojës për luftë të përbashkët kundër trafikut ndërkombëtar të veprave muzikore, kinematografike etj., që lidhen direkt me të drejtat e autorit. “Ajo që vihet re në të gjitha vendet e rajonit është niveli ende i ulët i ndërgjegjësimit të përdoruesve për detyrimet që ata kanë në aspektin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura, si koncepte morale, ligjore dhe ekonomike. Përshembull Shqipëria është burim veprash artistike, muzikë, filma, botime të ndryshme etj., të cilat shpërndahen në vendet e rajonit për shqipfolësit, duke u bërë një shqetësim në shpërdorimin e të drejtës së autorit”- thotë Buçpapaj për DW.

Kundër “piraterisë së kohës digjitale”

Pirateria nëpërmjet internetit dhe programeve kompjuterike, ose siç thiret “pirateria e kohës digjitale” është një tjetër problem i përbashkët i vendeve të rajonit, kjo e amplifikuar nga futja në përdorim e teknologjive te reja, zgjerimit të aksesit në internet nga popullata dhe përdorimi i rrjeteve sociale. Kompania Business Software Alliance, një nga partnerët e USAID-it në Shqipëri ka realizuar një studim së fundmi për nivelin e piraterisë nëpërmjet internetit dhe programeve kompjuterike. Për Shqipërinë niveli është rreth 72 përqind. Ndërkohë që në Greqi është rreth 65 përqind, në Serbi 60 përqind dhe rreth këtyre shifrave janë dhe Mali i Zi, Maqedonia e Bosnjë Hercegovina. Në një kohë që është rritur shkalla e përdorimit dhe aksesit që qytetarët kanë në internet, në anën tjetër dhe pirateria në formën e shkarkimit të muzikës e filmave është shumë e lartë. Rreth 80 përqind e të ardhura që vijnë nga përdorimi i të drejtës së autorit janë nga fusha e muzikës, ndaj dhe muzika mbetet më e ekspozuar ndaj fenomenit të piraterisë.

Mujë Buçpapaj, nga ZSHDA mendon se mungesa e koordinimit të punës mes institucioneve ka eksperienca të ndryshme në rajon. “Në vendin tonë ZSHDA ende nuk po gjen atë mbështetje që duhet nga institucione të tjera si Prokuroria, Tatimet, Doganat, Gjykatat etj. Nga viti 2008 dhe deri më sot nuk është vjelë asnjë taksë e vendosur. Bëhet fjalë për një shumë që shkon në rreth 2.5 milion euro”.

Mbledhja e detyrimeve nga përdorimi i të drejtës së autorit

Liberalisierung der EU-Visa für Albanien Tirana Feierlichkeiten Flash-Galerie

Tirana

Siç dhe doli nga takimi rajonal në Bosnjë Hervegovinë në dy vitet e fundit ka ndryshime pozitive, së pari duke aktivizuar në terren rreth 150 inspektorë, ose 25 fish më tepër, të cilët kontrollojnë çdo zonë të vendit. Serbia ka aktivizuar një task forcë që po mbledh të gjitha detyrimet e subjekteve nga përdorimi i të drejtës së autorit, duke vënë në pozita detyruese çdo përdorues. Kosova është me pak vite angazhim në këtë proces, por atje është arritur ndryshimi i kodit penal, duke u ashpërsuar për abuzimet me përdorimin e të drejtës së autorit. Nga gushti i këtij viti kur ka filluar zbatimi i ndryshimeve ligjore ka efekte konkrete në mbledhjen e detyrimeve të prapambetura. Në një kohë që në Shqipëri pritet të miratohet ligji i ri dhe pritet të bëhën ndryshime në kodin penal. Ligji është në bazë të standardeve të BE-së.

Nga vendet e rajonit e drejta e autorit nuk vlerësohet thjesht si koncept moral, ligjor dhe ekonomik për mbajtësin e kësaj të drejte, por duke e parë më gjerë se sa ajo ndikon në zhvillimin e një vendi, në krijimin e të ardhurave, punësimin etj. Në Slloveni kontributi i përgjthshëm i industrive të bazuara tek e drejta e autorit shkon në 4,2 milionë euro në vit, që përfaqëson 5.8 përqind te GDP-së, e përkthyer në një tregues tjetër konkret, është baraz me hapjen e 54 mijë vendeve të punës.

Në Kroaci të ardhurat që vijnë nga kontributi i përgjthshëm i industrive të bazuara tek e drejta e autorit shkon në 4,7 përqind të GDP, me 65 mijë të punësuar, në Rumani të ardhurat janë 3.7 përqind. Po në Shqipëri? Një studim i mbështetur nga Komisioni Europian i iniciuar para 2 vitesh është duke dështuar nga mungesa e informacionit dhe mbledhja e të dhënave në këtë drejtim. Por niveli i respektimit të të drejtave të autorit është një nga kërkesat në integrimin e vendit në BE. Në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit është një nen i veçantë në përmbushjen e standardeve në këtë fushë.