1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Konvoi rus (nuk) mund të futet në Ukrainë

Konvoi rus me ndihma do të mbërrijë sot (13.08.2014) në kufi me Ukrainën. Por autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se ndihmat ruse mund të hyjnë në territorin e saj vetëm nëse vijnë nën flamurin e Kryqit të Kuq.

Ndihmat ruse

Ndihmat ruse

Qeveria në Kiev ka kërkuar nga Moska që kolona prej 280 automjetesh ruse me ndihma për njerëzit në Lindje të këtij vendi të futen nën kontrollin e Kryqit të Kuq. Ndryshe do të jetë e pamundur që konvoi rus të futet dhe të kalojë nëpër territorin e Ukrainës, kumtoi zyra e Presidentit të Ukrainës Poroshenko. Pala ukrainase dhe bashkësia ndërkombëtare kanë frikë nga mundësia e ndërhyrjes ruse në Lindje të Ukrainës, me shpjegimin se fjala është për një ndërhyrje humanitare. Ndaj kanë kërkuar që të largohen nga kufiri ruso-ukrainas rreth 20.000 ushtarët rusë, sa janë grumbulluar së fundi. Ushtria ukrainase ka kumtuar ndërkohë se ka vënë nën kontroll disa vende të rëndësishme në Lindje të Ukrainës, të cilat më parë janë kontrolluar prej seperatistëve prorusë.

Sanksionet e Ukrainës kundër Rusisë

Ndihmat ruse

Kolona nuk mund të kalojë pa leje.

Parlamenti në Kiev ka nisur një debat për sanksionet kundër Rusisë. Projektligji parashikon një paketë masash të cilat ndër tjerash parashikojnë edhe ndalimin e kalimit të gazit rus përmes territorit të Ukrainës drejt vendeve perëndimore. Vendet perëndimore kanë paralajmëruar edhe më parë për një mundësi të tillë. Kancelarja gjermane Angela Merkel angazhohet për vazhdimin e negociatave me Presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin, me shpresë se do të gjendet ndonjë zgjidhje paqësore e krizës në Ukrainë. Për gazetën "Sächsischen Zeitung" ajo ka deklaruar se "angazhohet shumë për vazhdimin e bisedimeve me Presidentin Putin, përkundër sanksioneve kundër Rusisë, të miratuara nga Bashkimin Evropian."