1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Konventa që do të rilegjitimojë Evropën

Populistët dhe euroskeptikët ishin fituesit kryesorë të zgjedhjeve evropiane. Një aleancë e gjerë synon të rinegociojë kompetencat e BE dhe t'i bëjë ato të afërta për qytetarët. Por rruga është e gjatë.

Është një projekt, që e duan gati të gjithë, por duket sikur kurrë nuk vjen momenti i duhur për të: Konventa Evropiane. Kjo asamble me përfaqësues nga të gjitha shtetet anëtare duhet të mblidhet atëherë, kur duhen bërë ndryshimet në traktatet e BE-së. Tani një koalicion i OJQ-ve, sindikatave dhe ekspertëve të ekonomisë përpiqen të mbështesin konventën, e cila parashikohet në nenin 48 të Traktatit të Lisbonës. "Ne kemi nevojë për një konventë, për ta bërë Evropën më demokratike dhe sociale", thotë Reiner Hoffmann, kryetar i Federatës së Sindikatave gjermane (DGB).

Gerald Häfner i iniciativës "DemocraticEuropeNow" shpreson për një integrim më të gjerë të shoqërisë. Të dielën e kaluar kemi votuar, por kjo nuk mjafton", thotë Häfner, të cilin e shqetëson fakti, që vendimet e rëndësishme për mbarëvajtjen e BE merren nga kryetarët e shteteve pas dyerve të mbyllura. "I gjithë pushteti shtetëror buron nga populli, kjo duhet të vlejë edhe për Evropën."

Reiner Hoffmann, kryetar i Federatës së Sindikatave gjermane

Reiner Hoffmann, kryetar i Federatës së Sindikatave gjermane

Sipas vëzhgimeve të aleancës 1400 kandidatë të zgjedhjeve të fundit evropiane janë shprehur për një konventë të tillë, 150 janë zgjedhur në Parlamentin Evropian (PE). Sipas Gerald Hafner në Gjermani të gjitha partitë e mëdha, CDU / CSU, SPD, Të Majtët dhe të Gjelbrit, do të ishin për një konventë. Për këtë ka konsensus edhe në mesin e sindikatave evropiane, pohon edhe Hoffmann.

Bashkimi Europian në transformim

Pas aprovimit të gjerë, të paktën teorik, për një model të tillë qëndron bindja se BE ka ndryshuar në dekadat e fundit dhe ka marrë shumë kompetenca të reja, pa qenë me të vërtetë të legjitimuara në mënyrë demokratike nga qytetarët e Evropës. Këtu bën pjesë mekanizmi i stabilizimit ESM, trojka dhe pakti i përbashkët fiskal. Ështe krijuar një klimë e distancimit, mendojnë anëtarët e iniciativës së konventës, gjë që ka bërë që edhe partitë euroskeptike të kënë rezultate aq të mira. "Eshtë urgjente, që të rregullojmë të metat e BE-së në internet", thotë shefi DGB, Hoffmann.

Ka patur dy herë një konventë në BE dhe partizanët e planit mbipartiak për një "Evropë më demokratike" nuk janë shumë të kënaqur me modelet e mëparshme. Qoftë konventës themeluese (1999-2000), qoftë konventës kushtetuese (2002-2003) i ka munguar transparenca dhe legjitimiteti. Pastaj nuk është arritur që qytetarët e Europës të aktivizohen në një debat të gjërë lidhur me përmbajtjen, edhe për arsye se koha për diskutime ishte e pakët. "Sidomos të rinjtë kanë ndjenjën, se pyeten shumë pak sidomos në vendimet e rëndësishme", ankohet Häfner.

Konventa përballë qeverive

"Çështja e konventës është një çështje pushteti në Evropë", thotë Häfner nga "DemocraticEuropeNow". Ai thotë se qeveritë nuk janë shumë të gatshme për të, sepse në këtë mënyrë atyre do t'u ikë nga dora shumë nga pushteti vendimmarrës. "Unë nuk kam iluzione, ne duhet ta fitojmë atë kundër qeverive." Aleanca për konventën shpreson në mbështetjen e parlamenteve kombëtare dhe të Parlamentit Evropian.

Në fund presidenti i Këshillit Evropian duhet të thërrasë konventën. Kjo mund të iniciohet nga Komisioni, qeveria e një shteti anëtar, ose nga Parlamenti Evropian. Në traktatet e BE-së shkruhet, se ajo është e përbërë nga përfaqësues të parlamenteve kombëtare, të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të shteteve anëtare, të Parlamentit Europian dhe Komisionit. Veçanërisht e rëndësishme për iniciatorët është që planet e konventës t'u paraqiten të gjithë qytetarëve të Evropës për vendim. Häfner premton: "Pastaj në djepin e Evropës së re të bashkuar janë më shumë se vetëm vendimet e kryetarëve të shteteve dhe qeverive, por vetë qytetaret dhe qytetarët."