1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kontrolli normal është i nevojshëm - Reagimi i Brukselit ndaj planeve të qeverisë kosovare

15 Shtator 2011

Prishtina zyrtare ka plan që me 16 shtator punonjësit e doganave të Kosovës, me EULEX-in, të vijnë në kalimet kufitare në veri të Kosovës. Por Brukseli thotë se po bisedohet ende për mundësitë e zgjidhjes.

https://p.dw.com/p/12ZwT
Logo e policisë së Kosovës në uniformën e një polici.
A do të marrë policia kosovare në kontroll pikat kufitare me Serbinë në 16 shtator? Policia e KosovësFotografi: picture-alliance/dpa

Fjala është për zbatimin e marrëveshjeve për vulat doganore, e arritur gjatë raundit të fundit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës", thotë Maja Kocijančić, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane. Qëllimi ynë është që marrëveshja e arritur të zbatohet në praktikë. Kjo është një marrëveshje për të cilën kanë rënë dakord si Beogradi ashtu edhe Prishtina. Ajo, me t'u zbatuar do të ketë menjëherë ndikim pozitiv në terren."

Si do të vendoset normaliteti?

Edhe gjatë raundit të gjashtë të dialogut në Bruksel, në fillim të këtij muaji, pala serbe theksoi se marrëveshja e re për vulat doganore në asnjë mënyrë nuk paragjykon statusin, ose funksionimin e kalimeve kufitare Jarinje dhe Brnjak, ku për Beogradin është "absolutisht e papranueshme e ashtuquajtura dogana e Kosovës." Nga ana tjetër delegacioni i Prishtinës njoftoi që atëherë, se "në zbatimin e marrëveshjes do të përfshijë me kapacitete të plota kontrollin në të gjitha kalimet, duke përfshirë edhe ato të jashtme, Jarinje dhe Brnjak."

Bllokimi i pikës kufitare me Serbinë, Jarinje nga serbët në muajin korrik.
Do të vendosin serbët sërish bllokada në 16 shtator?Fotografi: dapd

Marrëveshja e arritur në mes KFOR-it, Prishtinës dhe Beogradit në gusht, në bazë të së cilës ruajtja e kufijve bëhet nga trupa ndërkombëtare e mbrojtjes, skadon me 15 shtator. Në Bruksel as zyrtarët dhe as analistët nuk duan të spekullojnë për rezultatin e mundshëm të zbatimit të marrëveshjes së re.

Duke theksuar se Kosova është territor doganor unik Kocijančić shton: "Qëllimi ynë është të forcojmë sundimin e ligjit dhe kjo do të jetë në të mirë të gjithë njerëzve, që jetojnë në Kosovë."

Misioni evropian në Kosovë, EULEX, ka informuar zyrtarët serbë në veri të Kosovës se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut dhe se pas 16 shtatorit në të gjitha vendkalimet do të futet "kontrolli i plotë doganor"

"Kontrolli normal është i nevojshëm për të krijuar një sistem normal, për të luftuar krimin dhe për të mbrojtur  komunitetin. Detajet se si mund të jetë, janë akoma në zhvillim," përfundoi Maja Kocijančić.

Autor: Marina Maksimovic/Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani