1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kontrolli i armatimit ushtarak në vendet e OSBE-së

Shqipëria është palë në marrëveshjen e vendeve anëtare të OSBE-së për bashkëpunim në kontrollin e armatimit. Ky proces përbën një nga shtyllat e politikës së përbashkët të sigurisë evropiane. Por çfarë është ky kontroll?

Në foto, Kostandin Ligori

Në foto, Kostandin Ligori

Nëse ka një organizatë ndërkombëtare që është krijuar enkas për të garantuar sigurinë e përbashkët evropiane kjo është OSBE-ja. Kontrolli i armatimit ushtarak efikas në secilin vend anëtar të OSBE-së është një nga parakushtet e realizimit të këtij misioni. Që prej vitit 1999, në bazë të një marrëveshjeje, të njohur si “Dokumenti i Vjenës” vendet anëtare të OSBE-së, pranojnë kontrollin dhe inspektimin reciprok të armatimit të tyre ushtarak. Shqipëria është një ndër vendet që e ka nënshkruar këtë dokument. Inis Noçka, drejtore në Ministrinë e Mbrojtjes për integrimin evropian, ku bën pjesë edhe sektori i kontrollit të armatimit ushtarak, thotë për programin shqip të DW-së se detyrimet që rrjedhin nga ky dokument për Shqipërinë shtrihen në dy plane: “Shqipëria ka nga njëra anë detyrimin për të qënë një vend i sigurtë në kuadër të të qënit vend kandidat potencial për anëtarësim në BE dhe nga ana tjetër detyrimet që rrjedhin nga politikat për sigurinë e përbashkët evropiane dhe mbrojtjen kolektive.”

Çfarë është kontrolli i armatimit ushtarak?

Armatimi ushtarak që çdo vend ka për mbrojtjen e tij përbën njëherazi edhe rrezik për sigurinë individuale dhe atë kolektive. Prandaj për armatimin ushtarak OSBE-ja kërkon nga vendet anëtare informacion, kontroll, inspektim, të tëra transparente. Dhe mbi të gjitha mirëbesim dhe bashkëpunim. Dokumenti i Vjenës parashikon që secili vend anëtar i OSBE-së, nënshkrues i këtij dokumenti, duhet të japë kontributin e tij në realizimin e kontrollit të armatimit ushtarak efikas. Ky kontribut fillon nga raportimi i detajuar mbi armatimin ushtarak që posedon secili vend dhe plotësimi i saktë i formularëve standart të OSBE-së, me të gjitha koordinatat ku ndodhet armatimi dhe deri tek pjesëmarrja në kontrollin dhe inspektimin e armatimit në një vend tjetër anëtar të OSBE-së.

Nënkolonel Kostandin Ligori, shef i sektorit të armë kontrollit në Ministrinë e Mbrojtjes, thotë për programin shqip të DW-së se Dokumenti i Vjenës ka krijuar mundësi për besueshmëri dhe transparencë mes vendeve anëtare të OSBE-së lidhur me armatimin ushtarak. Ai shpjegon se si rregull kontrollin e armatimit ushtarak në një vend anëtar të NATO-s e bën një vend që nuk është anëtar. “Kontrollohet armatimi i rëndë i artilerisë, i transportuesve të blinduar, i tankeve. Ky kontroll i kryer në një vend anëtar të OSBE-së nga një vend tjetër po anëtar ose nëse bëhet fjalë për një vend anëtar të NATO-s, kontrolli bëhet nga një vend anëtar i OSBE-së por jo i NATO-s. Kontrolli bëhet në detaje dhe në transparencë maksimale. Në procedurat e kontrollit bën pjesë edhe informimi për zhvillimin e manovrave ushtarake të nivelit të lartë,” thotë nënkolonel Ligori.

Këtë vit kontrollin e armatimit ushtarak në Shqipëri e kreu Rusia kurse Shqipëria kontrolloi armatimin ushtarak në Qipro. Vitin e ardhshëm, 2012, këtë kontroll në Shqipëri do ta kryejë Gjermania bën të ditur, nënkolonel,Kostandin Ligori.

Marrëveshja e Dejtonit i jep rol rajonit në kontrollin e armatimit ushtarak

Ndërkohë në kontrollin e armatimit ushtarak hyn në lojë edhe Marrëveshja e Dejtonit, (Dayton Agreement) e vitit 1995 që i dha fund luftës në Bosnjë- Hercegovinë. Në nenet e saj parashikohen marrëveshje dypalëshe mes vendeve të rajonit nga njëra anë dhe nga ana tjetër mes një vendi të rajonit dhe një vendi të BE, anëtar të OSBE-së. “Marrëveshja e Dejtonit krijon mundësi që Shqipëria përshembull të ftojë inspektorë nga një vend i rajonit për të bërë inspektimin e armatimit të saj ushtarak ose anasjelltas duke hapur kështu mundësi të bashkëpunimit rajonal edhe në fushën e kontrollit të armatimit ushtarak”, thotë Inis Noçka, drejtore për integrimin evropian në Ministrinë e Mbrojtjes.

Që prej një muaji ka hyrë në fuqi “Dokumenti i Vjenës 2011”. Nënkolonel, Kostandin Ligori, thotë që ky dokument nuk është gjë tjetër, veç një përditësim i atij të vitit 1999 në bazë të përvojës së fituar në 12 vjet të zbatimit të tij. Në këtë përditësim një rëndesi e posaçme i jepet përcaktimit të qartë të kontributit të secilit vend, në atë që njihet si “siguria evropiane bashkëpunuese”. Dokumenti pasqyron mundësi të reja për bashkëpunim mes OSBE-së dhe aktorëve ndërkombëtarë si NATO në fushën e kontrollit të armatimit ushtarak dhe rritjes së sigurisë dhe stabilitetit. Këto mundësi u diskutuan së fundi edhe në një simpozium ndërkombëtar të zhvilluar në Tiranë për çështjet e kontrollit të armatimit ushtarak në 56 vendet anëtare të OSBE-së. Shqipëria dhe vendet pjesëmarrëse, mes të cilave edhe Gjermania, ndanë të njëjtën pikëpamje që kontrolli i armëve është një çështje e pandashme, sa ushtarake aq edhe politike. Sfida e përbashkët mbetet rritja e sigurisë bashkëpunuese evropiane.

Shqipëria në procesin e modernizimit të armatimit të saj ushtarak

Dokumenti i Vjenës 2011, e gjen Shqipërinë vend anëtar të NATO-s dhe në procesin e modernizimittë armatimit të saj ushtarak. “Modernizimi ka filluar me Forcat Ajrore. Deri në vitin 2014 do të blihen edhe helikopterë që kryejnë si rol luftarak ashtu edhe për operacionet e shpëtim- kërkimit. Ndërkohë që po rriten kapacitetet e reparteve të forcave tokësore”, thekson nënkolonel Kostandin Ligori.

Në vitin 2013 Shqipëri përfundon procesin e demontimi të stokut prej 200 mijë tonësh të armatimit sovjeto- kinez dhe zëvendësimin e tij me armatim ushtarak modern, në përputhje me standartet e një vendi anëtar të NATO-s.

Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Esat Ahmeti