1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kontrollet policore për shkak të ngjyrës së lëkurës nuk lejohen

Gjykata e Lartë Administrative e Koblencit i ndalon policisë në të ardhmen kontrollet mbi bazën e ngjyrës së lëkurës. Me këtë merr fund një grindje juridike dyvjeçare midis policisë federale dhe një studenti nga Kaseli.

Kontrollet etnike ndalohen

Kontrollet etnike ndalohen

Në dhjetor 2010, studentit atëherë 25 vjeçar të arkitekturës me pasaportë gjermane dhe me lëkurë të errët iu drejtuan dy policë federalë. Policët kërkuan të shohin pasaportën e të riut, por ai e ndieu veten të diskriminuar dhe nuk pranoi t'ua tregonte. Kjo mënyrë veprimi të kujton "metodat nacionalsocialiste", pati thënë veç kësaj studenti i zemëruar, pas kësaj një polic e paditi për fyerje. Gjatë procesit gjyqësor, i cili kaloi në disa instanca, njëri nga policët deklaroi fare hapur se ai e pati kontrolluar studentin edhe për shkak të ngjyrës së lëkurës - kjo sipas tij është praktikë e zakonshme. Pas kësaj, studenti paraqiti një aktpadije për diskriminim kundër policisë federale.

Instanca të ndryshme - vendime të ndryshme

Gjykata Administrative e Koblencit vendosi në mars 2012 se kontrolli kish qenë në rregull. Për të ndaluar emigrimin ilegal, policisë i lejohet të bëjë kontrolle sporadike edhe duke u nisur nga ngjyra e lëkurës. Gjykata e Lartë Administrative në Gjermani tani e hodhi poshtë këtë vendim dhe i dha të drejtë studentit në argumentimin e tij.

Ngjyra e lëkurës nuk duhet të jetë kriteri vendosës për kontrollin e pasaportës, vlerësuan gjykatësit e Gjykatës së Lartë Administrative në Koblenc. Kjo mënyrë veprimi është një shkelje e qartë e ndalimit të diskriminimit në nenin 3 të kushtetutës gjermane. "Askush nuk lejohet të diskriminohet ose privilegjohet për shkak të gjinisë, origjinës, racës, gjuhës së tij, atdheut, besimit të tij, pikëpamjeve të tij fetare ose politike."

Kontrolle me kritere jo diskriminuese

Kontrolle me kritere jo diskriminuese

Sindikata të ndryshme policie - vlerësime të ndryshme

Në radhët e policisë ky vendim u prit në mënyra të ndryshme. "Gjykatat përkujdesen në aspektin intelektual për drejtësinë, por nuk orientohen në praktikë." Kjo ishte kritika e kryetarit federal të Sindikatës Gjermane të Policisë, Rainer Wendt. Puna policore vështirësohet nga direktivat e gjykatave. Kjo, tek sindikata "konkurente", Sindikata e Policisë Gjermane (GDP) shihet krejt ndryshe. Përfaqësuesi i kësaj sindikate Josef Scheuring i tha DW se është i irrituar për deklaratat e Wendt-it. "Ai nuk përfaqëson shumicën e policisë gjermane dhe krijon një tabllo, e cila është e padrejtë për policinë gjermane." Vendimi i Gjykatës së Lartë Administrative sigurisht që pranohet dhe ai nuk e pengon në asnjë mënyrë punën e policisë, tha Scheuring.

Veprimtarë të të drejtave të njeriut e përshëndesin vendimin

Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International shprehu lehtësimin që Gjykata e Lartë Administrative e anulloi vendimin e instancës së parë. "Ne e përshëndesim vendimin si sinjal të rëndësishëm kundër diskriminimit në kontrollet e personave", i tha Alexander Bosch, ekspert për policinë dhe të drejtat e njeriut DW. Vitet e fundit, tek amnesty international është shtuar numri i personave me origjinë migrantësh që ankohen për kontrolle të tilla diskriminuese.