1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kontrolle për shkak të ngjyrës së lëkurës

Për herë të parë një gjykatë vendosi se ngjyra e lëkurës mund të jetë shkak për një kontroll pasaporte. Po shkelet e drejta themelore për mbrojtje nga diskriminimi?

Kontroll pasaportash në trenin rajonal nga Kaseli në Frankfurt-mbi-Main: pak para stacionit të radhës dy policë të kufirit i kërkojnë një burri me lëkurë të errët të tregojë dokumentin e identifikimit. Ai refuzon. Policët e arrestojnë. Në stacionin e tyre të shërbimit më vonë ata gjejnë dokumentet në çantën e tij shpinës. "Imigracioni i paligjshëm është rritur me 20 për qind vetëm vitin e kaluar" mbron kolegët e tij Josef Scheuring nga sindikata e policisë. "Ne supozojmë se shifra e errët është shumë e lartë. Kjo i justifikon kontrollet më të ashpra", thotë Scheuring.

Ajo që tingëllon fillimisht si një mision rutinë i policisë kufitare, një çerek viti më vonë solli një vendim gjyqi, i cili ngjalli shumë vëmendje dhe jo vetëm në aspektin juridik. Në Gjykatën Federale Administrative në Koblenc një prej policëve tregon hapur kriteret e tij në vendimin për kontrollet: "Ai i drejtohet njerëzve, të cilët i duken si të huaj", thuhet në argumentimin e vendimit, i cili u publikua të mërkurën (28.3.2012). Më tej thuhet: "Kjo ka të bëjë me ngjyrën e lëkurës por edhe me faktin nëse udhëtari ka me vete bagazh apo nëse qëndron vetëm diku në tren. Paditësi në këtë rast ra në sy për shkak të ngjyrës së lëkurës." Për gjykatën ky shpjegim konsiderohet i lejueshëm, padia e shtetasit gjerman me sfond migracioni u hodh poshtë.

Kontrollet e policisë mbi bazën e ngjyrës lejohen

Kontrollet e policisë mbi bazën e ngjyrës lejohen

Kontrolle të udhëtarëve me pamje të huajsh

Në praktikë kjo do të thotë se udhëtarët në Gjermani mund të kontrollohen nga policia për shkak të karakteristikave etnike. Gjykata Administrative në Koblenc me vendimin e saj synon të sigurojë "efiçencën e punës së policisë" në kontrollin e imigracionit ilegal, deklaron zëdhënësi për shtyp Christoph Gietzen: "I vetmi kriter logjik është pamja e jashtme e një njeriu. Në kontrollet e rastësishme, pa bazë dyshimi, që kryen policia kufitare gjermane nuk ka tjetër kriter". Pa bazë dyshimi do të thotë që mund të kontrollohen dokumente identifikimi pa një dyshim konkret për një akt penal.

Sipas vlerësimit të gjykatës është e lejuar që punonjësit e policisë të orientohen "tek ngjyra e lëkurës, gjuha apo veshja" me qëllim që "të kapërcehen ngushticat në kapacitete në punën e policisë." Kjo është megjithatë e ligjshme vetëm "kur ka dijeni nga policia se në pjesë të caktuara të rrugës hekurudhore ndodhin hyrje të paligjshme të të huajve apo shkelje të ligjit për qëndrimin në Gjermani."

"Ethnic Profiling" në policinë kufitare

Përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut në Gjermani e kritikojnë vendimin ashpër pasi asnjëherë më parë në ndonjë gjykatë gjermane ngjyra e lëkurës nuk është deklaruar kaq hapur si arsye për kontrolle. "Vendimi i gjykatës së Koblencit është një shkelje e së drejtës themelore për ndalimin e diskriminimit racor", thotë Petra Follmar-Otto nga Instituti gjerman për të Drejtat e Njeriut.

Autor: Johanna Schmeller/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi