1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kontroll në shtëpinë e ish-zëdhënësit të Presidentit Wulff

Polemika rreth Presidentit gjerman Christian Wulff vazhdon. Në shënjestër të prokurorisë tani është edhe ish-zëdhënësi i tij, Olaf Glaeseker. Ai akuzohet për korrupsion.

Olaf Glaeseker dhe Christian Wulff.

Olaf Glaeseker dhe Christian Wulff

Në Hanover prokuroria të enjten (19.01.'12) kontrolloi banesën private të Olaf Glaeseker, për kohë të gjatë zëdhënës i presidentit Christian Wulff, i pushuar në vazhdën e skandalit për kredinë imobiliare të Presidentit. Edhe ambjentet e banimit dhe zyrat e menaxherit të evenimenteve Manfred Schmidt u kontrolluan me porosi të prokurorisë së Hanoverit. Gaeseker dhe Schmidt akuzohen për korrupsion dhe pranim korrupsioni, tha kryeprokurori Hans-Jürgen Lendeckel.

Manfred Schmidt

Manfred Schmidt: bastisen edhe zyrat e tij.

Hetime pas informacioneve në medie

Në 22 dhjetor, pas fillimit të skandalit për kredinë imobiliare, Wulff në mënyrë të papritur u nda ai që kishte qenë për vite me radhë njeriu i tij i besuar. Argumentim zyrtar për këtë hap nuk u dha. Por mediet njoftuan se shkarkimi i Olaf Glaeseker kishte të bënte me pushime falas, që Glaeseker kishte pranuar nga menaxheri Manfred Schmidt.

Prokuroria e Hanoverit i argumentoi kontrollet me informacionet në medie dhe hetimet e veta: ekziston dyshimi se Glaesker si zëdhënës i qeverisë në Niedersachsen mes viteve 2007 dhe 2009 ka mbështetur për interes vetjak serinë e aktiviteteve "Dialogu Veri-Jug" të menaxherit Schmidt. Në këmbim ai ka përfituar disa herë pushime falas në shtëpitë e pushimit të Schmidt, deklaroi prokuroria.

Hetuesit sigurojnë dokumente të shtypura dhe në kompjuter

Punonjësit e zyrës së kriminalistikës së landit kontrolluan edhe shtëpinë e Glaeseker në Wunstorf në Niedersachsen, si dhe ambientet private dhe zyrat e Schmidt në Berlin dhe Zvicër. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente të shtypura dhe në kompjuter, të cilat tani do të vlerësohen. Kërkimet synojnë gjetjen e dokumenteve lidhur me aktivitetet "Dialogu Veri-Jug", me pushimet si dhe për "lidhjet e punës dhe private mes të akuzuarve."

"Dialogu Veri-Jug" ishte një takim ekonomik i organizuar privatisht, në të cilin do të prezantoheshin sipërmarrje nga Niedersachsen dhe Baden-Württemberg. Patronazhin e takimit e kishin Wulff dhe ish-kryeministri i Baden - Württembergut, Günter Oettinger. Takimi financohej nga sponsorë nga ekonomia. Në medie ishte ngritur pyetja nëse Wulff ka ndihmuar në gjetjen e sponsorizuesve.

Kërkesa për dorëheqjen e Wulff-it ndan Gjermaninë

Christian Wulff

Hapet prap debati pë dorëheqjen e Presidentit Wulff.

Gjermanët vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme nëse Presidenti duhet të japë apo jo dorëheqjen për shkak të skandalit me kredinë imobiliare dhe ndërhyrjen në medie. Në një sondazh aktual të kanalit të parë televiziv gjerman ARD, 46 për qind e gjermanëve ishin pro largimit të Wulff-it. 45 për qind mendonin se Presidenti duhet të qendrojë.

Që prej mesit të dhjetorit Presidenti Wulff është në qendër të kritikave për shkak të një kredie për shtëpinë e tij private, për shkak të pushimeve të kaluara tek miq të kamur dhe për shkak të sjelljes së tij me mediet.

Autor: Naima El Moussaoui (afp, dpa, dapd)/Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani

DW.COM