1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

'Kontributi i ushtrisë shqiptare - më kompleks pas anëtarësimit në NATO'

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami thotë ekskluzivisht për Deutsche Welle-n se Shqipëria ka detyrime si vend anëtar i NATO-s. Ai thotë se ushtria shqiptare do të ngrejë nivelin e angazhimit jashtë vendit.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Arben Imami flet për sfidat si vend i NATO-s

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Arben Imami flet për sfidat si vend i NATO-s

DW: Cili është aktualisht kontributi i ushtrisë shqiptare jashtë territorit të vendit?

Imami: Shqipëria është e angazhuar me trupa në Çad me 63 trupa. Është prezente me 13 trupa në Bosnjë. Ka një numër oficerësh të shpërndarë në komanda të ndryshme të NATO-s dhe në inciativa rajonale. Pjesa kryesore e forcave tona janë në Afganistan me 2 kompani në Herat, nën komandën italiane dhe në Kabul, ku veprohet nën komandën turke.

DW: Duke mbetur tek anagazhimi në Afganistan, qeveria shqiptare ka vendosur së fundi që të përfshihet dhe në objektiva jo ushtarakë. Cilat janë ato dhe ç farë synoni?

Imami: Çështja e Afganistanit nuk është thjesht një çështje militare. Populli afgan duhet ndihmuar për të ndërtuar kapacitete dhe për t'u vetëqeverisur e për të patur stabilitet politik. Për të qënë një vend që krijon siguri dhe mundësitë e zhvillimit dhe progresit të brenda tij. Kështu që fokusi i Aleancës, pa humbur vëmendjen nga aspektet militare, të operacioneve atje, është në këtë drejtim. Kjo është arësyeja që Shqipëria në ministerialin e fundit të Bratislavës u angazhua dhe në disa drejtime të tjera. Së pari, për të çuar një ekip me 20 mjekë e infermierë. Ata do të kryejnë veprime në mbështetje të trupave që janë atje, por dhe për popullsinë civile. Së dyti, do të jetë e rëndësishme përgatitja e trupës ushtarake afgane, qoftë policore, qoftë ushtarake, që ata të marrin në dorë fatet e vendit të tyre. Në këtë drejtim Shqipëria do të ndihmojë me trajnues. Gjithashtu për të ndihmuar për arësimimin do të ndihmojmë në rikostruktimin ose ndërtimin e 8 shkollave, ndërkohë që qeveria shqiptare do t'u ofrojë 100 bursa, studentëve afganas, që do të donin të kryenin studimet universitare në Shqipëri.

DW: Si mund të përballohet finaciarisht angazhimi për këto projekte arsimore, kur dihet se Shqipëria vetë ka nevoja për ta përmirësuar infrastrukturën e saj në këtë sektor?

Imami: Shqipëria ka nevojë për përmirësimin e strukturës arsimore padyshim. Ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe kemi detyrime, së pari. Së dyti, objektivat tona janë krejt të ndryshme nga objektivat e shoqërisë afgane. Ne duam që shkollat tona të jenë njësoj si shkollat e Europës. Kurse problem për të ndihmuar Afganistanin është siç e bëjnë dhe vende të tjera, si Italia, SHBA, por dhe ne mund të ndihmojmë. Ne kemi disa universitete, që kanë si produkt specialistë të niveleve të mira. Nuk jam unë ai që e vlerësoj se cilat universite shqiptare i kanë produktet më të mira. Por jemi të sigurtë që ka universite që prodhojnë specialistë të nivelit të mirë.

DW: Sipas planeve tuaja për punë ditësh drejt Afganistanit do të niset një ekip mjekësor, në nivel të lartë dhe të mesëm personeli. Nuk përmbën kjo risk, pasi ekipi do të operojë në një zonë me siguri të ulët?

Imami: Niveli i riskut që nga momenti kur kemi vendosur të çojmë trupa në Afganistan është gjithmonë i pranishëm. Askush nuk mund të mendojë që trupat tona atje janë jashtë rrezikut. Falë përgatitjes së tyre të mirë për detyrat që kryejnë aktualisht, deri më sot nuk kemi patur asnjë ngjarje dhe për këtë jemi të lumtur. Shpresojmë dhe punojmë dhe do të investojmë që trupat tona të jenë sa më të përgatitura për të përballuar rreziqet që afron niveli i tyre operacional. Por unë nuk mund të them që qoftë dhe për një grup mjekësh e infermierësh rreziku është zero. Nuk ka dhe nuk mund të flasim për rrezik zero. Por sigurisht që nëse kryen detyrat në përputhje me rregulloret, mbi bazat e bashkëpunimit dhe me trupat që janë atje të kombeve të ndryshme nën NATO-n, po qe se respektohen të gjitha informacionet, për të vepruar në një mënyrë apo në një tjetër, besoj se risku ulet shumë dhe nuk do të kemi ngjarje.

DW: Zoti ministër, duke qënë ushtri e një vendi anëtar të NATO-s, çfarë objektivash më të afërt ka ushtria shqiptare në kontributin e saj në Afganistan?

Imami: Ajo që mbetet për të bërë dhe kjo është më themelore është që ne duhet të rrisim nivelin dhe cilësinë e operacioneve, ku ne marrim pjesë. Duke filluar nga viti 2010 do të punojmë kryesisht në këtë drejtim. Do të thotë që nga mesi i vitit që vjen do të dërgojmë një trupë 30 – 40 vetë nga trupat tona speciale, që do të kryejnë operacioni të një niveli më të lartë se ky që kemi. Do të përgatitemi gjithashtu së bashku me gardën ushtarake të New Xhersit rreth fundit të vitit, për t'u marrë me trajnimin e forcave vendore. Gjithashtu kemi plane që atë pjesë të trupave shqiptare që merret me demilitarizimin, demontimin e municioneve të tepërta ta kualifikojmë për të kryer veprime në kuadër të NATO-s, veprime jashtë vendit. Po kështu do të përpiqemi që të rrisim kapacitetet për mbështetje civile të operacioneve të NATO-s konkretisht në Afganistan.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 23.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KdsW
  • Data 23.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KdsW