1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kontesti për emrin - Ç'pret Maqedonia nga presidenca greke e BE-së?

Nga 1 janari Greqia ka për gjashtë muaj presidencën e radhës në BE. Çështja e emrit dhe antarësimi i Maqedonisë në BE nuk do të jenë në agjendën e presidencës greke, vlerësojnë analistët në Maqedoni.

Analistë politikë dhe ekspertë për çështje të eurointegrimeve vlerësojnë se Maqedonia nuk mund të presë përparim në proceset eurointegruese në periudhën e presidencës gjashtëmujore të Greqisë në Bashkimin Evropian, pasi zgjerimi i BE-së nuk është në agjendën e Athinës. Kjo periudhë sipas analistëve mund të shfrytëzohet për ndryshimin e strategjisë, në veçanti të palës maqedonase.

Ministri i punëve të jashtme i Maqedonisë Nikolla Popovski, thotë se Greqia nuk është e fokusuar në procesin e zgjerimit, aq më pak në dosjen e Maqedonisë. Situata e pavolitshme ekonomike në Greqi ka shpërqëndruar plotësisht vëmendjen e krerëve politikë grekë nga tejkalimi i problemit të emrit. Akujt mes Shkupit dhe Athinës gjatë kryesimit të Greqisë me BE-në nuk pritet të shkrihen me ndonjë shpejtësi të madhe thotë Popovski.

Pamje simbolike: Akropoli dhe flamuri i BE-së

Zgjerimi nuk është në rendin e ditës të presidencës greke, mendojnë analistët maqedonas

“Greqia duhet të mbajë përgjegjësi për ritmin e realizimit të projektit evropian në Ballkan dhe të punojë në drejtim të afrimit të qëndrimeve për emrin, në vend që të dërgojë ultimatume”, shprehet Popovski.

Ngjashëm është shprehur edhe presidenti i Maqedonisë George Ivanov në fjalimin e tij vjetor ne Parlament, duke lënë të kuptohet se Maqedonia do të refuzojë çdo iniciativë për zgjidhjen e çështjes së emrit, që do të cënonte identitetin, kulturën dhe gjuhën maqedonase.

Integrimi në BE staus-quo

Profesori i të drejtës ndërkombëtare Stevo Pendarovski, thotë se pozicioni grek gjatë kryesimit me BE-në nuk do të lëvizë asnjë milimetër. Përkundrazi, ai parasheh përkeqësim të mëtejshëm të pozicionit të Maqedonisë sa i takon integrimit. “Maqedonia është pa perpektivë për qytetarët të cilët të ardhmen e tyre e lidhin me inkuadrimin e vendit në BE. Partitë e mëdha duhet të arrijnë një marrëveshje rreth çështjes kryesore: Aa do të mbetet Maqedonia edhe më tej në pozicionin e tanishëm, apo do të arrijë një konsensus për ndonjë alternativë të re”, shprehet Pendarovski.

Edhe eksperti për çështje të integrimit Nazmi Maliqi, thotë se sa i përket proceseve të integrimit në gjashtë muajt e parë të këtij viti, nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i madh. Normat e unifikuara të BE-së për zgjerimin dhe politikat konsensuale nga Traktati i Lisbonës, nuk lënë vend për ndonjë shpresë se Maqedonia mund të bëjë ndonjë hap konkret për antarësim në Union. “Greqia dhe Maqedonia nuk duhet të mbeten peng i së kaluarës historike rreth definimit të emrit. Ndoshta do të ishte mirë që edhe këto dy shtete të zgjidhnin praktikat e diplomacisë më ofensive siç i kishin Serbia dhe Kosova nën ombrellën e BE-së. Nëse kjo praktikë do të zbatohet edhe në rastin e Maqedonisë, atëherë mund të krijohet ndonjë mrekulli diplomatike për përafrimin e pozicioneve mes Athinës dhe Shkupit”, thotë Nazmi Maliqi.

Greqia në gjashtë muajt e kryesimit me BE-në, në vazhdimësi do të lëshojë porosi për Maqedonië se shumë pak punon në zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe marrëdhënieve ndërfqinjësore, thotë profesori universitar Mersel Bilalli. “Maqedonia këto gjashtë muaj i ka të humbur sa i përket proceseve eurointegruese, pasi Greqia objektivisht por edhe për arsye të problemeve të brendëshme dhe shumë situatave të tjera, nuk do të fokusohet në çështjen e zgjerimit , aq më pak në zgjidhjen e problemit të emrit me Maqedoninë”, vlerëson Mersel Bilalli.

Politika e pajtimit do të ishte mrekulli

Ish ministri i Jashtëm i Maqedonisë Denko Malevski, thotë se politikat e dy vendeve ballafaqohen me dy alternativa të mundshme, njëra është e mirë për politikanët edhe në Greqi edhe në Maqedoni. Ajo është vazhdimi i konfrontimit që është një recetë e provuar për ekzistencë në pushtet apo për të fituar zgjedhjet e reja. Në këtë rast, garniturat politike si në Athinë po ashtu edhe në Shkup, do të kenë me çfarë të zbavisin opinionin. Sipas Malevskit kjo është alternativë e sigurtë që do të ndodhë gjatë kryesimit të Greqisë me BE-në. Alternativa tjetër që do të ishte më e kapshme për popujt e të dyja vendeve, do të ishte politika e pajtimit mes dy vendeve për të cilën nevojitet gatishmëri për kompromis nga pala maqedonase, ndërsa pala greke duhet të tregojë “xhentilesë” evropiane. “Kjo sjellje evropiane, ky gjest i madh i pajtimit nga pala greke, do i shkonte për shtat një vendi kryesues me BE-në. Për fat të keq kjo është shumë pak e mundur duke pasur parasysh politikat aktuale të udhëheqësve në të dyja vendet”, shprehet Denko Malevski.

Maqedonisë në samitin e dhjetori të BE-së, iu konfirmua për të gjashtën herë statusi i shtetit kandidat, por nuk iu caktua data për nisjen e bisedimeve për antarësim për shkak të kontestit të emrit me Greqinë. Zëvendëskryeministri për çështje të eurointegrimeve Fatmir Besimi, ka shprehur bindjen se presidenca aktuale greke do jetë më ndryshe se presidencat e kaluara greke me BE-në . Ai ka ritheksuar gadishmërinë e Maqedonisë për reforma të mëtejshme dhe për bisedime me fqinjët për çështje të interesave të përbashkëta.