1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Konservatorët në vend të parë, socialistët pësojnë humbje të mëdha

375 milionë qytetarë nga 27 vendeve të BE-së kanë pasur në fundjavë mundësinë të votojnë për 736 vendet e Parlamentit Evropian. Konservatorët fituan numrin më të madh të votave, ndërsa socialdemokratët shënuan rënie.

Poster i fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare

375 milionë qytetarë nga 27 vendeve të BE-së kanë pasur në fundjavë mundësinë të votojnë për 736 vendet e Parlamentit Evropian.

Karakteristikat kryesore të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian janë humbja e votave prej partive qeveritare, rritja e numrit të votave për partitë e djathta ekstremiste dhe pjesëmarrja e ulët në votime. Në nivelin e BE-së votuan rreth 43 përqind, që është një rezultat negativ. Në këtë nivel ka qenë edhe pjesëmarrja e zgjedhësve në votimet në Gjermani. Votimet nisën të enjten, më 4 qershor në Hollandë dhe në Britaninë e Madhe, të premten dhe të shtunën pasuan votimet në gjashtë vende të tjera anëtare. Ndërsa të dielën u votua në 19 vende.

Për vëzhguesin nga Afrika, Marwick Kumalo kjo do të thotë: "Përshtypja jonë ishte se zgjedhjet ishin të organizuara dhe se u zhvilluan pa probleme. Mirëpo interesimi ishte shumë i vogël, gjë që për mua është dëshpëruese."

Presidenti i PE-së Hans-Gert Pöttering.

"Një rol më të fuqishëm pas këtyre zgjedhjeve me siguri që do të kenë ekstremistët" thotë Presidenti i PE-së Hans-Gert Pöttering.

Austria dhe Hollanda janë shembuj ekstrem të një tendence të përgjithshme: shumë zgjedhës kanë dashur të dënojnë partitë në pushtet dhe kanë shprehur përkrahjen e tyre për partitë kritike ndaj BE-së dhe të ashpra në politikën ndaj të huajve. Në marrjen e vendimit nga zgjedhësit kësaj radhe ka ndikuar shumë kriza ekonomike. Partitë konservatore kanë fituar numrin më të madh të votave edhe në Gjermani, Bullgari, në Qipro dhe Francë.

Britania e Madhe është një shembull më vete, pas skandaleve të fundit me shpenzimet e politikanëve dhe dorëheqjet e shumë ministrave. Në shumë vende, rezultatet e zgjedhjeve nuk kanë të bëjnë me politikën ndaj Evropës, por me politikën brenda vendit.

Me shumë vëmendje u prit edhe rezultati në Irlandë, për shkak të dështimit në referendumin e fundit të Marrëveshjes së Lisbonës. Opozita shënoi fitore ndaj partisë në pushtet. Mirëpo në përgjithësi, në BE kanë ndryshuar shumë pak gjëra. Konservatorët mbeten më të fuqishmit, ndërsa në vend të dytë janë socialistët dhe socialdemokratët, ndonëse kanë shënuar humbje të mëdha.

Sitzverteilung im Europäischen Parlament Infografik Albanisch Stand 08.06.09

Një rol më të fuqishëm pas këtyre zgjedhjeve me siguri që do të kenë ekstremistët. Kryetari i Parlamentit të Evropës, Hans-Gert Pöttering ka frikë se bashkëpunimi me ta do të jetë i vështirë. "Me kënaqësi më duhet të them se partitë pro-evropiane kanë fituar një shumicë të madhe. Nga partitë që janë kundër Evropës pres që në Parlamentin e Evropës të jenë konstruktive dhe të bashkëpunojnë. Urime për të gjithë deputetët e rinj", theksoi Hans-Gert Pöttering.

Megjithatë, suksesi i skeptikëve evropianë ka shkaktuar një lloj shoku tek deputetët e deritanishëm në Parlamentin e Evropës, por kjo është një çështje që duhet të analizohet në ditët e ardhshme.

Autor: Chrisstoph Hasselbach / Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Bahri Cani

DW.COM

  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Iu
  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Iu