1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Konservatorët fitojnë zgjedhjet në Bullgari

Në zgjedhjet parlamentare në Bullgari, Partia Konservatore GERB doli si pritej forca politike më e fuqishme, por me një diferencë të madhe nga shumica absolute. Formimi i qeverisë nuk pritet të jetë i lehtë.

GERB (Qytetarët për një Zhvillim Evropian të Bullgarisë) e ish-kryeministrit konservator Bojko Borisov fitoi, sipas një prognoze jopërfundimtare të Institutit të Opinionit Gallup 33,9 përqind të votave.

Prognoza bazohet në përgjigjet e zgjedhësve pas dhënies së votës. Në vend të dytë, sipas kësaj prognoze ishin socialistët, që qeverisën deri në fund të korrikut, me 16,1 përqind. Partia liberale Për Të Drejtat dhe Liritë (DPS), e cila e sheh veten si përfaqësuese të interesave të minoritetit turk dhe të romëve, arriti të marrë 14,1 përqind të votave. Studiues të tjerë të opinionit publikuan prognoza të ngjashme.

Kryetari i GERB-it, ish-kryeministri Bojko Borisov tha se është i përgatitur të marrë përsipër të "gjitha rreziqet" për të formuar një qeveri. Për këtë që prej së hënës në partinë e tij do të zhvillohen diskutime të brendshme. Rivali kryesor i Borisovit, Atanas Merdzhanov nga Socialistët tha se partia e tij pësoi një "disfatë të rëndë"

Parlament i copëzuar

Deri gjashtë parti të tjera e arritën pas prognozave pragun prej katër përqind për të hyrë në Parlament. Ky fakt pritet ta vështirësojë edhe më tepër formimin e qeverisë së re. Po përvijohet një parlament i copëzuar mes forcave të ndryshme politike.

Parlamenti bullgar ishte i paralizuar për shkak të mosmarëveshjeve partiake dhe prandaj u shpërnda në gusht, tri vjet para fundit të legjislaturës. Pas shpërbërjes së koalicionit të dominuar nga socialistët, të gjitha partitë hoqën dorë nga përpjekjet për të formuar një qeveri të re.

Kriza më e rëndë që prej hyrjes në BE

Sipas mendimit të vëzhguesve politikë, Bullgarisë i duhet urgjentisht një qeveri energjike. Bullgaria po përjeton krizën e saj më të thellë që prej anëtarësimit në BE në vitin 2007. Deficiti buxhetor i Bullgarisë, jo anëtare e Eurozonës, është në rritje, rendimenti ekonomik është i ulët. Banka e katërt për nga madhësia në vend ka vështirësi financiare dhe ka muaj që është mbyllur. Reforma të rëndësishme zvarriten. Furnizimi me gaz i vendit më parë anëtar të bllokut të Lindjes vazhdon të varet thuajse krejtësisht nga Rusia.

Njësoj si në zgjedhjet e kaluara, edhe në këto zgjedhje e hodhën hijen e tyre akuzat për blerje votash. Bullgarët e varfër, sipas radios shtetërore e shitën votën e tyre për 50 leva (rreth 25 euro). Në zgjedhje morën pjesë edhe dhjetëra mijëra turq me nënshtetësi të dyfishtë, të cilët para kthesës politike qenë dëbuar në Turqi nga komunistët bullgarë. Ata votuan në qendrat e tyre të dikurshme të banimit ose në Turqi.