1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Konsensusi ende reziston – Deputët gjermanë u thonë PO pagesave për euron

Sërish Parlamenti i Gjermanisë votoi me shumicë me Po për ndihmat financiare në BE, për të ndihmuar bankat e Spanjës. E megjithatë atmosfera midis kampeve të opozitës dhe të qeverisë është ndezur, komenton Peter Stützle

Nganjëherë një fjalë e vetme është mjafton për të thënë shumë. Ministri gjerman i Financave Volfgang Shojble nuk foli për krizën e borxheve, për krizën e euros dhe krizën e bankave. Ai foli për krizën e besimit. Argumenti i tij, tregjet financiare nuk besojnë se shteti spanjoll do t`ia dalë mbanë të zgjidhë krizën e bankave, pa rrezikuar aftësinë e vet për të paguar. Nëse tregjet nuk do të ishin kaq të pasigurta, Spanja do të ishte në gjendje t'i stabilizonte vetë bankat e saj, mendon Shojble.

Prandaj Spanjës i duhet dhënë mundësia që të vazhdojë reformat. Sepse kjo është edhe në interesin e gjermanëve. Nëse kjo nuk bëhet atëherë mosbesimi do të përfshijë edhe vende të tjera duke marrë me vete në fund edhe Gjermaninë.

Peter Stützle OHNE ALTERNATIVBILD

Gazetari i DW-së, Peter Stützle

Synim i gjithë masave është që të ndihmohen vende si Spanja që të rifitojnë besimin e tregjeve financiare, në mënyrë që të mund t'i financojnë vetë kushtet e vendosura. Sa i madh është suksesi i arritur me këtë rrugë, e tregoi gatishmëria e 25 prej 27 vendeve anëtare të BE-së për frenimin e borxheve sipas modelit gjerman. Nëse Shojble do të ketë të drejtë, atëherë Evropa ndodhet në rrugën e duhur, për rifitimin e besimit të tregjeve.

Ekziston edhe një krizë tjetër besimi, dhe kjo është duke u ashpërsuar. Besimi i qytetarëve është duke rënë gjithnjë e më shumë sa i përket ndihmës që mund të japin masat e reja të shpëtimit. Kujdesi i tyre është në rritje, kështu që taksat e tyre mund të zhduken në një thes të shpuar.

Opozita e akuzoi qeverinë në parlament, se i shet verë të prishur popullit. Kjo rrit mosbesimin e popullit, po ashtu siç e rrit edhe kërkesa e presidentit gjerman Joachim Gauck drejtuar kancelares Merkel që të shpjegojë më mirë aksionin për shpëtimin e euros. Por më mirë se shpjegimet që dha në dy deklaratat qeveritare të lëshuara para dhe pas takimi të nivelit të lartë të BE-së në fund të muajit qershor, kancelarja gjermane Merkel dhe ministri i Financave Shojble, nuk mund të bëhet. Në fund të fundit askush nuk e di se si do të zhvillohen gjërat, as qeveria jo. Kështu që mosbesimi vazhdon të rritet.

Politikanët ndiejnë rritjen e mosbesimit në qendrat e tyre zgjedhore. Kjo ka pasojat e veta. Kush i ka ndjekur debatet parlamentare për ndihmat ndaj Spanjës, mund të ketë fituar përshtypjen se atmosfera midis kampeve të opozitës dhe të qeverisë është ndezur. Duhet kërkuar që opozita të mos vazhdojë ta ndezë situatën dhe të veprojë më me përgjegjësi shtetërore dhe evropiane.