1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Konsensus mes partive për reformën zgjedhore në Shqipëri

Në Tiranë për herë të parë në historinë e pluralizmit politik post-komunist, 26 forca politike u mblodhën në një tryezë politike dhe ranë dakort për propozimet lidhur me përmirësimin e Kodit Zgjedhor.

Paskal Milo, kryetar i Partisë ” Demokracia Sociale”.

Paskal Milo, kryetar i Partisë ” Demokracia Sociale”.

Dialogu, kompromisi, besimi politik i ndërsjelltë, që janë edhe themeli i vlerave të BE, janë të saposhfaqura për reformën zgjedhore në Shqipëri. Kryerja e saj është në krye të 12 prioriteteve që BE i kërkon Shqipërisë për të merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Paskal Milo, kryetar i Partisë ” Demokracia Sociale”, nismëtar i tryezës së partive e vlerëson arritjen e konsensusit si një hap përpara: “Është një hap i madh, i rëndësishëm përpara, që vërtet po krijon një klimë besimi mes palëve, një klimë shumë më të mirë politike për të ndërmarrë reformat ë tjera edhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.”

Jo ndryshimit të sistemit zgjedhor – respektim i Kushtetutës dhe barazisë së votës

Propozimet janë firmosur nga Sali Berisha, kryetar i PD dhe Edi Rama kryetar i PS, dy partitë më të mëdha në Shqipëri që bëjnë rotacionin e pushtetit. Krahas tyre edhe nga 24 parti të tjera të majta dhe të djathta. Ato i adresohen Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Arsyet i propozimeve Paskal Milo i shpjegon kështu: "Për të respektuar parimin kushtetues të barazisë së votës së qytetarëve të Shqipërisë, për të respektuar vullnetin e tyre politik, të shprehur përmes votës, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, gjë që ka munguar në Shqipëri dhe për këtë është tërhequr vëmendja nga partnerët ndërkombëtarë dhe sidomos institucione të specializuara si OSBE / ODIHR-i”.

I pari përmirësim që 26 partitë propozojnë në Kodin Elektoral të Shqipërisë është korrektimi kombëtar në sistemin aktual zgjedhor, proporcional- rajonal. Kjo do të thotë që partitë politike të kenë të drejtë që të gjitha votat që fitojnë në rang kombëtar, të mund t'i kthejnë në mandate deputetësh përveç mandateve që do të sigurohen nga gara e drejtpërdrejtë elektorale. Propozim i dytë lidhet me uljen e pragut elektoral për koalicionet dhe partitë politike që duan të garojnë më vete, jo si pjesë e koalicioneve politike.

"Pragjet elektorale janë të ndryshme në qarqe të ndryshme dhe kjo është padrejtësia më e madhe, vërejtja më e madhe parimore që kemi kërkuar të rregullohet, pasi shkon në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk ka asnjë prag elektoral të unifikuar që të respektohet barazia e votës e qytetarëve të Shqipërisë”, thotë Z. Milo.

Propozimi i tretë dhe i fundit është rritja e numrit të vëzhguesve. Që të gjitha subjektet politike që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të kenë mundësi për vëzhgues në qendrat e numërimit si edhe në komisionet e nivelit të dytë dhe të tretë.

Të 26 partitë shpresojnë që Komisioni Parlamentar për Reformën zgjedhore do të marrë parasysh këto tre propozime. Realizimi i propozimeve për të përmirësuar Kodin do të sillte përfitime të mëdha afatgjata mendon Paskal Milo: "Do të kemi një ligj për zgjedhjet gjithëpërfshirës, që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një ligj i tillë do të përligjë edhe gjithë atë angazhim të BE dhe faktorit ndërkombëtar, sidomos të OSBE/ODIHR-it. Kodi i përmirësuar do të krijoijë atë infrastrukturë që i ka munguar Shqipërisë për ta çuar vendin për herë të parë në zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestuara nga asnjë palë”, thotë Paskal Milo.

Shtyhet me dy javë përfundimi i reformës zgjedhore

Shqyrtimi i 3 propozimeve të 26 partive politike do të bëhet nga Komisioni Parlamentar për Reformën zgjedhore, mandati i të cilit mbaroi në 30 prill. Por Parlamenti shtyu edhe për dy javë të tjera mandatin e këtij komisioni dhe njëherazi përfundimin e reformës zgjedhore. Krahas shqyrtimit të tre propozimeve të 26 partive, ky komision do të duhet të vendosë edhe lidhur me përbërjen e KQZ dhe përmirësimin e mënyrave të ankimimit të subjekteve politike që reforma zgjedhore të jetë e përfunduar.

Autor: Ani Ruci / Tiranë