1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Konkurrencë mes ligjit gjerman dhe atij anglo-sakson

Në rastin e marrëdhënieve tregtare me Gjermaninë kontratat bazohen në ligjin gjerman. Por tani në botë gjithnjë e më tepër po dominon ligji anglo-sakson dhe kjo përbën probleme për ekonominë gjermane.

Pamje simbolike - Kodi i së Drejtës Civile gjermane në një bibliotekë

Produket me vulën "Made in Germany" konsiderohen si prodhime cilësore në të gjithë botën dhe Presidentin e Dhomës së Industrisë dhe të Tregtisë Gjermane, Hans-Heinrich Driftmann e pyesin rregullisht gjatë udhëtimeve jashtë vendit se pse ekonomia gjermane është e fuqishme dhe e suksesshme. Driftmann i referohet ekonomisë sociale të tregut dhe sistemit të mirë gjerman të arsimit. Por një shtyllë shumë e rëndësishme për Gjermaninë ishte edhe sistemi juridik.

Presidenti i Dhomës së Industrisë dhe të Tregtisë Gjermane, Hans Heinrich Driftmann

Presidenti i Dhomës së Industrisë dhe të Tregtisë Gjermane, Hans Heinrich Driftmann

"Ligji siguron liri të gjerë për sipërmarrjet, siguron një shkallë të lartë sigurie ligjore dhe arrin zakonisht një ekuilibër në rastet e interesave kontradiktore. Për më tepër, shteti ynë ligjor punon në mënyrë efektive dhe në krahasim ndërkombëtar edhe më të lirë se sa mendonim" - mendon Driftmann.

Ashtu si shumica e juridiksionit të vendeve të tjera evropiane ligji gjerman bën pjesë në sistemin ligjor evropian kontinental. Ky quhet ligj i kodifikuar, sepse parimet e tij kryesore janë të mishëruara në kodet ligjore. Për ekonominë më të rëndësishme janë Kodi Civil, Ligji për Tregtinë, Kompanitë dhe Aksionet apo Ligji kundër konkurrencës së pandershme. Kur nënshkruhen kontrata këto bazohen në këto ligje dhe mbetet të rregullohen vetëm detajet.

Kurse në sistemin ligjor anglo-sakson vlen në thelb vetëm ajo që thuhet në kontratë. Për këtë arsye kontratat britanike apo amerikane janë shumë më të gjera dhe të komplikuara, thotë presidenti i Dhomës së Industrisë dhe të Tregtisë Gjermane, Hans-Heinrich Driftmann. Megjithatë në arenën ndërkombëtare kompanitë negociojë gjithnjë e më shpesh me njëra-tjetrën sipas ligjit anglo-sakson.

Ministrja gjermane e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger

Ministrja gjermane e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger

Një gjë të tillë i duhet ta konstatojë edhe ministres federale të Drejtësisë, Sabine Leuthäuser-Schnarrenberger: "Kemi një konkurencë midis traditës së ligjit kontinental evropian dhe traditës anglo-saksone "common law" dhe kjo nuk është ndonjë gjë e re. Por kjo është një nga sfidat ligjore dhe politike të kohës sonë. Kjo konkurencë ndeshet në organizatat ndërkombëtare, në bashkëpunimin në fushën e ndihmës për zhvillim, por sigurisht, sidomos në ekonominë globale ".

Në këtë garë ligji anglo-sakson po prin gjithnjë e më tepër. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të gjuhës, anglishtja është e përhapur në mbarë botën. Nga ana tjetër, sipas presidentit të Dhomës së Industrisë dhe të Tregtisë Gjermane, Hans-Heinrich Driftmann, firmat amerikane të avokatisë bëjnë thjesht një marketing më të mirë. Këtë e konfirmon edhe Presidenti i Shoqatës së Avokatëve gjermanë, Wolfgang Ewer. Për shembull, kur presidenti i Shoqatës së Avokatëve të SHBA-së shkon për vizitë në vendet e Evropës Lindore apo në vendet e Lindjes së Largët, atëherë ai jo vetëm që shoqërohet gjithmonë nga ambasadori amerikan, por shumë shpesh ka me vete edhe një çek për të financuar ndonjë fakultet juridik. Dhe kur profesorët e fakultetit të atjeshëm apo qeveritë e atyre vendeve kanë ndonjë pyetje, ata u drejtohen ekspertëve amerikanë, të cilët jo zyrtarisht kthehen në këshilltarë të qeverive. Në këtë mënyrë në këto vende adaptohet ligji tregtar amerikan, mendon Presidenti i Shoqatës së Avokatëve gjermanë, Wolfgang Ewer.

Në rast mosmarrëveshjesh kontratat e lidhura sipas ligjit gjerman shqyrtohen prej gjykatave gjermane dhe gjuha në procesin gjyqësor është gjermanishtja. Kjo i tremb kompanitë të cilat përdorin si rregull anglishten. Për këtë ka edhe politikanë që bëjnë thirrje për ta përdorur si opsion gjuhën angleze në gjykata të caktuara gjermane. Fjala është për trupat gjykues që gjykojnë në gjykatat gjermane në lidhje me çështje ndërkombëtare tregtare. Në landin NRW po kryehet në këtë drejtim që nga fillimi i vitit 2010 një projekt pilot. Po ashtu disa lande kanë ndërmarrë edhe një iniciativë për një ligj që në në rastin e proceseve që merren me mosmarrëveshje tregtare ndërkombëtare në gjykatat gjermane të lejohet përdorimi i anglishtes si gjuhë zyrtare në proces. Deri tani faza pilot po kalon mirë. Por

problem me sa duket do të ketë përpara Gjykatës së Lartë Federale, e cila sikurse thuhet nuk është në gjendje që t'i zhvillojë proceset në anglisht për një kohë të gjatë. Dhe Gjykata e Lartë federale është instanca e fundit vendimmarrëse në Gjermani.