1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kongresi i republikanëve - Me mundime të bashkuar rreth Romneyt

Me një ditë vonesë në Tampa filloi punimet Kongresi i Partisë Republikane. Delegatët propozuan Mitt Romney si kandidat presidencial dhe Paul Ryan si zëvendës të tij, por nuk sundoi unitet i plotë.

Ann Sullivan është e bindur se shteti i saj i lindjes, Karolina e Veriut, do të kontribuojë që Mitt Romney të bëhet presidenti i ardhshëm amerikan. "Ne jemi shumë të motivuar", thotë deputetja nga Goldsboro, "ne jemi po ashtu pak më mendjehollë se herën e fundit, këtë herë ne jemi të përgatitur për sulm." Karolina e Veriut, ku demokratët mbajnë kongresin e tyre javën e ardhshme, është një nga "shtetet fushëbetejë", që ndikon shumë në përcaktimin e fituesit. Presidenti Obama në vitin 2008 fitoi në shtetin tradicionalisht konservator me një diferencë të ngushtë votash, tani Mitt Romney prin lehtë në anketa.

E angazhuar për romneyn: Ann Sullivan

E angazhuar për romneyn: Ann Sullivan

Në ditën e parë "të vërtetë" të Kongresit republikan, programi i të cilit është batërdisur për shkak të uraganit Isaac, Ann Sullivan është pispillosur: Kapela mbi kaqurrelat e saj argjendi-gri ka modelin e flamurit amerikan, ajo ka veshur një këmishë të kuqe, ngjyrë kjo e republikanëve, ndërsa rreth qafe ka varur shumë elefantë, në variacione të ndryshme, si nuskë të partisë. Në hotelin e tyre në Shën Petersburg ajo bëhet gati për të shkuar në anën tjetër të gjirit në Tampa, vendi ku zhvillohet kongresi. Për mbi 40 vjet ajo angazhohet në politikë, thotë ajo. Ajo i kushton rëndësi të madhe vlerave familjare dhe për këtë arsye ajo beson shumë në Mitt Romney, i cili është i martuar qe 43 vjet me gruan e tij Ann dhe ka pesë djem.

Pa kishë nuk bën asgjë

Vlerat e krishtera janë po ashtu  të rëndësishme për të, por atë nuk e pengon fakti që Romney i takon besimit mormon, pasi sipas saj edhe mormonët besojnë në Jezu Krisht dhe Bibël. "Ajo çfarë më pengon mua është që në Shtëpinë e Bardhë të kemi dikë, që nuk shkon në kishë dhe fëmijët e tij të rriten pa edukimin e krishterë", thotë deputetetja Sullivan. Presidenti Obama gjatë mandatit të tij ka marrë pjesë disa herë nëpër mesha kishtare, por kjo nuk është e mjaftueshme për Ann Sullivan. Deputetja është vetë anëtare e partisë Tea dhe e çmon shumë Herman Cain-in, i cili sapo ka folur para delegacionit të tij gjatë ngrënies së mëngjesit. Ish sipërmarrësi Cain, i cili  ka qenë edhe vetë në garë për kandidaturën republikane presidenciale, por është tërhequr pas publikimit të akuzave për ngacmime seksuale, është ikonë e partisë Tea.

Ann Romney bashkëshortja e Romneyt në fushatë për bashkëshortin e saj

Ann Romney bashkëshortja e Romneyt në fushatë për bashkëshortin e saj

Partia Tea është një krah i lirshëm i djathtë i Partisë Republikane dhe nuk është organizatë në vete. Megjithatë përkrahësit e këtij krahu janë të bashkuar rreth kërkesave për një shtet me taksa të ulëta, sipërmarrje të lira dhe u kushtojnë rëndësi të madhe vlerave konservatore të krishtera. Përfaqësuesit e saj si Herman Cain janë duke ndjekur edhe një qëllim tjetër: "Unë jam në një mision dhe ai është: largimi i Barack Obamës nga pushteti", sqaronte ai në Shën Petersburg, duke bërë kështu reklamë për ish rivalin e tij: Ai, Cain, e di nga vëzhgimi personal, që Romney jo vetëm se është personi i duhur për këtë post, por edhe është më simpatik se sa Barack Obama.

Faktor destabilizues tek republikanët

Kongresi i republikanëve amerikanë në Tampa

Kongresi i republikanëve amerikanë në Tampa

Por ishin republikanë të tjerë ata, të cilët shkaktuan shqetësime në ditën e parë të kongresit, ithtarët e Ron Paul-it, i cili nuk kishte hequr dorë nga gara për kandidaturën presidenciale dhe kishte arritur të mbledhë rreth vetes disa delegatë. Ata shprehën zhgënjimin e tij mbi rregullat e partisë, që duheshin ashpërsuar në këtë ditë. Ato parashohin (rregullat e reja), që një delegat, që është fituar nga një kandidat në një shtet federal, mund t'i kalohet një kandidati tjetër.

Sidoqoftë në fund u vendos për emërimin e Romney-it dhe u miratua edhe programi i partisë. Programi i ri i partisë përmban koncesione ndaj krahëve konservator të krishterë dhe Partisë Tea:  konfirmohet martesa midis burrit dhe gruas, ndalohet aborti, pa përmendur mundësinë e rasteve përjashtuese dhe bëhet thirrje për një amendament kushtetues, që kërkon një buxhet të balancuar.