1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kongresi i CDU-së: Merkeli kundër populizmit

Refugjatët dhe populizmi - çështje kryesore në kongresin e partisë së kancelares Angela Merkel, CDU.

Partia Kristian-Demokrate gjermane, CDU, po zhvillon kongresin e saj vjetor në Essen. Të dhënat e anketimeve tregojnë se CDU-ja ka dalë prej shifrave të ulëta prej 30% të votave, që lidheshin me qëndrimi ndaj azilkërkuesve. Por nga ana tjetër partia populiste e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, ka shënuar rritje jo vetëm në lindje të Gjermanisë.

Probleme me partinë simotër nga Bavaria

Pasojat e krizës me refugjatët shprehen edhe në marrëdhënien me partinë simotër bavareze CSU-në. Si zakonisht edhe kësaj here në kongresin e CDU-së do të mbante një fjalim përshëndetës edhe kryetari i partisë CSU, Horst Seehofer. Por për shkak se ai dhe kancelarja Merkel kanë më tepër se një vit që kanë mosmarrëveshje për qëndrimin ndaj azilantëve dhe kufirin e sipërm për numrin e atyre që duhet të lejohen të hyjnë në Gjermani, ata vendosën që të mos shkojnë për të mbajtur fjalime tek kongreset respektive për të mos e shpalosur hapur luftën mes tyre. 

Por këto parti nuk mund t'i lejojnë vetes një konflikt të vazhdueshëm. Sepse pa partinë CSU e cila është më konservatore se CDU-ja një numër zgjedhësish mund të kalonin tek partia populiste e djathtë AfD. Prandaj në kongres do të përshëndesin funksionarë të lartë të CSU-së.

Përgatitje për zgjedhjet parlamentare

Për momentin në shumë vende të BE-së dhe në disa lande gjermane populistët po fitojnë gjithnjë e më tepër vota. Taktika e re që po ndjek Merkeli në prag të zgjedhjeve është të dëgjojë në vend që të dënojë. Me këtë taktikë ajo synon të kapërcejë të ashtuquajturin hendek mes establishmentit dhe popullit për të cilin pretendojnë populistët.

Po ashtu duket se partia do të orientohet disi më tepër djathtas. Për këtë flasin projektpropozimet për rregulla më të ashpra për azilin dhe dëbimin në rast mosmiratimi të azilit. Apo dokumenti i përgatitur nga baza për kryesinë e partisë me titullin "Orientim në kohë të vështira", në të cilin bëhet fjalë kryesisht për tema të tilla si refugjatët, migrimi dhe integrimi. Javën e kaluar edhe vetë Angela Merkel tha se një situatë me refugjatët si ajo e vitit 2015 nuk duhet të përsëritet.

Një sërë kërkesash ka parashtruar në konges edhe organizata rinore e kësaj partie "Junge Union", e cila është tejet konservatore. Ndër të tjera është fjala për ndalimin e ferexheve, ligje të reja për dëbimin e të huajve apo ndalimin e tubimeve publike në të cilat fjalimet mbahen në gjuhë të huaj.  Me saket pra CDU-ja do të largohet disi nga zona e rehatshme e qëndrimeve politike drejt qendrës.

Jo surpriza në drejtimin e partisë

Delegatët do të përqëndrohen vetëm në diskutime përmbajtësore, sepse sa i përket personelit drejtues të partisë në kongresin e Esenit nuk priten surpriza. Krahas Merkelit që kandidon për postin e kryetares së partisë, ka edhe pesë kandidatë që kandidojnë për pesë postet e nënkryetarit të partisë. Të gjithë kandidatët për nënkryetarë partie janë përkrahës të vijës së kancelares Merkel.