1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konflikti Turqi-Siri: Kthesë e rrezikshme

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan pas goditjes së një avioni luftarak turk ka vendosur të mprehë shpatat me Sirinë. Ky konflikt rrit rreziqet për të gjithë rajonin.

Kryeministri turk, Erdogan

Kryeministri turk, Erdogan

Nuk zgjati shumë habia për reagimet e matura të Ankarasë ditët e para pas goditjes së një avioni spiun turk nga Siria. Kryeministri turk, Erdogan u dorëzua pas presionit të opozitës në vend: Kërcënimet e tij marciale tani nuk të bëjnë optimist. Sikur edhe një helikopter sirian të shkelë diku kufirin 800 km të gjatë mes Sirisë dhe Turqisë dhe të futet në hapësirën turke, do të qëllohet menjëherë.

Një përplasje e drejtpërdrejtë mes një anëtari të NATO-s, në këtë rast Turqisë dhe një vendi tjetër, Sirisë do të duhej të aktivizonte aleancën perëndimore. Turqia, anëtare e NATO-s që nga viti 1952 mund të bëjë realitet të drejtën e saj për të kërkuar mbështetje nga NATO në rast të një kërcënimi serioz - siç ndodhi në vitin 2003, në fillim të luftës së Irakut. Ashtu si atëherë, Turqia do të kishte një alibi për të stacionuar sistemin paralajmërues AWACS, si edhe raketat mbrojtëse Patriot në territorin turk.

Në konfliktin me Sirinë veçse nuk bëhet fjalë vetëm për një marrëdhënie bilaterale, pra mes Turqisë dhe Sirisë. Regjimi kriminel në Damask ndodhet në presionin ndërkombëtar, me ndihmën e Rusisë dhe Kinës ai kërkon të fitojë kohë, gjë që nuk duket se ka për t'ia dalë. Kështu vendimi i Erdoganit për mprehjen e shpatave përbën një rritje drastike të rrezikut për të gjithë rajonin.

Baha Güngör komenton

Baha Güngör komenton

Zinxhir i rreziqeve potenciale

Turqia ndodhet që prej 18 vitesh në luftë me separatistët kurdë, shtabet e të cilëve ndodhen në Veriun e Irakut. Kështu nxjerrja e ushtrisë turke kundër Sirisë do të thoshte krijimi i një fronti të dytë, gjë që do të zgjeronte gjatësinë e kufijve që duhen mbrojtur në më shumë se 1.000 km.

Askush nuk mund ta parathotë për momentin, se si do të vepronte Irani, fëmija tjetër problematik i bashkësisë ndërkombëtare. Vështirë të mendohet se Teherani do të qëndrojë duarkryq, kur të shohë se si fluturojnë në rajon avionët AWACS dhe instalohen në Anadoll raketat Patriot. Zinxhiri i rreziqeve potenciale me pasoja të paparashikueshme do të shtrihej përtej Iranit deri në Izrael dhe në shtete të tjera arabe.

Shpresa që regjimi i Asadit do të bjerë shpejt që bota të marrë frymë lirisht dobësohet edhe më shumë me aksionet kërcënuese të Erdoganit për hakmarrje. Do të ishte dëm për Turqinë që në kohën e krizës ndërkombëtare si një nxënëse shembullore meriton notat më të mira, por që duket se ajo po i rrezikon me mendjelehëtsi. Të dyja luftërat e bashkësisë ndërkombëtare kundër Irakut e kanë dëmtuar mjaft Turqinë nga pikëpamja ekonomike. Dhe vendi u rehabilitua me shumë vështirësi më vonë prej tyre.