1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Konflikti në Lindjen e Mesme nuk mund të zgjidhet me dhunë" - reagime gjermane mbi zhvillimet në Gaza

Forcat izraelite filluan të shtunën sulmet ajrore kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Sulmet izraelite u dënuan nga shumë vende në radhë të parë ato arabe. Të hënën reagoi edhe qeveria gjermane.

default

Salla plenare e Bundestagut

Qeveria federale tregon mirëkuptim për sulmet izraelite ndaj objektivave në Rripin e Gazës dhe fajëson Hamasin për këto sulme. Kancelarja Angela Merkel të dielën ka pasur një telefonatë të gjatë me kryeministrin izraelit Ehud Olmert, bëri të ditur zëdhënësi Tomas Shteg (Thomas Steg). Sipas tij në këtë bisedë, kancelarja dhe kryeministri izraelit kanë konstatuar së bashku se "përgjegjësi i vetëm për zhvillimet e fundit në rajon është Hamasi."

Zëdhënësi i Qeverisë theksoi se Hamasi ka shkelur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e armëpushimit, duke sulmuar ngulimet izraelite me raketa Kasam.

Është e drejtë e Izraelit që të mbrojë popullin dhe territorin e tij. Shteg: “Prandaj, është shumë e qartë që Hamasi menjëherë dhe përgjithmonë duhet të ndërpresë sulmet me raketa, me qëllim që edhe operacionet ushtarake izraelite të ndërpriten sa më parë që është e mundur.”

Burimet palestineze bëjnë të ditur se deri tani, si pasojë e sulmeve izraelite, kanë gjetur vdekjen më shumë se 300 palestinezë. Ndër viktimat ka edhe shumë civilë. Megjithatë, qeveria federale gjermane nuk është e mendimit se sulmet dhe dhuna janë të tepruara. “Qeveria federale nuk dyshon në faktin se operacionet ushtarake janë drejtuar kundër strukturave terroriste dhe ushtarake të Hamasit si dhe kundër objekteve që përdoren për ndërtimin e raketave. Qeveria federale niset nga fakti që qeveria izeaelite, ashtu siç e ka thënë edhe vetë, do të bëjë gjithçka për evitimin e viktimave civile.” Izraeli e ka kërcënuar Hamasin me ndërhyrjen e trupave tokësore dhe po përgatitet për operacione të gjata ushtarake.

Kerstin Myler (Kerstin Müller) e të gjelbërve kërkon ndërprejen e aksioneve ushtarake. "Jam thellësisht e bindur që konflikti në Lindjen e Mesme nuk mund të zgjidhet me dhunë. Prandaj luftimet duhet të përfundojnë sa më parë që është e mundur. Jo vetëm Izraeli, por edhe Hamasi duhet ta kuptojnë se zgjidhja mund të arrihet vetëm me negociata dhe me vendosjen e armëpushimit prej të dyja palëve."

Shumë më kritike ndaj sulmeve izraelite është Partia majtiste. Sulmet janë të "pamatura" dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me të drejtën për mbrojtje, thotë Norman Peq (Norman Paech), zëdhënës për politikën e jashtme. Sipas tij, sulmet e kanë ashpërsuar edhe më shumë gjendjen në Rripin e Gazës, ku edhe më parë kushtet e jetesës ishin katastrofale.

  • Data 30.12.2008
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GPAv
  • Data 30.12.2008
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GPAv