1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Konflikti në Gazë ka nxitur urrejtjen ndaj hebrejve

Konflikti në Gazë ka shkaktuar reagime të shumta në Gjermani. Pas demonstratave të fundit antiizraelite fjalën e kanë marrë edhe organizatat hebreje. Kritika e tyre "Në Gjermani po nxitet urrejta e vjetër ndaj hebrejve."

Në Mynih kanë protestuar të martën (29.7.) shumë prominentë nga politika, kisha dhe shoqëria kundër antisemitizmit. Presidentja e Shoqatës izraelite për Mynih dhe Oberbajern, Charlotte Knobloch, u shpreh gjatë protestës e mllefosur me urrejtjen e dëgjuar kohët e fundit ndaj hebrenjve në Gjermani, por edhe me heshtjen e popullit gjerman. Si e mbijetuar e Holokaustit ajo sërish po përjeton përhapjen e antisemitizmit. "Urrejtja e re e vjetër është rikthyer", tha 82 vjeçarja.

Charlotte Knobloch: Urrejtja e re e vjetër është rikthyer

Charlotte Knobloch: "Urrejtja e re e vjetër është rikthyer"

Ka pasur cingërrime të shumta të telefonave dhe posta të shumta elektronike: "Neve po na shajnë, ofendojnë, kërcënojnë dhe sulmojnë edhe fizikisht", tha ish - presidentja e Këshillit Qendror të Hebrenjëve në Gjermani. "Ne hebrenjtë po përjetojmë në këtë vend, në vendin tonë, kohërat më të rrezikshme që nga viti 1945." Ajo u ankua edhe për mbështetjen e vogël të popullatës gjermane. Ministri i Bujqësisë Christian Schmidt (CSU) i quajti deklarimet kundër hebrenjëve "një virus", i cili cënon vendlindjen e përbashkët. Presidentja e Parlamentit në Bavari, Barbara Stamm, tha: "Parullat antisemitiste janë një turp për vendin tonë."

"Bashkëvuajtja për Palestinën si armë kundër Izraelit"

Peshkopja rajonale evangjeliste Breit Keßler kumtoi se konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës e përjeton si një "plagë të hapur". Lufta në Lindjen e Mesme është për disa "një shkas i mirëseardhur, për të shprehur qëndrimet e tyre antisemitiste". E drejta e ekzistencës së Izraelit nuk guxon të kontestohet. Bashkëvuajtja për Palestinën po përdoret si armë për të justifikuar vuajtjen e Izraelit. "Kjo është ana perverse e një solidariteti të ndershëm", theksoi teologia.

Të martën tre meshkuj ia kanë vënë flakën një sinagoge në Wuppertal. Ata kanë hedhur disa koktej Molotov në zonën e hyrjes në këtë sinagogë. Një i dyshuar është arrestuar. Menjëherë para sinangogës janë mbledhur qindra persona në protesta. Kryetari i bashkisë Peter Jung ka bërë thirrje për solidaritet me bashkësinë hebreje në Gjermani. Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Dieter Graumann, e ka dënuar këtë sulm sikur edhe Këshilli Qendror i Muslimanëve në Gjermani, i cili këto ditë është ankuar edhe për sulme ndaj xhamive në këtë vend.

Janë shtuar sulmet ndaj institucioneve hebreje? Ministria e Brendshme e përgenjeshtron

Janë shtuar sulmet ndaj institucioneve hebreje? Ministria e Brendshme e përgenjeshtron

Prej fillimit të konflikteve të fundit mes Izraelit dhe Hamasit radikal në rripin e Gazës para tre javësh, në Gjermani "janë shtuar sulmet ndaj simboleve dhe varrezave hebreje. Këshilli Qendror i Hebrenjve nuk deklarohet për këto gjëra, por sugjeron të shikohen të dhënat e Fondacionit berlinez, Amadeu Antonio, i cili dokumenton të gjitha sulmet që nga viti 2001. Në "kronikën antisemitiste për vitin 2014", fondacioni ka regjistruar 98 sulme. "Kemi regjistruar një rritje të sulmeve", konfirmoi kryetarja e Fondacionit Amadeu-Antonio, Anetta Kahane, në një bisedë me DW.

Të dhënat zyrtare flasin ndryshe

Ministria e Brendshme gjermane bën të ditur se në dekadën e fundit ka rënë dukshëm numri i veprave penale me sfond antisemitist. Prej vitit 2001 deri 2013 numri i sulmeve është zvogluar nga 1.691 në 1.275. Në anën tjetër është shtuar numri i akteve të dhunshme në vitin 2013 në gjithsejt 51. Por Ministria nuk mund të japë të dhëna për disa javët e fundit.

Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrejve Dieter Graumann

Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrejve Dieter Graumann

Profesorja Monika Schwarz-Friesel ka vërejtur së fundi një "eksplozion të anisemitizmit verbal në internet". Kriza në Lindjen e Mesme gjithmonë ka shkaktuar valë dhe përmbytje të deklaratave armiqësore ndaj hebrenjëve në rrjetet sociale. "Për momentin ajo që po ndodh tani në internet i ka tejkaluar të gjitha vitet e kaluara, si në aspektin kualitativ, ashtu edhe kuantitativ të sulmeve", thotë ajo për Deutsche Wellen. Por shumë shpesh mund të shihen edhe teori komploti dhe një lloj diktati, ku Izraeli nuk guxon të kritikohet hapur. Krahasimet me krimet e kohës së nazizmit nuk mund të jenë mjet legjitim i kritikës politike. Hulumtuesja tani ka nisur edhe një projekt më të gjërë për "antisemitizmin në internet".